Irani mund të shqyrtojë mundësinë që të lejojë anijet të lundrojnë lirshëm nëpër pjesën e Ngushticës së Hormuzit që i përket territorit iranian, pa rrezik sulmi, raporton Reuters.
Propozimi bëhet në kuadër të ideve që Teherani ka paraqitur në negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me kusht që të arrihet një marrëveshje për të shmangur një konflikt të ri, sipas Reuters.
Një burim, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se Irani mund të lejojë anijet të përdorin anën tjetër të ngushticës, në ujërat e Omanit, pa asnjë pengesë nga Teherani. Megjithatë, burimi nuk sqaroi nëse Irani do të pranonte të hiqte mina të mundshme të vendosura në këtë zonë, apo nëse të gjitha anijet, përfshirë ato të lidhura me Izraelin, do të mund të kalonin lirshëm.
Sipas të njëjtit burim të Reuters, propozimi varet nga gatishmëria e Uashingtonit për të përmbushur kërkesat e Teheranit, një kusht kyç për çdo përparim të mundshëm lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Një burim perëndimor nga sektori i sigurisë tha se ideja për kalimin përmes ujërave të Omanit ishte tashmë në shqyrtim, megjithëse nuk është e qartë nëse Uashingtoni ka dhënë ndonjë përgjigje.
Qindra anije cisternë dhe mjete të tjera lundruese, si dhe rreth 20 mijë marinarë, janë bllokuar në Gjirin Persik që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Më 8 prill hyri në fuqi një armëpushim dyjavor, për të cilin Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët sot se nuk do të zgjatet.
Donald Trump deklaroi se lufta po i afrohet fundit, por kontrolli i Ngushticës mbetet një çështje kyçe në negociata, ka transmetuar Panorama.
Reuters thekson se ky propozim, nëse zbatohet, do të ishte një hap i parë për t’u distancuar nga idetë më agresive që Teherani ka shprehur javët e fundit.
Mes tyre përfshihen vendosja e tarifave për kalimin dhe pretendimi për sovranitet të plotë mbi ngushticën, masa që konsiderohen nga industria globale e transportit detar si të paprecedenta dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare detare.