Hartwell: “Normalizimi” s’ka saktësi, SHBA dhe BE t’i përcaktojnë qartë objektivat e dialogut Kosovë-Serbi - Gazeta Express
string(100) "hartwell-normalizimi-ska-saktesi-shba-dhe-be-ti-percaktojne-qarte-objektivat-e-dialogut-kosove-serbi"

Hartwell: “Normalizimi” s’ka saktësi, SHBA dhe BE t’i përcaktojnë qartë objektivat e dialogut Kosovë-Serbi

Lajme

Gazeta Express

12/01/2024 11:16

Çfarëdo tensioni në Ballkan do t’i shkonte për shtati Rusisë dhe Vladimir Putinit për ta hequr vëmendjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë. Kështu ka thënë për Gazetën Express, Dr.Leon Hartwell, anëtar i lartë jo-rezident në Qendrën për Analizën e Politikave Evropian (CEPA) me seli në Uashington dhe bashkëpunëtor i lartë në London School of Economics (LSE). Hartwell është shfaqur mjaftë kritik për politikën që SHBA dhe BE kanë ndjekur viteve të fundit në raport me Kosovën dhe Serbinë, duke thënë se po favorizohet Vuçiq pavarësisht kërcënimit që paraqet. Ai gjithashtu ka kritikuar NATO-n që s’ua kë vënë veshin paralajmërimeve për gatishmërinë e Vuçiq për të përshkallëzuar konfliktet në rajon. Sa i përket zhvillimeve të vitit të kaluar, Hartwell ka thënë se ndërprerja e stërvitjeve ushtarake me Kosovën dhe rezistenca për t’i vendosur sanksione Serbisë pas Banjskës paraqet një shpërputhje të çuditshme për politikën e SHBA-së dhe BE-së. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazetën Express, Hartwell ka folur për procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për një zgjidhje të qëndrueshme e afatgjate, duke dhënë pesë pikat e tij, se si do të duhej të riformatizohej përmbajtja dhe qasja në negociata nga SHBA dhe BE. Anëtari i CEPA, ka folur edhe për atë nëse ka rrezik për konflikt të ri në mes të Kosovës dhe Serbisë, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pozitën e vështirë, që sipas tij gjendet Kurti, si rezultat i asimetrisë së qasjes në negociata nga SHBA dhe BE.

Lexo Edhe:

Gazeta Express: Si e parashikoni fundin e luftës në Ukrainë dhe a mendoni se do të ishte fatale për Ballkanin Perëndimor nëse Rusia e fiton luftën, marrë parasysh edhe alarmet që Moska dhe Putin janë duke kërkuar për një front të dytë në Ballkan?

Leon Hartwell: Në rast të një fitoreje eventuale të Rusisë në konfliktin që po vazhdon, pasojat për Ballkanin do të ishin të thella. Veçanërisht do të forconte figurat si Millorad Dodik dhe presidenti Aleksander Vucic, të dy aleat të Kremlinit dhe avokat të vendosur të një Ballkanizimi rajonal të bazuar në grupe identiteti, duke komplikuar më tej peizazhin delikat gjeopolitik.

Bazuar në rrethanat aktuale, një zgjidhje e shpejt e konfliktit Rusi-Ukrainë duket e pamundur. Sidoqoftë, trajektorja sugjeron një eskalim të përpjekjeve të ushtrisë ruse në vitin 2024, derisa fuqitë Perëndimore po zvarriten për të përshpejtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën. Pa një mbështetje më të fuqishme, Ukrainasit do të përballen me një kërcënim ekzistencial në rritje nga Rusia, me potencial për një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së tyre.

Zgjatja e luftës Rusi-Ukrainë gjithashtu e bën Ballkanin të ndjeshëm ndaj influencës ruse, bazuar në aleancat e Putinit në rajon. Vigjilenca është parësore, veçanërisht në lidhje me stabilitetin e Repulika Sprskas dhe dinamikës mes Kosovës dhe Serbisë, që qëndron gati për një eskalim potencial. Çdo ngritje e tensioneve në Ballkan do t’i konvenonte Rusisë, duke shfrytëzuar luftën e Perëndimit për të menaxhuar me mjeshtëri krizat e njëkohshme, duke larguar kështu vëmendjen nga konflikti i vazhdueshëm Rusi-Ukrainë.

Gazeta Express: A mendoni se aleanca Veri-Atlantike do të jetë në gjendje të parandalojë spiralen e konfliktit në Ballkan Perëndimor, duke llogaritur këtu situatën e acaruar në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Leon Hartwell: NATO ka kapacitetet teknike për të menaxhuar dhe për ta ndalur secilin konflikt në rritje në Ballkan. Sidoqoftë, në vitet e fundit kemi parë një shfaqje dëshpëruese të vendimmarrjes jo optimale nga SHBA dhe BE, që ka rezultuar me politika të gabuara. Aktualisht, mbizotëron një qasje shumë e përqendruar në Beograd, duke favorizuar regjimin e Vuçiqit, si një burim të supozuar të stabilitetit në rajon, pavarësisht nga kërcënimi i dukshëm që ai paraqet për paqen rajonale dhe të brendshme.

Fatkeqësisht, reagimet e pakta të dëshmuara vitin e kaluar ndaj provokimeve të Serbisë, nënvizojnë dështimin e NATO-s për t’iu vënë veshin paralajmërimeve në lidhje me gatishmërinë e regjimit të Vuçiqit për të përshkallëzuar ndjeshëm konfliktet në Ballkan. Në një incident shqetësues, serbët e Kosovës, të mbështetur nga regjimi i Vuçiqit, shkaktuan lëndime mbi 30 paqeruajtës të NATO-s. Pezullimi i mëvonshëm i Kosovës nga stërvitjet e NATO-s, i krahasuar me angazhimet ushtarake me Serbinë, nxori në pah një mospërputhje të çuditshme. Për më tepër, pas sulmit terrorist të Banjskës në Kosovë, i orkestruar nga një grup i lidhur ngushtë me Serbinë, aleatët e NATO-s u përmbajtën nga sanksionimi i regjimit të Vuçiqit, pavarësisht nga mbështetja e tij e dukshme për aktivitetet që përbënin një kërcënim të prekshëm për stabilitetin e Ballkanit.

Paradigma mbizotëruese e politikës, e shënuar nga dështimet e saj në Ballkan dhe një qëndrim kryesisht reaktiv, ka potencialin të pengojë efektivitetin e NATO-s në parandalimin në mënyrë proaktive të përshkallëzimit të konflikteve në rajon.

Gazeta Express: A është urgjente për sigurinë e rajonit që Kosova dhe Serbia t’i japin fund konfliktit dhe status-quos në mënyrë që të mos ketë më pika të nxehta nga të cilat ndonjë luftë e re mund të niset(Ne e pamë që më 24 shtator në Banjskë në Veri të Kosovës, kishte një rrezik të madh për një konflikt të ri)?

Leon Hartwell: Për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit Serbi-Kosovë, unë kam pretenduar me këmbëngulje se SHBA-ja dhe BE-ja kanë ndikim të konsiderueshëm mbi këto kombe relativisht të vogla, të cilat të dyja mbështeten shumë në përkrahjen e këtyre entiteteve gjeopolitike për stabilitet dhe prosperitet. Megjithatë, për t’i dhënë fund kësaj mosmarrëveshjeje të gjatë kërkon një qasje gjithëpërfshirëse. Për ta arritur këtë, SHBA-ja dhe BE-ja duhet:

• Përcaktojnë qartë objektivat e dialogut, pasi termit “normalizim” i mungon saktësia dhe kërkon përmbajtje substanciale.

• Hartojnë një strategji të shumanshme që shtrihet përtej tryezës së negociatave për të përmbushur qëllimet e identifikuara.

• Pranojnë se Vuçiq nuk e sheh më integrimin në BE për Serbinë si një objektiv të rëndësishëm, duke kërkuar kështu një rikalibrim të stimujve në dialog.

• Ndalojnë praktikën e zbutjes ndaj Serbisë dhe në vend të kësaj, t’i lidhin karotat dhe shkopinjtë me përparim të dukshëm dhe sjellje të dëmshme.

• Formulojnë një strategji koherente, afatgjatë për Ballkanin, duke u larguar nga masat reaktive dhe reagimet ad hoc ndaj destabilitetit.

Aktualisht, vazhdimësia e dialogut tregon shenja të lëkundjes. Prandaj, është e domosdoshme që BE-ja dhe SHBA-ja të hartojnë një strategji që shtrihet përtej kufijve të tryezës së negociatave. Një hap i prekshëm drejt zgjidhjes përfshin sigurimin e njohjes për Kosovën nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin. Një nismë e tillë do të lehtësonte integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, duke zbutur më pas kërcënimin e vazhdueshëm të sigurisë që paraqet Serbia. Kjo strategji e nuancuar premton një zgjidhje më të qëndrueshme të konfliktit Serbi-Kosovë.

Gazeta Express: Cilat janë parashikimet tuaja për vitin 2024, cilat do të jenë sfidat dhe a shihni rrezik për një luftë të re?

Leon Hartwell: Çështjet kryesore të lidhura me konfliktin që parashikohen të mundojnë rajonin në vitin 2024 përfshijnë konfliktin e vazhdueshëm Serbi-Kosovë, aspiratat shkëputëse në Republikën Srpska, trajektorja shqetësuese e autoritarizmit në Serbi dhe epërsia e politikanëve pro-rusë në Mal të Zi, këto janë të gatshme për të qenë pika qendrore.

Një shqetësim i veçantë është regjimi i Vuçiqit, qëndrimi i të cilit pro Kremlinit nënvizon rëndësinë e tij në dinamikën rajonale, veçanërisht në kontekstin e paqëndrueshëm të Kosovës. Ndërkohë që një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake e Serbisë në Kosovë duket e pamundur, duke pasur parasysh praninë parandaluese të NATO-s në rajon, regjimi në Beograd ka shfaqur një prirje për të bashkëpunuar me aktorë të linjës strategjike në veri të Kosovës në mënyra që mund të tërheqin të gjithë rajonin në një rrjet kompleks të armiqësive destabilizuese.

Gazeta Express: Nuk e di se sa thellë jeni duke u marrë me çështjen e Kosovës dhe Serbisë, por do të isha I lumtur të iu pyesja gjithashtu edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si duhet të jetë [Asociacioni] që të mos paraqes kërcënim për Kosovën dhe a mendoni se themelimi është një detyrim për Kosovën për të hapur rrugën drejt strukturave euro-atlantike?

Leon Hartwell: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe paraqet një mori shqetësimesh, kryesisht për shkak të potencialit të tij për të përkeqësuar jostabilitetin në Kosovë. E konceptuar fillimisht për të çmontuar strukturat paralele të qeverisë serbe dhe për të forcuar shtetin e Kosovës, Serbia, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, po promovon një Asociacion që devijon nga qëllimi i saj origjinal. Avokimi i Serbisë për një Asociacion të pajisur me kompetenca të forta ekzekutive përbën një kërcënim të madh për sovranitetin e Kosovës, duke ofruar një mundësi për një shtet autoritar serb, të mbështetur nga Kremlini, për të nxitur destabilitet brenda Kosovës.

Prezantimi i një entiteti tjetër me bazë etnike në Ballkan përmes Asociacionit jo vetëm që dështon të adresojë shkaqet rrënjësore të konfliktit, por gjithashtu krijon një precedent të rrezikshëm. Kjo qasje dërgon një mesazh shqetësues se grupet e ndryshme të identitetit nuk mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike, duke nënkuptuar se e vetmja zgjidhje e mundshme është një formë e Aparteidit. Zbatimi i Asociacionit bëhet edhe më problematik kur shihet në lidhje me situatën në Bosnje, veçanërisht sfidat e paraqitura nga Republika Srpska, dhe mes aspiratave të vazhdueshme të Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe.

Ndryshe nga lehtësimi i integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike, Asociacioni paraqet komplikime që mund të pengojnë përparimin e saj. Nëse Kosova bëhet burim i përshkallëzimit të destabilitetit, perspektiva e hyrjes së saj në BE dhe NATO mund të përballet me një kontroll të shtuar. Asociacioni, siç është parashikuar aktualisht, ngre shqetësime serioze për ndikimin e saj në dinamikën rajonale dhe implikimet më të gjera për trajektoren gjeopolitike të Kosovës.

Gazeta Express: A mendoni se Kosova ka bërë një gabim kur e ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit pa njohjen reciproke në të?

Leon Hartwell: Në aspektin ligjor, Marrëveshjes së Ohrit i mungon statusi formal i një marrëveshjeje tradicionale, pasi ajo nuk është nënshkruar apo ratifikuar nga të dyja palët e përfshira. Përkundër kësaj, presioni thelbësor nga BE-ja dhe SHBA-ja vazhdon ndaj kryeministrit Albin Kurti që të zbatojë dispozitat e saj, edhe përballë mospranimit të Serbisë.

Në kontekstin e konfliktit Serbi-Kosovë, ndërmjetësimi i suksesshëm varet kryesisht nga bashkëpunimi i kundërshtarëve të drejtpërdrejtë – Serbisë dhe Kosovës. Pavarësisht madhësisë së tyre relativisht të vogël në krahasim me peshën e ndërmjetësve, të dy shtetet, veçanërisht Kosova, mbështeten në mënyrë të konsiderueshme në SHBA dhe BE për sigurinë dhe stabilitetin ekonomik. Fatkeqësisht për Kosovën, SHBA-të dhe BE-ja ende nuk e kanë pranuar plotësisht mos sinqeritetin e regjimit të Vuçiqit në kërkimin e një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit.

E komplikuar në këtë çështje është asimetria në presion, ku Kosova përballet me kërkesat për të zbatuar “marrëveshjet” e perceptuara pa pritshmëri reciproke nga Serbia.

 Kjo dinamikë e vendos Kurtin në një pozitë të pasigurt, duke kërkuar një ekuilibër delikat midis demonstrimit të vullnetit për kompromis pa bërë kompromis me interesat jetike të Kosovës. Njëkohësisht, ai duhet të lundrojë në kompleksitetin e menaxhimit të pritjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke theksuar sfidën e mbajtjes së mbështetjes së tyre duke siguruar mirëqenien e Kosovës./GazetaExpress/