Rrëmbimi i Persefonit - Gazeta Express
string(21) "rrembimi-i-persefonit"

Arte

Gazeta Express

31/01/2023 13:48

Rrëmbimi i Persefonit

Arte

Gazeta Express

31/01/2023 13:48

Gavrosh Haxhihyseni

Njerëzimi ka lënë pas një kohë të artë plot mite e legjenda pagane, ku toka, qielli, bimësia, etj, lidheshin ngushtësisht me perënditë, të cilat drejtonin çdo gjë mbi tokë. Po kush ishte Persefoni (lat. Prozerpina) e mitologjisë greko-romake? Më poshtë po japim variantin e latinizuar të mitit.

Lexo Edhe:

Në fillim të kohëve, perëndesha Demetra (Çerere), merrej pa u lodhur me mbjelljen e bimëve dhe bënte që pemët të lulëzonin e të jepnin fruta. Ndërsa Ajo punonte, vajza e saj, Persefoni, luante në pyjet e Sicilisë, dhe në darkë ktheheshin në shtëpi duke kënduar e kërcyer së bashku…

Një ditë, Plutoni, perëndia e ferrit, i lodhur nga terri i mbretërisë së tij, vendosi të dalë në dritë e të shikojë pak nga kjo botë… Pas një shëtitje të gjatë e të lodhshme u shtri më në fund mbi një lëndinë të bukur që ndodhej rrëzë malit Ena, në Sicili. Aty pranë shtrihej Perguza, liqeni kaltërosh, që ushqehet nga përrenjtë gurgullues, zbukuruar me lule lloj-llojesh, aromat e përziera të të cilave të jepnin ndjesi erëmira e aq të forta sa të dehnin… Menjëherë, sa ktheu vështrimin, dalloi në një lëndinë një grup vajzash që po mblidhnin lule duke qeshur e lodruar, dhe midis tyre Persefonin e bukur. U dashurua përnjëherë me të, por duke e ditur se Demetra nuk do të pranonte t’ia jepte vajzën për grua, vendosi ta rrëmbejë me dhunë, pasi mori dhe pëlqimin e Jupiterit.

Të dy u ngjitën mbi karron e tij të zezë dhe revan mbërritën në lumin Akeront, që ndan botën e të gjallëve nga bota e të vdekurve. Persefoni thërriste e qante aq fort sa dhe vetë lumit i erdhi keq për të, ndaj ai e mbërtheu Plutonin nga këmbët dhe tentoi ta hedhi në ujë.

E dëshpëruar Persefoni hoqi nga vetja kordonin me lule dhe e hodhi në lumë, me qëllim që t’ia dërgonte si mesazh nënës.

Plutoni dhe Persefoni mbërritën në mbretërinë e të vdekurve, e ndërsa Plutoni mundohej ta qetësonte duke i premtuar se do ta bënte mbretëreshë, në tokë ra muzgu. Demetra e kërkoi më kot duke i rënë e dëshpëruar botës përqark, dhe nga dhimbja e dëshpërimi e la bimësinë të thahet dhe hoqi dorë nga mbjellja e tyre, kështu që gruri dhe frutat nuk u rritën më. Nëntë ditë e nëntë net pa vënë gjumë në sy e pa ngrënë, Demetra u ul e lodhur në bregun e një lumi, dhe në atë çast pa aty pranë një kordon me lule.

Më pas Heliosi, perëndia Diell, i rrëfeu të vërtetën si kishin rrjedhur ngjarjet. Nga dhimbja, Demetra nuk u kujdes më për tokën dhe i ktheu fushat pjellore në djerrina. Jupiteri kur pa se uria po shfaroste popuj të tërë, dërgoi lajmësit e tij ta qetësonin Demetrën e zemëruar, e cila, pa lëvizur nga vendi, iu përgjigj atyre se do të kujdesej për tokën vetëm kur Persefoni të kthehej sërish tek ajo.

Jupiteri vendosi të dërgojë menjëherë Mërkurin që të takonte Persefonin e ta këshillonte që të mos prekte ushqim me dorë. Plutoni në fakt kishte përgatitur një drekë të shijshme, nepsndjellëse edhe pse Persefoni nuk kishte aspak dëshirë e uri të hante. Më në fund, me këmbënguljen e Plutonit dhe nga uria ajo u dorëzua para shegës së kuqe e plot lëng të ëmbël që perëndia e të vdekurve ia kishte vënë në dorë me marifet. Plutoni i dha dymbëdhjetë kokrra shege dhe kur mbërriti Mërkuri, Prozerpina, për fat të keq, kishte ngrënë gjashtë prej tyre.

Vajza shpërtheu në lot kur mësoi ligjin hyjnor sipas të cilit, ai që ha qoftë dhe një kokërr nga shega në mbretërinë e të vdekurve nuk mund të rikthehet më në tokë. Jupiterit i erdhi keq dhe vendosi që Persefoni, e cila kishte ngrënë vetëm gjashtë kokrra shege, do të jetonte gjashtë muajt e vitit në mbretërinë e të vdekurve me Plutonin dhe gjashtë muajt e tjera në tokë me nënën e saj Demetrën.

Miti i Persefonit simbolizon ardhjen e pranverës që përkon me ardhjen e saj në tokë, ndërsa rikthimi në Had pas gjashtë muajsh, përkon me ardhjen e vjeshtës. Për fat ne e takojmë Persefonin vit pas viti bashkë me pranverën. I madhi Bernini e skaliti mjeshtërisht këtë mit në mermer./hejza