“Pak pakt” solli komedinë tragjike të emigrimit, korrupsionit dhe krimit të organizuar - Gazeta Express
string(83) "pak-pakt-solli-komedine-tragjike-te-emigrimit-korrupsionit-dhe-krimit-te-organizuar"

Arte

Gazeta Express

30/01/2023 14:23

“Pak pakt” solli komedinë tragjike të emigrimit, korrupsionit dhe krimit të organizuar

Arte

Gazeta Express

30/01/2023 14:23

Në natën e fundit të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, u dha shfaqja “Pak pakt” nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me autor dhe regjisor Ledian Gjeçin, konstumografen Sofi Karan, skenografi të Beqo Nanajt, kompozitor Jetmir Mehmetin dhe aktorët pjesëmarrës: Ermir Hoxhaj, Xhuliano Brisku, Mehmet Xhelili, Ledjon Zoi, Erion Hinaj, Gëzim Rudi, Alba Shtëmbari dhe Margent Caushi.

Në sinopsisin e shfaqjes, regjistrohet ky përshkrim mbi përmbajtjen e shfaqjes “Pak pakt”: “Dy djem shqiptarë të arsimuar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, i ndalon dhe arreston policia në flagrancë, duke tentuar të iknin jashtë shtetit përmes migrimit të parregullt. Shpresa e tyre e vetme për një jetë më të mirë duket se po shkatërrohet totalisht, gjersa vjen dikush edhe iu ofron djemve një pakt me të cilin ata mund të dalin nga burgu dhe mund të përfitojnë direkt dokumentacionin e rregullt për lejeqëndrim në shtetin evropian, vetëm nëse deklarojnë publikisht sikur janë homoseksualë…”

Lexo Edhe:

Pas shfaqjes, koha ishte për debat dhe ashtu u bë. Josif Papagjoni si panelist i rregullt, pasi bëri një përmbledhje qëndrimesh kritike mbi të gjitha shfaqjet e festivalit, për “Pak pakt”, u shpreh: “Çdo shfaqje ishte me formatin e vet unik. Kur bëhet fjalë për shfaqjen e sotme, më ra ndërmend se, shoqëria goditet nga e keqja, korrupsioni, zvetënimi politik. Nuk e pashë brenda logjikës dramatike, vetëvrasjen, pasi nuk ishte vetëvrasja e personazhit, për ta rënduar më shumë komedinë. Personazhet duan të ikin. Vetëvrasja në fund është sforcim. Intriga sofistifikohet e sofistifikohet, që të fitojë versioni i mashtruesve si personazhe. Mund të ishin vetëm dy intriga, do të mjaftonin, që do ta binin një shkurtësi të tekstit. Mundësia e ngjeshjes, ishte e madhe, por nuk e pamë. Por aktrimi i ka dhënë hapësirë dhe peshë komedisë. E ka bërë më të perceptueshme” – u shpreh Papagjoni.

Kurse në rrafshin sociologjik, Trina Hoti, sociologe, theksoi: “Debati tashmë është konsumuar gjatë. Kisha përmendur këtu disa elemente: shfaqja skicon njëkohshëm mosfunksionimin e disa sistemeve si ai shëndetësor, i drejtësisë, pasojat e një arsimimi që nuk bën asgjë tutje pas diplomimit… Për shkak të një konteksti të lidhjes e varësisë me prindërit, aty është edhe drama, deri në vdekje e sakrificë. Mendoj se shfaqja e prek fuqinë e medies, dokumentimin me telefon dhe flet për dijen e konstruktuar e dijen objektive a neutrale, ku dija e mjekut të paaftë, por që e ka autoritetin si mjek, e të cilit i besojnë pacientët dhe përfundojnë tragjikisht. Kemi të tilla mirëmbajtje të dijeve, të një titulli, një mjek që abuzon me pushtetin e tij me arsyetimin e një titulli a diplome…”

Publiku i gjerë për shkak të temës së ndërlidhur ngushtësisht me emigrimin masiv të rinisë kosovare, më shumë e komentonin këtë nga pikëpamja e kodit tematik. “Shfaqja dha një alarm për emigrim…” – tha njëri nga pjesëmarrësit. “Fundi nuk është i motivuar aq tragjikisht” – u shpreh një tjetër. “Shfaqja ishte shumë e mirë dhe më ka pëlqyer më së shumti, e sidomos për mua si i ri, që ballafaqohemi si gjeneratë, me mungesë të shpresës për të jetuar këtu” – komentoi një tjetër. “Kishte humbje të ritmit. Pati rënie në ritëm. Po të ishte shfaqja më e krasitur, shfaqja do të ishte edhe më e fuqishme” – komentoi dikush tjetër nga publiku. Ndërsa kishte edhe komente të tipit sugjerues dhe rekomandues: “Nuk do të duhej fare të ishte vetëvrasja në fund. U prish komedia me atë vetëvrasje të panevojshme. Më shumë kishte komedi tragjike, sesa tragjedi. Nuk kishte nevojë që aq shumë situata të na tregonin se po bëhej një intrigë e madhe. Kishte përsëritje të panevojshme. Sidoqoftë, loja e aktorëve ishte e fuqishme, e sidomos e aktorit që e luante avokatin mashtrues.” Një tjetër nga publiku tha se, “kishim pasë nevojë që pas shumë dramave, festivali të përfundonte me një komedi.”

Në debat u përfshi edhe regjisori dhe autori i shfaqjes “Pak pakt”, Ledian Gjeçi. “Ndihem i nderuar të jem sonte përballë profesorit tim, Josif Papagjonit dhe profesorëve të tjerë. Besoj se produkti i mirë del nga një skuadër e mirë, jo nga një individ i vetëm. E kemi dhënë shfaqjen në disa qytete të Shqipërisë, në Malin e Zi, Maqedoni dhe tash në Kosovë. Kemi pasur vështirësi të mëdha. Kjo është tragjedi, e sjellë si komedi, sepse çdo popull e meriton të qeshet me fatin e vet dhe të del i tronditur nga kjo e qeshur. Me qëllim, e solla përmes komedisë, këtë tragjedi.”

Në mbrëmjen e kaluar, është mbyllur festivali “Talia e Flakës”. Festivali ka karakter garues, me 6 shfaqje nga tërë hapësira shqiptare dhe vendimi i jurisë së përbërë nga një regjisor, një regjisore dhe një përfaqësues nga publiku – i cili është një nga vizitorët më të shpeshtë të shfaqjeve në Teatrin e Gjilanit, do të shpallet në Gala Mbrëmjen më 31 janar, ora 17:00, në Planet Resort në Gjilan, ku do të ketë një listë me ftesa dhe do të ndahen çmimet për të gjithë sektorët e Flakës së Janarit, përfshirë edhe Talian e Flakës, pasi që secili sektor në kuadër të Flakës së Janarit, organizohet nga një organizatë joqeveritare me thirrje publike.

Festivali “Talia e Flakës” organizohet tradicionalisht në kuadër të “Flakës së Janarit”, sivjet edicioni i 32-të, me origjinë nga jeta paralele në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta të shekullit XX, shtypjes sistematike të drejtave të shqiptarëve nga regjimi serb dhe dëbimit nga institucionet kulturore, arsimore etj., dhe mbështetet nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Gjersa për shumë vjet, Talia e Flakës është organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Teatri i qytetit të Gjilanit, në vitet e fundit, organet përgjegjëse komunale, përmes thirrjes publike, i kanë ftuar organizatat joqeveritare e kulturore, që përmes aplikimit me projekt, të organizojnë festivalin. Në vitin e kaluar 2022 dhe gjatë këtij viti 2023, Talia e Flakës është organizuar nga Varg e Vi, duke angazhuar edhe vullnetarë të festivalit, nga Zëri Rinor – Gjilan dhe duke sjellë disa risi.