Judah: Ballkani në rrezik nëse Trump bëhet president, Grenell mund t'i bëjë Kosovës më shumë probleme se Putini - Gazeta Express
string(108) "judah-ballkani-ne-rrezik-nese-trump-behet-president-grenell-mund-ti-beje-kosoves-me-shume-probleme-se-putini"

Lajme

Gazeta Express

01/01/2024 12:28

Judah: Ballkani në rrezik nëse Trump bëhet president, Grenell mund t’i bëjë Kosovës më shumë probleme se Putini

Lajme

Gazeta Express

01/01/2024 12:28

Gazetari i mirënjohur britanik, Tim Judah, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për vorbullën e ngjarjeve të ndodhura në rajon gjatë vitit 2023, sfidat e sigurisë dhe “kërcënimin” që e pret Kosovën në vitet e ardhshme.

Judah ka thënë se nuk pret përmbyllje të dialogut Kosovë-Serbi gjatë vitit 2024 dhe ka potencuar se përgjegjësia kryesore për finalizimin e normalizimit bie mbi të dy shtetet.

Lexo Edhe:

Sa i përket sigurisë së rajonit dhe rrezikut nga Rusia, Judah thotë se rikthimi i mundshëm i Donald Trump si president dhe emërimi i Richard Grenell si Sekretar i Shtetit janë më të rrezikshme. Sipas gazetarit britanik, Grenell mund t’i shkaktojë Kosovës më shumë probleme se sa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Gazetari Judah në fund thotë se Kosova duhet të shqetësohet për problemet ekonomike dhe demografinë në vitin 2024 dhe viteve në vazhdim. Judah për Express ka thënë se pret, sikurse në të gjithë vendet e rajonit, një tkurrje të shpejtë të popullsisë së Kosovës   

Intervistoi: Besnik Velija

Gazeta Express: A prisni që SHBA dhe BE ta përmbyllin mosmarrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2024?

Tim Judah: Jo. Gjithashtu unë mendoj se përgjegjësia kryesore për mbylljen e çështjes i takon Kosovës dhe Serbisë.

 Gazeta Express: A mendoni se gjatë vitit 2024 do të marrë formë përpjekja e SHBA-së për ta divorcuar Serbinë nga Rusia? Nëse po, cilat do të jenë ndikimet në zhvillimet e tjera në rajon?

Tim Judah: Unë mendoj se ju po e mashtroni veten tuaj nëse besoni që SHBA-ja është duke bërë shumë përpjekje për ta “divorcuar” Serbinë nga Rusia. Unë nuk mendoj se do të ndryshojë diçka për këtë. Sot, interesi kryesor i SHBA-së është që t’i ketë municionet e Serbisë duke rrjedhur për në Ukrainë dhe mendoj që për shumë në Uashington është shumë më shumë e rëndësishme sesa të merren me Kosovën, edhe nëse shuma e municionit është relativisht e vogël.

Gazeta Express: Nëse fuqitë Perëndimore do të dështojnë të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshje finale, dhe nëse Serbia do të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë, shtuar këtu edhe përpjekjet e Dodik në Bosnje dhe paralajmërimet se Rusia do një front të dytë lufte në Ballkan, a munden këto zhvillime të rrezikojnë gjithë strukturën e sigurisë në Evropë?

Tim Judah: Unë mendoj se kjo është panikuese. Unë mendoj se Ballkani në një vit do të duket pak a shumë njëjtë sikurse tani. Një rrezik më i madh është nëse Trumpi bëhet president dhe ta bëjë Richard Grenellin Sekretar të Shtetit, që është një ide që aktualisht po qarkullon në Uashington. Grenell mund të shkaktojë shumë më shumë probleme në Kosovë sesa Putini, siç ishte rasti në të kaluarën.

Gazeta Express: Cilat janë pritjet tuaja për vitin 2024 lidhur me procesin e paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dialogu Kosovë-Serbi, Bosnje dhe Hercegovina. A do të mundet BE-ja që përtej problemeve të brendshme me shtetet anëtare sikurse Hungaria dhe zgjedhjeve të brendshme, të gjej një rrugë përpara për të mbyllur çështjet e hapura. Cili është rreziku nëse do të dështojë?

Tim Judah: Unë mendoj se problemi kryesor nuk është BE-ja apo të jashtmit, është mungesa e vullnetit politik në rajon për të bërë kompromis dhe për të ecur përpara, kështu që mendoj se brenda një viti rajoni nuk do të ketë ndryshuar shumë.

Gazeta Express: Bazuar në njohurinë tënde për rajonin, politikanët, shoqërinë në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor, duke llogaritur edhe zhvillimet globale, lufta në Ukrainë, përpjekjet e Rusisë dhe Kinës, cila mendoni se është rruga përpara që Ballkani të mos futet përsëri në spiralen e rrezikshme të konflikteve. A është futja e Kosovës në NATO një zgjidhje, sepse e dimë që Veriu i Kosovës është një pikë e nxehtë prej ku mund të nisin konfliktet, mjafton ta kujtojmë 24 shtatorin në Banjska?

Tim Judah: Pyetja nuk është relevante sepse Kosova padyshim nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s kur, ashtu si me BE-në, ka anëtarë që nuk e njohin. Kosova tani mbrohet nga NATO dhe kjo nuk do të ndryshojë, përveç nëse presidenca e Trump vendos ndryshe. Sfida më e madhe për Kosovën në vitin e ardhshëm dhe vitet e ardhshme është demografia. Sa njerëz do të largohen kur nuk keni nevojë për viza për Shengen? Gjithashtu në vitet e ardhshme, si pjesa tjetër e rajonit, do të filloni të keni më shumë vdekje sesa lindje çdo vit, kështu që pres që tkurrja e popullsisë së Kosovës të përshpejtohet në mënyrë dramatike dhe mendoj se duhet shpenzuar më shumë kohë për adresimin e këtyre problemeve ekonomike dhe çështjet demografike sesa shqetësimi për kinezët.