Gjashtë ndeshje të xhiros së 26-të të Serisë A do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, pa tifozë në stadiu, përfshirë këtu derbin e së dielës mes Juventusit dhe Interit në Allianz.
Ministri i Sportit Vincenzo Spadafora ka konfirmuar se ndeshjet e fundjavës në Serie A, që ishin planifikuar të zhvillohen në zonat e prekura nga koronavirusi, do të zhvillohen pa tifozë në stadium, transmeton Gazeta Express.
“Masat janë tashmë të vendosura. Fillimisht janë ndalur eventet deri të dielën në zonën e Lombardisë, Venetos dhe Piedmont. Tani, ne e kemi zgjeruar zonën edhe në Friuli Venezia Giulia, Emilia Romagna dhe Liguria”, ka thënë Spadafora.
“Në këto regjione, eventet sportive mbeten të ndaluara. Ndërsa, për disa evente e kemi lejuar zhvillimin prapa dyerve të mbyllura, pa tifozë”.
Ministri i Sportit ka zbuluar se ndeshjet e tjera do të vazhdojnë normalisht, pasi që pjesa tjetër i Italisë nuk ka rrezik serioz nga koronavirusi dhe s’ka nevojë të ndërmerren këto masa.
Kjo do të thotë se ndeshja e shumëpritur mes Juventusit dhe Interit do të luhet pa praninë e tifozëve. Interi do ta zhvillojë edhe ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Ludogorets, të dielën, pa tifozë.
Gjashtë ndeshjet e Serisë A që do të zhvillohen pa tifozë në stadium:
Udinese-Fiorentina (Të shtunën)
Milan-Genoa (Të dielën)
Parma-SPAL (Të dielën)
Sassuolo-Brescia (Të dielën)
Juventus-Inter (Të dielën)
Sampdoria-Hellas Verona (Të hënën) /Gazeta Express/