Serbia, anëtare e Këshillit të Sigurimit: Sa është kjo reale? - Gazeta Express
string(58) "serbia-anetare-e-keshillit-te-sigurimit-sa-eshte-kjo-reale"

Serbia, anëtare e Këshillit të Sigurimit: Sa është kjo reale?

Lajme

Gazeta Express

18/04/2024 6:59

Nëse Kombet e Bashkuara (OKB) miratojnë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Serbia do të aplikojë që të jetë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Kështu e “kërcënon” botën Serbia, e cila nuk e pranon se krimi në Srebrenicë ishte gjenocid.

Ivana Stradner, këshilltare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni, i tha Radios Evropa e Lirë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka një histori të gjatë të “premtimeve pompoze”.

“Besoj se ky premtim është ekskluzivisht për audiencën vendase për të justifikuar para votuesve të saj rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.

Ideja për të kandiduar për anëtarësim në Këshillin e Sigurimit, u paraqit në përpjekjet e Beogradit zyrtar për t’iu përgjigjur propozimit që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë një rezolutë për Srebrenicën.

Projekt-rezoluta, e cila u iniciua nga Gjermania dhe Ruanda, shpall 11 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në tekstin, në të cilin REL-i kishte qasje, kërkohet gjithashtu që çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë të dënohet pa rezerva.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

Lexo Edhe:

Konsultimet jozyrtare për projekt-rezolutën do të mbahen më 17 prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, bëhet e ditur në faqen zyrtare të OKB-së.

Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe po lobojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 16 prill miratoi rekomandimin për pranimin e Kosovës në anëtarësim.

Çfarë paralajmëroi Vuçiqi?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nëse rezoluta për Srebrenicën miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Serbia do të aplikojë për t’u bërë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për vitin 2025 dhe 2026.

“Në të njëjtën sekondë do të kandidojmë dhe do të mposhtim bindshëm dy vendet e NATO-s nga rajoni i Evropës Lindore, të cilat kanë kandiduar deri më tani”, tha ai.

Këtë e tha Vuçiq më 14 prill gjatë përkujtimit të Ditës së Detashmentit të Policisë Ushtarake për qëllime të veçanta.

Një ditë më vonë, në një paraqitje në Radio Televizionin Serb, ai tha se Serbia do të ketë tre herë më shumë vota se këto dy vende së bashku, sepse ai pretendon se “mund t’i marrë ato”.

“Tash do të zgjidhemi sa të duam, sido që të duam si anëtar jo të përhershëm të KS-së, sa herë të mundemi”, tha Vuçiq.

Si zgjidhet një anëtar jo i përhershëm?

Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë. Pesë prej tyre – Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe – janë anëtarë të përhershëm dhe kanë të drejtën e vetos për çdo rezolutë apo vendim.

Dhjetë vende u takojnë anëtarëve jo të përhershëm dhe pesë vende rinovohen çdo vit.

Vendet anëtare votojnë për pesë kandidatë që përfaqësojnë grupe të ndryshme rajonale në çdo rund votimi.

Anëtarët jo të përhershëm zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme dhe për zgjedhje kërkohen të paktën dy të tretat e votave, që do të thotë të paktën 129 vota.

Kur bëhet fjalë për procedurën e kandidimit për një anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, vendet përgjithësisht së pari informojnë anëtarësimin e grupit të tyre dhe kërkojnë mbështetjen e tyre, thuhet në faqen e OKB-së.

Aty shtohet se miratimi i grupit më pas bëhet një faktor i rëndësishëm në hapin tjetër.

A mundet Serbia të bëhet anëtare kur të dojë?

Deri më tani, Serbia nuk ka qenë asnjëherë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ndryshe nga disa vende të rajonit.

Ish-ambasadorja e Serbisë, Branka Latinoviq, mendon se Serbia është dashur të aplikojë për një anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit shumë kohë më parë.

Megjithatë, sa i përket shpalljes së një kandidature të mundshme për vitin 2025 dhe atë 2026, ajo mendon se është “mjaft joreale dhe e vështirë për t’u zbatuar”.

“Ato kërkesa për kandidim janë paraqitur disa vite më parë, u paraprijnë kontakte dhe diskutime shumë të thella dhe të gjera”, tha ajo.

Për shembull, Belgjika njoftoi në fillim të vitit 2021 se do të kandidojë për mandatin e shtatë në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2037-2038.

Portugalia ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën e saj për periudhën 2027-2028 në janarin e vitit 2013.

Prej disa kohësh dihet edhe kandidatura e Malit të Zi për periudhën 2026-2027.

Anëtarët jo të përhershëm të KS-së zgjidhen në bazë rajonale për një mandat dyvjeçar dhe Serbia i përket grupit të Evropës Lindore.

Ky është grupi më i vogël rajonal, i përbërë nga 23 vende, nga të cilët çdo vit zgjidhet një anëtar i Këshillit të Sigurimit, sipas faqes së internetit të OKB-së.

Në të njëjtën kohë, ky grup është zgjeruar më së shumti në dekadat e fundit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Çekosllovakisë.

Sot, 11 vende të saj janë në Bashkimin Evropian, ndërsa shtatë prej tyre janë kandidate për anëtarësim.

Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023.