Kuvendi pritet të mbajë sot seancën e 99-të, ku në rend dite është propozim-vendimi për vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të rrezikut nga çrregullimet në furnizimin me naftë dhe derivate të naftës në vend, deri më 20 korrik të këtij viti. I njëjti propozim është edhe në rend dite në Komisionin parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, ndërsa sipas draftit, vendimi do të fillojë të zbatohet nga 21 prilli.
Pas konfliktit në Lindjen e Mesme, Qeveria më datë 23 të muajit të kaluar vendosi uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, lirimin e sasive të mazutit nga rezervat shtetërore dhe shpalli gjendje krize 30-ditore në gjithë territorin e vendit, me qëllim menaxhimin e situatës dhe sigurimin e furnizimit me energjensë strategjike.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se gjendja me derivatet e naftës është stabile dhe e pandryshuar, duke theksuar se rezervat nuk janë shpenzuar. Ai shtoi se, duke ndjekur lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, çmimet e karburanteve në vend pritet të mbeten të njëjta ose të ulen.
Sipas tij, rrjedha e naftës nëpër naftëpërques është e qëndrueshme, ndërsa për masën e TVSH-së së reduktuar tha se pritet të merret vendim pas 20 prillit. Ai bëri të ditur se marrëveshja për zbritje me kompaninë OKTA vlen deri në fund të prillit dhe se po negociohet edhe për ulje shtesë të çmimit të dizelit për së paku 1 denar.
tag_katrorimaqedoni_2