Për një muze të komunizmit - Gazeta Express
string(26) "per-nje-muze-te-komunizmit"

Për një muze të komunizmit

OP/ED

Gazeta Express

14/06/2022 13:35

Shqipëria të bëje muzeun e saj, burgjet e Spaçit, Qafë-Barit etj., se BunkArt 1 apo 2 apo “Shtëpia me gjethe” a ndonjë shtëpi tjetër në qendër nuk mjaftojnë, aq më tepër që ato tregojnë diktaturën, forcën e saj, por ende jo qëndresën dhe përballjen me të, qoftë dhe e një apartamenti të thjeshtë, ku fshehurazi dëgjonin “Zërin e Amerikës”

Nga Visar Zhiti

Lexo Edhe:

I hap dyert për të gjithë, për kujtesën e popujve, Muzeu i ri i Fondacionit VOC (Victims of Communism) në Washington DC, mu në qendër të kryeqytetit, në sheshin “McPherson”.

Është ngjarje që shënjon një hap përpara, nuk është thjesht një muzeum më shumë në muzeumet e mrekullueshme që ka SHBA, por në këtë kohë revanshesh nga e kaluara andej, është jo vetëm kujtesë e njerëzimit, por qëndrim dhe të kuptuar i madh, përballje, shpresë e fortë dhe të vazhdosh të prish…

SHBA nuk e ka vuajtur komunizmin vetë, dihet, por puna dhe lufta që ka bërë për shembjen e diktaturave komuniste, është historike dhe aktuale, vendimtare dhe ja, tani dhe muzeu i kujtesës si asgjëkund tjetër…

Përkujtohen kështu më shumë se 100 milionët e vrarë nga regjimet komuniste, më tepër se ç’vranë dy luftrat botërore së bashku. Çfarë tragjedie botërore! Teksa sot 1,5 miliardë njerëz janë ende nën qeveritë komuniste, armike ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Të tilla janë kumtet që na vijnë nga ky muze i ri.

Po vendi ynë që po kalon një tranzicion postkomunist të zgjatur e të mundimshëm? Ç’thotë dhe ç’do të bëjë?

“Hapja e këtij muzeu në një kohë kaq të rëndësishme është kulmi i më shumë se tri dekadave të punës dhe donacioneve”, tha ambasadori Andrew Bremberg, President dhe CEO i VOC. “Ekipi i historianëve, i arkitektëve dhe i artistëve që kontribuuan, kanë qenë të klasit botëror dhe besimi ynë është që muzeu do të shërbejë si një vend, ku të gjitha viktimat e komunizmit mendojnë se historia e tyre po dëgjohet”.

Të dëgjohemi! Këtu fillon… …është muzeu i parë në botë që përshkruan historinë e komunizmit si dhe shtrirjen e tij aktuale globale në Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Vizitorët mund të shikojnë filma dhe të marrin pjesë në ekspozita interaktive moderne që sjellin në jetë historitë e viktimave dhe të të mbijetuarve, informohemi.

A do të këtë dhomë të Shqipërisë, një stendë për vuajtjen e saj të madhe nën diktaturën më të egër të Europës qiptarë, që e kanë ndjerë në lëkurë të tyre atë vuajtje, znj. Merita McCormack si dhe z. Cesar Ndreu me Haxhi Dautin, shqiptar nga Maqedonia, ndërkaq dhe donatorë të muzeut, tani qytetarë amerikanë ashtu si mijëra bashkatdhetarë tanët në SHBA, ku gjetën ëndrrën e tyre të lirisë dhe të mirëqenies, bashkë dhe me nga ata që ishin në anën tjetër, atë të persekutorëve. Kujtesa, aq sa na ndan, edhe na bashkon, muzeun mund ta vizitojmë së bashku dhe ta gjykojmë të kaluarën, ta dënojmë të keqen.

Për të kujtuar! – është shkruar dhe shqip në muze krahas gjuhëve të tjera, që vuajtën, se edhe gjuha vuan.

A do të këtë dhomë të Shqipërisë, stendë a një relike, pyes sërish?

Shtetet si Polonia apo Hungaria, kanë investuar në ngritjen e këtij muzeu, madje dhe me miliona dollarë, ndërsa ne, ish-të burgosurit shqiptarë nuk paguajmë dot, as nga dëmshpërblimi ynë, që nuk mjafton. Me vuajtjen tonë s’bëjmë tregti, por shoqëria shqiptare, shteti vetë duhet të kujdeset, që ta njohë bota vuajtjen dhe qëndresën e të burgosurve shqiptarë nën diktaturë, kundërshtitë dhe martirizimin e tyre, sepse dhe shqiptarët farkëtojnë bashkë me kujtesën e tyre dhe ndërgjegjen dhe përpjekjet për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Të përftohen vlerat e larta dhe aftësitë për t’u përballur me të kaluarën duke e njohur thellë dhe drejt atë, që të mos përsëritet, e thënë shpesh kjo.

Shqipëria të bëje muzeun e saj, burgjet e Spaçit, Qafë-Barit etj., se BunkArt 1 apo 2 apo “Shtëpia me gjethe” a ndonjë shtëpi tjetër në qendër nuk mjaftojnë, aq më tepër që ato tregojnë diktaturën, forcën e saj, por ende jo qëndresën dhe përballjen me të, qoftë dhe e një apartamenti të thjeshtë, ku fshehurazi dëgjonin “Zërin e Amerikës”. Dhe pastaj do të dinte të lidhej më mirë e më sinqerisht e të bëhej partner besimplotë me botën euroatlantike, do ta kuptonin e do ta pranonin krahëhapur, edhe nëse dhe në diplomacinë e saj do të kishte gjithnjë e më pak nga persekutorët e bijtë e tyre dhe të vinin gjithnjë e më shumë nga të persekutuarit e bijtë e tyre. Gjithsesi, Muzeu i Viktimave të Komunizmit në Washington DC na pret së bashku. Edhe Kujtesa e së Ardhmes. Ta ndërtojmë mirë të gjithë.