Personat që jetojnë me tension të lartë të gjakut, një gjendje që shpesh cilësohet si “vrasës i heshtur”, mund ta përmirësojnë shëndetin përmes disa formave të ushtrimeve fizike.
Hipertensioni shpesh nuk shfaq simptoma, ndaj shumë njerëz nuk e kuptojnë se e kanë këtë problem deri në momentin kur shfaqen komplikime. Sipas ekspertëve, aktiviteti fizik luan një rol të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut dhe në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Një studim i publikuar në British Journal of Sports Medicine ka analizuar të dhënat e 31 studimeve mbi tensionin e lartë dhe ushtrimet fizike. Në këto studime morën pjesë 1,345 persona me hipertension.
Studiuesit zbuluan se ushtrimet aerobike, si ecja e shpejtë, vrapimi i lehtë, çiklizmi apo noti, lidhen me ulje të qëndrueshme të tensionit të gjakut gjatë një periudhe 24-orëshe.
Për herë të parë, studimi tregoi gjithashtu se edhe stërvitja e kombinuar dhe ushtrimet me intervale me intensitet të lartë, të njohura si HIIT, mund të ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut.
Sipas autorëve, tre format e aktivitetit fizik që treguan përfitimet më të qëndrueshme janë:
Ushtrimet aerobike
Këtu përfshihen ecja e shpejtë, vrapimi, çiklizmi dhe noti. Këto aktivitete ndihmojnë zemrën dhe qarkullimin e gjakut, duke kontribuar në uljen e tensionit.
Stërvitja e kombinuar
Kjo përfshin kombinimin e ushtrimeve aerobike me ushtrime force, si pesha të lehta, ushtrime me peshën e trupit ose rezistencë. Sipas studimit, kjo formë stërvitjeje mund të ndikojë pozitivisht në tensionin e gjakut gjatë gjithë ditës.
Stërvitja me intervale me intensitet të lartë përfshin periudha të shkurtra ushtrimesh intensive, të ndara nga pushime ose ushtrime më të lehta. Edhe kjo metodë rezultoi premtuese për uljen e tensionit të gjakut.
Megjithatë, studiuesit theksuan se provat për ndikimin e jogës, pilatesit dhe sporteve rekreative mbeten ende të kufizuara dhe jo mjaftueshëm të sakta. Ata kërkojnë më shumë hulumtime për të kuptuar më mirë efektin e këtyre aktiviteteve te personat me tension të lartë.
Regina Giblin, infermiere e lartë kardiake në British Heart Foundation, tha se aktiviteti i rregullt fizik mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare deri në një të tretën. Sipas saj, aktivitetet aerobike, si ecja e shpejtë, mbeten veçanërisht efektive për uljen e tensionit.
“Këto gjetje që lidhin stërvitjen e kombinuar dhe HIIT me ulje të ndjeshme të tensionit të gjakut gjatë 24 orëve janë inkurajuese dhe forcojnë rolin e rëndësishëm që aktiviteti fizik ka në menaxhimin e hipertensionit”, u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se nevojiten më shumë studime për të kuptuar më qartë se si krahasohen llojet e ndryshme të ushtrimeve. Rekomandimi i përgjithshëm është që të kryhen të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar çdo javë, ndërsa më e rëndësishmja është zgjedhja e një aktiviteti që personi e pëlqen dhe mund ta vazhdojë rregullisht.
Edhe Juliet Bouverie, drejtuese e Stroke Association, theksoi rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të tensionit të gjakut.
“Tensioni i lartë kontribuon në rreth 50% të goditjeve në tru, por ai mund të kontrollohet. E kemi ditur prej kohësh se ushtrimet ndihmojnë në uljen e rrezikut për goditje të parë ose të përsëritur në tru, ndaj e mirëpresim këtë studim që tregon rolin e rëndësishëm të aktivitetit fizik në uljen e hipertensionit”, tha ajo.
Tensioni konsiderohet i lartë kur matja nga një profesionist shëndetësor rezulton 140/90 mmHg ose më shumë. Kur tensioni është shumë i lartë, ai ushtron presion shtesë mbi enët e gjakut, zemrën dhe organet e tjera, përfshirë trurin, veshkat dhe sytë.
Nëse nuk trajtohet, hipertensioni mund të rrisë rrezikun për sëmundje të zemrës, infarkt, goditje në tru, insuficiencë kardiake, sëmundje të veshkave dhe demencë vaskulare. Edhe ulja e vogël e tensionit mund të ndihmojë në reduktimin e këtyre rreziqeve.
“Hipertensioni prek një në tre të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, por shumë njerëz nuk e dinë se e kanë, pasi shpesh nuk ka simptoma. Kontrolli i rregullt i tensionit dhe aktiviteti fizik janë thelbësore për uljen e rrezikut”, tha Giblin. /GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...