Shqipëria ka nevojë për liderë që largohen - Gazeta Express
string(42) "shqiperia-ka-nevoje-per-lidere-qe-largohen"

OP/ED

Gazeta Express

25/05/2026 13:53

Shqipëria ka nevojë për liderë që largohen

OP/ED

Gazeta Express

25/05/2026 13:53

Shkruan: Evarist Beqiri

Forca e liderit nuk matet me kohëzgjatjen e pushtetit, por me trashëgiminë që lë pas. Me këtë matës, historia shqiptare nuk del mirë. Nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu te Ismail Qemal Vlora. Nga Ahmet Zogu te Enver Hoxha dhe liderët e sotëm, Shqipëria ka prodhuar figura të forta, por rrallë institucione të forta. Çdo herë kur lideri largohet, sistemi tronditet. Çdo herë kur lideri vdes trashëgimia shembet. Dhe çdo herë, vendi fillon numërimin nga zeroja. Nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një model.

SËMUNDJA E VJETËR ME EMRA TË RINJ

Demokracia shqiptare ka mbi tridhjetë vjet. Por nëse heqim fasadën zgjedhore, gjejmë diçka shumë të njohur. Parti që janë zgjatim i një personi. Institucione që funksionojnë sipas humorit të kreut. Një opinion publik i mësuar të presë shpëtim nga lart, jo nga sistemi, por nga njeriu.

PS është Rama. PD është Berisha. Opozita e re ngjason me të vjetrën. Modeli nuk ndryshon. Ajo që ndryshojnë janë vetëm emrat.

Ky personalizim i pushtetit është një problem kulturor e strukturor. Vendimet merren mbi bazën e interesave personale, jo të interesit kombëtar. Institucione janë të dobëta dhe funksionojnë me urdhra nga lart.

Pasoja? Një brez i tërë që nuk beson më te shteti, por tek personi. U premtua me fjalë që i mori era, “ne do ti gjejmë punës njeriun, jo njeriut punën”.

Ndërkohë, ne sot nuk kemi thjesht një krizë politike. Ne vazhdojmë që të kemi një krizë standardi. Konflikti im nuk është personal me njerëzit. Konflikti është me standardin e ulët që po na mban peng.

Kur nuk ka standard, çdo pushtet degradon me kohën. Institucionet reflektojnë karakterin e liderit. Pa standard nuk ka shtet.

ÇFARË MODELI I DUHET SHQIPËRISË SOT?

Përgjigja nuk është një tjetër lider karizmatik. Nuk është një “Skënderbe i ri”, një “Ismail bej i ri” apo një “Atatürk shqiptar”. Historia ka treguar se këto figura, sado të ndritura, lënë një boshllëk pas vetes. Shqipërisë i duhet diçka shumë më e thjeshtë dhe shumë më e mërzitshme. I duhet një lidership institucional.

Konkretisht, duhen tre gjëra:

E para , na duhen liderë që ndërtojnë sisteme, jo kulte. Lidershipi i vërtetë modern nuk matet me sa ndjekës ke në Instagram apo Facebook, por sa më të forta sesa i gjete i le institucionet. A jep drejtësi gjykata? A funksionon si duhet administrata publike? Tregu? Shëndetësia? Ekonomia? Nëse po, ke qeverisur mirë. Nëse jo, ke qenë një drejtues, jo një lider.

E dyta, na duhen liderë që largohen në kohë. Kulturat e shëndetshme demokratike e trajton largimin nga pushteti si një akt fisnikërie, jo disfate.

Shqipëria ka nevojë për liderë që e kuptojnë se momenti më i fuqishëm i mandatit të tyre mund të jetë pikërisht dorëzimi i pushtetit me dinjitet. Me institucione funksionale, me pasues të aftë, jo me pushtet të grumbulluar që shpërthen kur ata ikin.

E treta, na duhen liderë të mesit, jo vetëm të majës. Jo thjesht presidenti, kryeministri, kreu i partisë. Ndryshimi i vërtetë ndodh me kryetarin e bashkisë që nuk vjedh, me drejtorin e spitalit që menaxhon mirë, me drejtuesit e rendit dhe sigurisë që nuk bashkëpunojnë me krimin, me mësuesin që frymëzon. Lidershipi i shpërndarë në të gjithë shoqërinë, është hallka që na mungon.

MUNDËSIA HISTORIKE E KËTIJ MOMENTI

Integrimi europian nuk është vetëm projekt ekonomik. Ndoshta për herë të parë në historinë tonë, kemi një mundësi për të ndërtuar legjitimitet institucional mbi një bazë të jashtme, të matshme dhe të pavarur nga personaliteti i liderit.

Standardet europiane mund të bëjnë atë që asnjë lider nuk po e bën. Të krijojnë rregulla që vazhdojnë edhe pasi lideri largohet. Por kjo mundësi mund të humbasë lehtë, nëse edhe integrimi europian kthehet në mjet personal të liderit të ditës dhe jo në një projekt kombëtar.

Sot në Europë po flitet për integrim pa anëtarësim të plotë ose integrim me disa shpejtësi. Europa po ndryshon mënyrën se si e mendon zgjerimin. Nuk po flitet më vetëm për anëtarësim klasik, por për integrim gradual. Treg, institucione, siguri, ekonomi.

Kjo është pasojë direkte e luftës në Ukrainë dhe rivalitetit gjeopolitik me Rusinë dhe Kinën. Pyetja është a do të hyjmë në Europë si shtet me institucione funksionale apo vetëm si nevojë gjeopolitike e Perëndimit? Dhe sa kohë rrezikojmë që të ngecim në këtë zonë gri?

Ndërkohë, zgjedhjet politike të vitit të ardhshëm në Francë, do të jenë vendimtare për vetë fatin e BE-së. Nëse në Francë fiton e djathta ekstreme, vetë e ardhmja e BE-së do të vihet në dyshim.

Epilog

Kombet e forta nuk dallohen nga madhësia, por nga kujtesa e tyre. Kujtesa ndërton shtet. Ismail Qemal Vlora i vuri vetes misionin që t’i jepte Shqipërisë një vend midis kombeve europiane. E arriti. Ai është i vetmi lider historik, i cili nuk tentoi që ta përdorte pushtetin për të sunduar shtetin që ai vetë themeloi. Ata që erdhën pas tij, e kanë përdorur pushtetin për të sunduar e dobësuar shtetin.

Sfida e gjeneratës sonë është e ndryshme. T’i japim Shqipërisë institucione që funksionojnë edhe kur nuk ka heronj. Sisteme që punojnë edhe kur nuk ka gjendje emergjence. Liderë që bëjnë punën e përditshme, pa drama dhe pa kult personaliteti.

Historia jonë është e mbushur me figura të forta. Sfida jonë është të ndërtojmë një shtet që është më i fortë se kulti individit. Shqipëria ka nevojë për një standard të ri lidershipi. Debati nuk është më çfarë nuk funksionon, por çfarë duhet ndërtuar. Historia na mëson se, shteti ndërtohet mbi karakter, jo retorikë…

Advertisement
Advertisement
Advertisement