E ardhmja e paqartë e Ansamblit Muzikor të Tetovës, flasin artistët: Mos lejoni mbylljen e tij - Gazeta Express
string(92) "e-ardhmja-e-paqarte-e-ansamblit-muzikor-te-tetoves-flasin-artistet-mos-lejoni-mbylljen-e-tij"

Maqedoni

Gazeta Express

16/04/2026 11:00

E ardhmja e paqartë e Ansamblit Muzikor të Tetovës, flasin artistët: Mos lejoni mbylljen e tij

Maqedoni

Gazeta Express

16/04/2026 11:00

Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e Ansamblit Muzikor në Tetovë, i cili përmendet si institucion me kapacitete të kufizuara, ndërsa paralajmërohet edhe “racionalizimi”. Të menjëhershme kanë qenë reagimet e artistëve të cilët kërkojnë që mos të lejohet mbyllja e këtij institucioni të rëndësishëm për kulturën në vend, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.

Violinisti i skenës ndërkombëtare, Xhafer Xhaferi shprehet i shqetësuar lidhur me ekzistencën e Ansamblit Muzikor në Tetovë.


“Jam thellësisht i bindur se ky institucion është i domosdoshëm për kulturën, shoqërinë dhe të ardhmen artistike të vendit tonë. Nga përvoja ime personale në muajin tetor të vitit 2025, edhe në kushte jo të lehta dhe me mungesë të mbështetjes së merituar institucionale, ky ansambël ka funksionuar me profesionalizëm, përkushtim dhe dinjitet. Ky institucion ka qenë dhe mbetet një derë e hapur për talentet vendore. Me mirënjohje të thellë e them se ai hapi dyert edhe për mua, si violinist pas 20 vitesh, produkt i atij vendi, duke më dhënë mundësinë të kontribuoj dhe të rikthehem artistikisht aty ku i kam rrënjët”, tha Xhaferi.

Ai bëri bëj thirrje që të rishikohen me kujdes mundësitë dhe arsyet që po vihen përballë vazhdimësisë së këtij institucioni.

“Vendime të tilla duhet të merren duke pasur parasysh të mirën e përgjithshme të shoqërisë sonë, e cila ka nevojë edhe për kulturë, muzikë, art dhe gjëra të bukura që e fisnikërojnë shpirtin dhe jetën”, tha Xhaferi.

Dirigjentja Agona Çupi tha se është e dëshpëruar nga draft-strategjia, pasi siç thotë ajo Ansamblit Muzikor në Tetovë ende nuk i është dhënë mundësia të shfaqë potencialin e tij.
“Është e vërtetë se kultura nuk sjell të ardhura me shifra të mëdha për buxhetin (e rëndon buxhetin, siç thotë ministri) e shtetit dhe kjo nuk është detyra e kulturës, asnjëherë nuk ka qenë. Të mbyllet një institucion kulturor për dikë është llogaritje e thjeshtë matematikore, për shumë të tjerë një jetë me sakrifica dhe dedikim. Tetova ka pasur dhe ka potencial, çështja është sa realisht i është dhënë mundësia dhe përkrahja që të shfaqet me gjithë potencialin e vet. Si dirigjente në shumë koncerte këto 3 vite, edhe pjesë e Bordit drejtues gjatë themelimit në këtë Institucion, di të them se me këtë institucion lindën shumë shpresa që ishin shuar”, tha Çupi.

Oboisti dhe këngëtari nga Tetova, Vullnet Neziri thekson se Ansambli Muzikor është ndër institucionet më të bukura që mund të ketë qyteti.
“Nga kujtimet më të bukura nga koha e studimeve ishte kur ikja të shihja ndonjë koncert klasik në mbrëmje. Shkupi, si kryeqytet, është mjaft i pasur me jetë kulturore. Në njërën nga netët mbaj mend që kisha mundësinë të zgjidhja ndërmjet pesë koncerteve që mbaheshin njëkohësisht: filharmonia, opera, koncerte solistike nëpër salla të ndryshme etj. Dhe tani imagjinoni atë kënaqësi që e ka Shkupi, t’i mohohet Tetovës. Nuk do të hyj në detaje të tjera rreth rëndësisë socio-ekonomike të ekzistencës së tij por do t’ju lutesha ta imagjinoni këtë skenë E mërkurë mbrëma. Një koncert me vepra të Bethovenit ose të kompozitorëve shqiptarë, në zemër të Tetovës, nga një orkestër (me shumë shpresë, simfonike në të ardhmen). E bukur, apo jo? Këtë ëndërr të qytetarëve të Tetovës, duan t’ua mohojnë”, tha Neziri.

Dirigjenti tetovar, Premtim Etemi thekson se rëndësia e këtij institucioni është e shumëfishtë, pasi nuk përfaqëson vetëm një hapësirë për art dhe performancë, por edhe një mundësi konkrete për zhvillimin e kulturës vendore dhe ngritjen e nivelit artistik.


“Një shqetësim edhe më i madh është fakti se, sipas planit strategjik për kulturë, ky institucion rrezikon madje të mbyllet, pa u funksionalizuar asnjëherë plotësisht. Kjo jo vetëm që do të ishte një humbje e madhe për komunitetin artistik, por edhe një dështim i drejtpërdrejtë i politikave kulturore. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh fakti se në të njëjtën periudhë janë themeluar edhe dy institucione të tjera kulturore, të cilat tashmë funksionojnë normalisht dhe kanë të hapura vendet e punës. Kjo ngre pyetje serioze mbi barazinë dhe trajtimin institucional, duke krijuar përshtypjen e një diskriminimi të drejtpërdrejtë ndaj Ansamblit Muzikor – Tetovë”, tha Etemi.

Ai shton se mosfunksionalizimi i këtij institucioni dhe rreziku për mbylljen e tij krijojnë zhgënjim dhe pasiguri te komuniteti artistik.

“Investimet në kulturë nuk duhet të mbeten vetëm premtime apo projekte të papërfunduara, por duhet të konkretizohen në mënyrë që të kenë ndikim real dhe të drejtë për të gjithë”, tha Etemi.

Pse rrezikohet Ansambli i Tetovës?

Në përputhje me Ligjin për kulturën, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar draft-tekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.

Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.

Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.

Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.

“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.

Drejtori i Ansamblit ngre dilema se mund të mbyllet
Drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili për Portalb.mk tha se formulimi për racionalizim të rrjetit të institucioneve kombëtare, në praktikën administrative, nënkupton ristrukturim të mundshëm, bashkim (fuzionim) apo edhe ndërprerje të funksionimit të institucioneve që konsiderohen të pakonsoliduara.

“Pra, problemi real nuk është një vendim i drejtpërdrejtë për mbyllje, por fakti që Ansambli është vendosur në një kategori institucionesh që mund të preken nga këto masa, si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe mosplotësimit të kapaciteteve të tij”, tha Qamili.

Pse nuk janë realizuar punësime në Ansamblin e Tetovës për tre vite?
Ansambli Muzikor në Tetovë momentalisht ka vetëm dy të punësuar, çka nuk përputhet me strukturën dhe funksionin real të institucionit.

Sipas statutit, Ansambli është i paraparë të përfshijë kor, orkestër dhe bend, dhe në këtë kuptim, gjendja aktuale nuk reflekton kapacitetin e tij të vërtetë, por vetëm një fazë të përkohshme të zhvillimit të papërfunduar.

Drejtori i Ansamblit të Tetovës, Blerim Qamili thotë se punësimet nuk janë realizuar për shkak të mungesës së miratimeve institucionale dhe procedurave që varen nga nivele më të larta vendimmarrjeje.

“Ansambli ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të hapur vende pune dhe për të funksionalizuar strukturën e plotë sipas statutit, por këto procese nuk janë finalizuar. Nuk bëhet fjalë për dështim të brendshëm të konkursit, por për mosrealizim të tij në nivel administrativ dhe institucional”, tha Qamili.

Ministria e Kulturës hesht
Ministria e Kulturës nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske nëse do të mbyllet Ansambli Muzikor i Tetovës dhe pse si dhe pse deri më tani nuk janë realizuar punësime në këtë institucion kulturor.

Pak para fazës së fundit të punësimit të 19 artistëve dhe 3 administratorëve në Ansamblin e Tetovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për bllokimin e të gjitha pëlqimeve për punësim që ishin dhënë deri para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare. Që atëherë nuk janë realizuar punësime në këtë institucion ndërsa procedurat janë zvarritur.

Si pasojë, ky institucion mbeti pa artistë dhe pa administratorë, vetëm me dy të punësuar. Ndërkaq, aktivitetet vjetore deri më tani i ka realizuar përmes angazhimit të artistëve me kontrata në vepër.

Advertisement
Advertisement
Advertisement