Protesta mbështetet edhe nga persona që kanë punuar në Afganistan dhe Irak, të cilëve po ashtu po u kërkohet të paguajnë tatim për të ardhura të realizuara para disa vitesh. Studentët ankohen se, në vend të lehtësimit, shteti po u vështirëson jetën, ndërsa akuzojnë për padrejtësi institucionale.
Studentët që kanë marrë pjesë në programin “Work and Travel” vazhdojnë të protestojnë para ndërtesës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP). Ata reagojnë sepse, edhe pse gjatë verës kanë punuar jashtë vendit dhe më parë kanë qenë të liruar nga tatimi për të ardhurat e fituara, tani shteti po u llogarit tatim dhe u kërkon pagesën për ato të ardhura. Protesta mbështetet edhe nga persona që kanë punuar në Afganistan dhe Irak, të cilëve po ashtu po u kërkohet të paguajnë tatim për të ardhura të realizuara para disa vitesh. Studentët ankohen se, në vend të lehtësimit, shteti po u vështirëson jetën, ndërsa akuzojnë për padrejtësi institucionale.
“Një student ka punuar atje për tre vjet, le të themi ka fituar 6000 euro në vit, dhe ato para i ka shpenzuar për studime, qira, ka blerë veturë… dhe tani shteti thotë se kemi fituar nga gjithsej 18.000 euro. Nëse duhet të paguajmë 10%, atëherë duhet të japim 1800 euro. Këto janë shumë para, shumë njerëz nuk i kanë, dhe kjo është vërtet e padrejtë, absurde, pa asnjë paralajmërim paraprak. Papritur vjen urdhër për kontroll të llogarive për pesë vjet mbrapa, kur ne nuk kemi qenë të informuar për këtë procedurë. Për shkak të kësaj jotransparence, për të cilën fajin e ka institucioni, ne po bëhemi viktima të padrejtësisë institucionale. Prandaj mendoj se duhet të luftojmë për atë që është e jona dhe e fituar me ndershmëri, sepse Gjermania na e kthen këtë tatim për të na mbështetur si të rinj, që të jemi faktor i mirë në shoqëri dhe të bëjmë diçka pozitive me arsimimin tonë, ndërsa këtu për këtë po na ndëshkojnë”, thotë një studentë që protestoi para DAP-it.
Punëtorët që kanë punuar në Afganistan thonë se kanë pasur takim me drejtoreshën e DAP-it, ku kanë paraqitur dokumente që tregojnë se institucioni ka bërë lëshime dhe se nuk mund t’u thuhet pas pesë vitesh se kanë borxh tatim nga viti 2020. Ata shtojnë se nuk kanë marrë asnjë informacion se duhet të paguajnë tatim. Zhikica Milanov, dikur punëtor në Afganistan, tha se DAP po bën “vjedhje” pasi vendimet për tatim vijnë pas ca vitesh dhe për punë – tatimi i të cilave nuk duhet të jetë obligativ në Maqedoni.
“Më 30 janar ishim këtu në katin e shtatë te drejtoresha dhe patëm takim me dyer të mbyllura. Në atë takim paraqitëm të gjitha dokumentet dhe provat tona, ku shihet se ata kanë bërë lëshime të mëdha. Nuk mundet një institucion të flejë pesë vjet dhe pastaj të zgjohet e të thotë: hej, ju keni tatim nga viti 2020. Po ku është ajo llogaritje që duhej të na dorëzohej në vitin 2021? Ajo doli në emision dhe tha se gjatë pesë viteve të para këta njerëz kanë marrë vendime në email-et e tyre dhe profilet e tyre në DAP dhe nuk i kanë shlyer obligimet. Ja prova, do t’jua tregoj menjëherë: ky është dokumenti i kolegut tonë. Data është 9.12.2025, shikoni shifrat – zero. Fjalia e parë thotë: tatimet, kontributet dhe detyrimet e tjera publike për të cilat lëshohet ky vërtetim janë plotësisht të paguara deri në atë datë. Ndërsa pas tri ditësh kolegut i vjen vendim që të paguajë 4000 euro për vitin 2020”, u shpreh Milanov.
Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, deklaroi se të gjitha të ardhurat e realizuara jashtë vendit i nënshtrohen tatimit nëse personi ka vendbanim në shtet dhe ato mjete nuk janë tatimuar në një vend tjetër. Ajo sqaroi se nuk do të tatimohen mjetet e marra si kthim tatimi, por vetëm të ardhurat e fituara jashtë vendit. “Paga e realizuar në Gjermani nga një rezident tatimor maqedonas duhet të tatohet në Gjermani, por nëse nuk është tatimuar në Gjermani, atëherë tatimi paguhet në Maqedoni. Dhe këtu nuk bëjmë dallim për cilën kategori qytetarësh bëhet fjalë, qoftë studentë apo qytetarë të tjerë që realizojnë të ardhura nga puna”, tha Petrova.
Petrova tha gjithashtu se statusi i studentit nuk i përjashton studentët nga pagesa e tatimit. Ajo theksoi se bankat nuk i evidentojnë personat si studentë, prandaj përzgjedhja është bërë sipas moshës, ku janë identifikuar 134 persona. Nga ta, 19 kanë dorëzuar deklaratë E-PDD, ndërsa 10 persona tashmë e kanë paguar tatimin.
Nga DAP informojnë se deri në vitin 2024 të dhënat nuk janë përpunuar në mënyrë sistematike, ndërsa analiza e tyre ka nisur pikërisht atë vit. Për vitin 2024 është konstatuar tatim në shumën prej 171,6 milionë denarësh, prej të cilave deri më tani janë arkëtuar 30,4 milionë denarë. Për vitin 2025, sipas të dhënave nga bankat, janë regjistruar 70.869 persona me transfere hyrëse në vlerë totale prej 577 milionë eurosh. Deri tani janë dërguar 9.522 njoftime, ndërsa janë regjistruar edhe 4.459 paraqitje vullnetare. Kjo nuk është hera e parë që DAP ndërmerr një aksion të tillë. Katër muaj më parë ajo nisi analizën e personave që kanë punuar jashtë vendit dhe nuk i kanë tatimuar të ardhurat, duke u kthyer deri pesë vjet pas, dhe duke u kërkuar pagesë tatimi edhe personave që kanë punuar në vitin 2020.
tag_katrorimaqedoni_2