Një mjek nga Teksasi ka ngritur debat me pretendimin se modelja e “Mona Lisa”-s mund të ketë qenë mbipeshë dhe se përhapja e barnave për dobësim, të ngjashme me Ozempic, mund të ndikojë në mënyrën se si trupat më të mëdhenj paraqiten në artin bashkëkohor.
Dr. Michael Yafi, endokrinolog pediatrik në University of Texas Health Science Center në Houston, i prezantoi këto pikëpamje gjatë Kongresit Evropian për Obezitetin në Stamboll.
Sipas tij, gjatë historisë, mbipesha është parë shpesh si simbol i pasurisë, fuqisë dhe begatisë, duke frymëzuar vepra të rëndësishme arti. Ai tha se burrat me obezitet janë paraqitur si heronj, udhëheqës, mbretër dhe fisnikë, ndërsa gratë me trup më të plotë janë konsideruar simbole të bukurisë, fertilitetit dhe prosperitetit.
Si shembull, Yafi përmendi “Venusin e Willendorf-it”, një statujë rreth 30 mijë vjet e vjetër, që paraqet një figurë femërore me bark, gjoks dhe ije të theksuara. Ai iu referua gjithashtu përshkrimeve të lashta greke të Plutos, zotit të pasurisë, i cili shpesh paraqitej me trup të shëndoshë.
Mjeku përmendi edhe Perandorinë Osmane, duke thënë se 29 nga 36 sulltanët osmanë, që jetuan mes viteve 1258 dhe 1929, janë paraqitur ose raportuar si mbipeshë.
Një tjetër shembull i sjellë prej tij ishte “Mona Lisa”. Sipas Yafi-t, Lisa Gherardini, gruaja fisnike italiane që besohet se ka shërbyer si modele për portretin e Leonardo da Vincit, mund të ketë qenë mbipeshë, ndër të tjera edhe për shkak të katër shtatzënive.

Ai argumentoi se mjekët duhet të studiojnë mënyrën se si obeziteti është paraqitur historikisht në art, për të kuptuar më mirë perceptimet shoqërore të trupit dhe për të qenë më empatikë ndaj pacientëve.
“Nëse mjekët shohin se obeziteti për shekuj është parë si diçka pozitive, kjo mund t’i ndihmojë të jenë më pak gjykues dhe më të ndjeshëm”, u shpreh ai.
Yafi paralajmëroi gjithashtu se rritja e shpejtë e përdorimit të barnave GLP-1 për humbje peshe, si Ozempic, mund të ndikojë në uljen e përfaqësimit të personave mbipeshë në artin bashkëkohor dhe të së ardhmes.
Sipas tij, këto barna kanë sjellë edhe një fenomen të ri estetik, të quajtur shpesh “fytyra GLP-1”, që i referohet pamjes më të dobësuar dhe të zbehtë të fytyrës pas humbjes së madhe në peshë.
“Jam i sigurt se, po të ishte gjallë sot, Picasso do ta kishte pikturuar këtë pamje”, tha ai.
Përdorimi i barnave GLP-1 është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas një sondazhi të Gallup me 15 mijë të rritur në SHBA, 12.4 për qind e tyre raportuan se kishin përdorur barna për humbje peshe në mesin e vitit 2025, krahasuar me 5.8 për qind në shkurt 2024.
Kjo prirje pritet të vazhdojë, ndërsa kompanitë farmaceutike po investojnë në kërkime, përmirësim dhe promovim të këtyre barnave, të cilat po studiohen edhe për përdorime të tjera, përfshirë trajtimin e varësive.
Yafi tha se stigmatizimi i obezitetit në art dhe media u bë më i dukshëm në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur nisën të glorifikoheshin imazhet e trupave të dobët, shpesh në mënyrë jorealiste.
“S papritur, njerëzit e dobët u konsideruan të bukur, ndërsa gratë që kishin frymëzuar artistët për shekuj me radhë nuk shiheshin më si tërheqëse”, u shpreh ai.
Sipas mjekut, nëse përdorimi i barnave GLP-1 vazhdon të përhapet me ritme të larta dhe më shumë njerëz humbin peshë, stigma ndaj obezitetit mund të thellohet edhe më shumë. /GazetaExpress/