Presheva: Zgjedhjet mes zhvillimit dhe stagnimit - Gazeta Express
string(47) "presheva-zgjedhjet-mes-zhvillimit-dhe-stagnimit"

Intervista

Gazeta Express

16/03/2021 16:24

Presheva: Zgjedhjet mes zhvillimit dhe stagnimit

Intervista

Gazeta Express

16/03/2021 16:24

Në këto zgjedhje, Presheva e ka rastin që të jetë një prej komunave të pakta shqiptare të qeverisura nga gratë. Kandidatja për kryetare, Ardita Sinani, u përgjigjet pyetjeve rreth komunës shqiptare në Serbi.

– Znj.Sinani, pse keni vendosur të kandidoni për kryetare të Preshevës në zgjedhjet e 28 marsit?

Ardita Sinani : Unë kam qenë kryetare e Preshevës për 6 muaj në vitin 2017. E njoh këtë punë nga afër. Ato 6 muaj ishin muaj shprese për Preshevën, meqë për një kohë të shkurtë patëm arritur të kryenim disa punë të mëdha. Zelli dhe sidomos adresat që investuan kaq shumë energji dhe financa për të më rrëzuar nga pushteti më bindën se kjo është betejë midis së mirës dhe së keqes. Nga ajo kohë e kam kuptuar se për të punuar për të mirën e Preshevës, dhe për ta dashur komunën tonë nuk të duhet shumë: duhet të jesh e përgatitur profesionalisht, të jesh e sinqertë politikisht, e aftë në aspektin menaxherial dhe e përkushtuar për Komunën dhe e vendosur e e qëndrueshme ndaj trysnisë që vjen nga jashtë, e më së shumti nga Beogradi. Po ashtu të jesh përafrues për njerëzit e bashkëpunues me qytetarët, t’i kuptosh drejtë e t’i jetosh problemet me të cilat ballafaqohen për çdo ditë qytetarët.

E sot më shumë se kurrë Presheva lëngon nga një pushtet që nuk e ka asnjërën nga këto tipare. Pa kurrfarë përgatitje profesionale, me një joseriozitet të frikshëm, me ngathtësi e paaftësi menaxheriale, me një dozë të lartë arrogance që përdorë në publik, mendjemadhësi, dhe me një gjuhë përçarëse.

Na duhet një qeverisje ndryshe. Por ndryshe përnime.

– Nga distanca duket sikur Presheva ka mbetur pothuajse e pashpresë, sa ka vërtetë potencial komuna e juaj për zhvillim?

Ardita Sinani : Është e vërtetë që Presheva ka mbetur në harresë. Të diskriminuar nga Beogradi për shkak se jemi shqiptar, e të neglizhuar nga pushteti lokal për shkak të joseriozitetit, por edhe të pozicionit nënshtrues të kryetarit aktual ndaj Beogradit. Ky nënshtrim nuk e bëri më të mirë Beogradin ndaj Preshevës. Përfitoi ai, Presheva degradoi. 

Por Presheva nuk është komunë pa potencial. Fshatrat e luginës së Moravës kanë potencial të madh bujqësor. Veçanërisht komuna jonë njohet për kulturat e perimeve. Por potenciali më i madh e angazhimi më i madh ështëte blegtoria. Veçanërisht në kodrat e Karadakut. I tërëky potencial ekonomik do të shumëfishohet me qeverisjen time në të cilën prioritet ndihme ekonomike do t’i jap pikërisht këtyre kapaciteteve ekonomike të cilat i angazhojnë të rinjtë në punë e krijojnë të hyra solide për qytetarët tanë.

Qyteti i Preshevës ka shumë biznese të vogla dhe të mesme. Këto biznese do të mund t’i shfrytëzonin shumë më shumë kapacitetet e veta nëse do t’u krijoheshin kushtet për punë dhe për punësim të të rinjëve preshevarë. Dhe këtë do ta bëjmë me qeverisjen time. Një pjesë e rëndësishme e buxhetit do të bartet në grante për bizneset dhe do t’i përdori të gjithë mundësitë për të krijuar lehtësira tatimore për ta. Natyrisht të asaj pjese të përgjegjësisë tatimore që varet nga pushtetit lokal.

Një rëndësi të veçantë do t’i jap punësimit të grave. Qeverisja e Preshevës me mua kryetare do të ketë programe të veçanta trajnimi për gratë dhe vajzat në mënyrë që ato të përgatiten për tregun e punës, dhe për kërkesat e ekonomisë sonë lokale.

Kundërpërgjigja ndaj korrupsionit dhe paaftësisë

– Pse mendoni se duhet të ndryshojë pushteti në Preshevë?

Ardita Sinani : Presheva ka një histori të gjatë të keq-qeverisjes. Viteve të korrupsionit e nepotizmit që fshihej prapa Luftës së lavdishme të UÇPMB-së, iu shtuan këto vitet e fundit të talljes me qytetarët, joseriozitetit menaxhues e nënshtrimit të plotë ndaj Beogradit nën petkun e ndryshimit. Është koha që Presheva të qeveriset nga njerëz profesionist, të ndershëm, të përkushtuar, të vendosur e të qëndrueshëm. Prandaj kandidimi im për zgjedhjet e 28 marsit duhet parë nga kjo perspektivë – është kundërpërgjigje ndaj dy tipareve shumë problematike të qeverisjes së deritashme: korrupsionit serioz e paaftësisë qesharake. I pari nuk e do Preshevën meqë e don pasurimin për vete. I dyti nuk e do Preshevën meqë nuk di ta do askë e asgjë më shumë se veten.

– Jeni e vetmja grua kandidate, sa ju ndihmon kjo, aq më tepër duke pasur parasysh se në nivelin komunal, gratë e kanë më të vështirë të zgjidhen, madje edhe në Kosovë, ku të gjithë kryetarët e komunave janë burra?

Ardita Sinani : Është e vërtetë që ka pak gra që drejtojnë komuna gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Por ato që kanë drejtuar janë drejtuar mjaftë të suksesshme. Shiheni Mimoza Kusarin në Gjakovë, e cila edhe sot e kësaj dite njihet si një prej kryetareve më të mira që ka pasur Gjakova. Pastaj e kemi Teuta Arifin në Tetovë, kryetare prej vitit 2013. Tash së fundi në Kosovë Vjosa Osmani është bërë personi më i votuar ndonjëherë në periudhën e pasluftës. Kohërat kanë ndryshuar. Pozita e gruas në politikë sot shihet ndryshe prej para 10 apo 20 viteve më parë. Natyrisht që ka mbetur edhe shumë punë përpara. Por përvojat e deritashme edhe pse të pakta të grave në udhëheqje kanë qenë të gjitha të mira.

Në këto zgjedhje Presheva e ka rastin që të jetë një prej komunave të pakta shqiptare të qeverisura nga gratë. Kjo nuk është e një rëndësie të vogël meqë e vendos Preshevën në listën e komunave më të avansuara e emancipuara politikisht. Ashtu siç historikisht ka qenë e dalluar për intelektualizmin e atdhedashurinë ndër shqiptarë.

– Jeni kandidate e partisë më të vjetër në Luginën e Preshevës, cilat janë përparësitë dhe mangësitë e kësaj?

Ardita Sinani : Ne jemi parti me traditë dhe përvojë. Kemi qenë pjesë e zhvillimeve politike në kohëra shumë të vështira për shqiptarët në Luginë dhe i kemi qëndruar besnik përherë interesit tonë kombëtar e qytetarë. Natyrisht që koha e gjatë prej se ekzistojmë dhe angazhimet tona të shumta politike kanë krijuar mundësinë edhe për kritikë dhe pakënaqësi ndaj partisë sonë shpeshherë edhe për shkak të keqkuptimeve. Angazhimin historik politik nuk mundemi kurrëta analizojmë sipas kutit të kohës së tashme por sipas kutit të kohës të cilën e analizojmë.

Duke qenë parti me demokraci tëtheksuar ne jemi e vetmja në Luginë që kemi arritur ta tejkalojmë fazën e lidershipit themelues dhe të vazhdojmë me reformimin e profilizimin e partisë për t’ia përshtatur nevojave e interesave të qytetarëve sot. Ne kemi lidership të ri të pozicionim të kohës karshi sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Serbinë e sotme, dhe jemi e vetmja parti shqiptare që i bën opozitën autokracisë së Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Unë jam kryetare e degës në Preshevë dhe jam kandidate për kryetare të komunës së Preshevës. Është parim demokratik i partisë sonë që i nënshtrohemi vetëm njërës trysni – asaj të qytetarëvë të cilëve u japim llogari dhe ndaj të cilëve qeveresim me transparencë. Me këto parime garojë për kryetare të Preshevës. Pa borxhe e pa tagër të së kaluarës. Veprojë në të tashmen me sy nga e ardhmja.

– Kryetari aktual i Preshevës, Shqiprim Arifi, erdhi në pushtet me kartën e të rejës dhe të ndryshimit me partitë tradicionale, si e vlerësoni bilancin e qeverisjes së tij 4 vjeçare?

Ardita Sinani : Shumë zhurmë për asgjë. E reja doli të jetë e vjetra me një stil ndryshe. Për sa kohë që qeverisja e Ragmi Mustafës ishte qeverisje e korrupsionit e e klaneve të partisë, kjo e Shqiprimit u bë qeverisje tallëse e neglizhente që zbatohet përmes Shqiprimit e shokëve të tij.

Asnjë prej premtimeve të Shqiprimit nuk janë realizuar këto 4 vite. Presheva vazhdon të mos ketë ujë të pijshëm, vazhdon të ketë deponi të egra mbeturinash, vazhdon të ketë ekonomi të pafinancuar, papunësi dhe emigrim të madh. Ne nuk kemi gjykatë në komunën tonë, ndërkohë që qeverisja komunale po bëhet përherë e më e padrejtë. Është e vërtetë që Shqiprim Arifi i ka rregulluar fasadat e disa shkollave dhe ambulantave. Dhe kjo saktësisht e përmbedh qeverisjen e Shqiprim Arifit. Ajo ishte fasadë ndryshimi, por me përmbajtje po aq të dëmshme sa qeverisja e Mustafës. Shqiprim Arifi është kryetar që ka dëshirë të duket. Por jo të punojë. Jo të shërbejë. Më shumë tallet. Dhe po na tall të gjithëve.E mbi gjitha veten.

Nënshtrimi ndaj Beogradit për interesa private

– Në çfarë përqëndrohet programi i juaj parazgjedhor?

Ardita Sinani : Janë katër segmente prioritare e themeltare të programit tonë për Preshevën:

1. Bizneset,  Bujqesia dhe Blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin

2. Administrate për gjithë – administratë që qeverisë në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin

3.  Ujin dhe mbeturina – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës 

4. Hapsira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët

Këto janë pikat programore që garantojnë një Preshevë më të zhvilluar, më të pastër, me më shumë barazi, më të bukur, e më dinjitoze. Një Preshevë që e duan preshevarët. Sepse të gjithë jemi me Preshevën.

– Kryetari i partisë suaj, Shaip Kamberi, vlerësohet gjithandej në rajon, për përfaqësimin e tij në parlamentin e Serbisë. Sa është është kjo e rëndësishme për kandidaturën tuaj?

Ardita Sinani : Është tejet e rëndësishme për Preshevën. Aktiviteti politik i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë është zëri i qytetarëve të pakënaqur. Të tillë janë të gjtihë shqiptarët e Luginës. Por po ashtu janë edhe boshnjakët e Sanxhakut. E qe besa edhe një pjesë e madhe e qytetarëve serb që nuk janë në kthetrat klienteliste e nacionaliste të Vuçiqit. Është shumë e rëndësishme ta kemi opozitën e vetme në Kuvend sot të drejtuar nga një deputet shqiptar, i cili udhëheq grupin parlamentar të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Për 4 vite rresht Shqiprim Arifi ka ndjekur rrugën e moskonfrontimit dhe të bashkëpunimit me nivelin qendror të pushtetit në Beograd. Kjo nuk i solli asnjë dobi Preshevës. Përkundrazi, diskriminimi buxhetor e faktik nga Beogradi vetëm sa po rritet. Edhe sot e kësaj dite, edhe përkundër marrëveshje së arritur në Bruksel, Srebia nuk i njeh diplomat e shqitarëve të Luginës nga studimet e tyre në Prishtinë e gjetiu në Kosovë. Kjo është e papranueshme. PVD e drejtuar nga Shaip Kamberi kemi zgjedhur rrugën e konfrontimit për të drejtat tona. Nuk heshtim por do të ngrisim kryet për sa kohë që shtypemi e diskriminohemi në baza kombëtare e qytetare. Në këtë drejtim na duhet një qeverisje e së njëjtës mendësi në Preshevë. Kombinimi mes pushteti lokal të Preshevës me Grupin Parlamentar në Kuvend të Serbisë do t’i sjellë Preshevës më shumë dinjitet, më shumë investime e më shumë zë.