NASA ka shpallur zyrtarisht të parikuperueshme një nga sondat e saj pranë Marsit, pasi ajo humbi kontaktin pas vëzhgimeve të objektit ndëryjor 3I/ATLAS.
Agjencia amerikane e hapësirës njoftoi se anija kozmike MAVEN nuk po kryente më funksione shkencore dhe nuk po dërgonte të dhëna drejt Tokës, disa muaj pasi nisi të rrotullohej në mënyrë të pazakontë gjatë orbitimit rreth Marsit.
Sipas NASA-s, sinjali i fundit nga sonda u regjistrua më 6 dhjetor, pasi ajo kaloi pas Planetit të Kuq. Bordi i rishikimit ka arritur në përfundimin se MAVEN nuk mund të rikthehet më në funksion.
MAVEN kishte qenë në orbitën e Marsit që nga viti 2014 dhe kishte shërbyer edhe si lidhje komunikimi për roverët që eksplorojnë sipërfaqen marsiane. Problemet nisën pas vëzhgimeve të objektit 3I/ATLAS, të cilin NASA e ka klasifikuar si kometë.
Në tetor, sonda ishte rreth 18 milionë milje larg objektit kur realizoi disa fotografi gjatë kalimit të tij pranë Marsit. Imazhet u kritikuan gjerësisht për cilësinë e dobët, ndërsa në rrjet u shtuan spekulimet për natyrën e objektit.
NASA ende nuk ka dhënë një shpjegim për shkakun që bëri sondën 583 milionë dollarëshe të rrotullohej me shpejtësi të madhe. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të ketë shkaktuar shkarkimin e baterive dhe ndërprerjen e sistemit të komunikimit.
Agjencia theksoi se hetimet paraprake nuk kanë përcaktuar ende shkakun kryesor të anomalive teknike.
Edhe pse MAVEN kishte pasur më parë probleme të vogla teknike, kjo ishte hera e parë në më shumë se një dekadë që një defekt e nxori plotësisht jashtë funksionit dhe ndikoi në orbitën e saj.
Pas humbjes së kontaktit, në rrjetet sociale u përhapën teori se ndërprerja e komunikimit mund të kishte lidhje me kalimin e 3I/ATLAS pranë Tokës. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që problemet e sondës të jenë shkaktuar nga objekti ndëryjor.
NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës kanë deklaruar se 3I/ATLAS është një kometë e rrallë me përbërje kimike të pazakontë, e cila po kalonte rastësisht përmes sistemit tonë diellor. Sipas tyre, nuk ka shenja jete apo teknologjie në këtë objekt.
Megjithatë, profesori i Harvardit, Avi Loeb, ka vazhduar të ngrejë pikëpyetje rreth disa anomalive të 3I/ATLAS, duke mos e përjashtuar plotësisht mundësinë që objekti të ketë origjinë jo natyrore.
Loeb ka theksuar se objekti ka lëshuar sasi të pazakonta metani, një gaz që në atmosferat e ekzoplanetëve konsiderohet si një nga shenjat e mundshme biologjike. Ai ka sugjeruar gjithashtu se copa akulli dhe pluhuri të shkëputura nga objekti mund të kenë bartur forma mikroskopike jete, një teori e njohur si panspermia.
Pavarësisht debatit rreth 3I/ATLAS, NASA vlerësoi misionin e MAVEN si një sukses të rëndësishëm shkencor. Detyra kryesore e sondës ishte të studionte mënyrën se si Marsi po humb atmosferën e tij të hollë në hapësirë.
Të dhënat e mbledhura nga MAVEN treguan se era diellore dhe stuhitë diellore largojnë gazrat nga atmosfera e Marsit më shpejt nga sa mendohej më parë.
Shannon Curry, hetuesja kryesore e misionit MAVEN, tha se ky mision ka avancuar ndjeshëm kuptimin e atmosferës dhe evolucionit të Marsit. Ndërsa Louise Prockter nga NASA shtoi se të dhënat e mbledhura do të vazhdojnë të ofrojnë njohuri të vlefshme për Planetin e Kuq për shumë vite. /GazetaExpress/