Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka reaguar pasi edhe zyrtarisht do të luajë në barazhin e këtij sezoni në Superligën e Kosovës.
Batatina ka thënë se Llapi nuk dorëzohet kurrë dhe do t’i kalojnë të gjitha sfidat, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“FORCA DJEMA! Vijmë nga qyteti i rezistencës dhe i besës. Do t’i thyejmë të gjitha barrierat që kemi përpara, sepse jemi treva e besës dhe e fjalës. Gjithmonë si trevë e Llapit kemi qenë të sfiduar, por nga Llapi ka filluar rezistenca dhe çlirimi. Nga Llapi ka nisur edhe etapa e futbollit kosovar — dhe aty do të mbetet. Betejat janë për t’u luftuar, por lufta është për t’u fituar. LLAPI NUK DORËZOHET KURRË”, ka thënë ai në “Facebook”.
Ky është sezoni i dytë rresht që Llapi do të luajë në barazh.
Skuadra e Batatinës do të përballet me Dinamon e Ferizajt në finalen e barazhit, më 7 qershor.
Llapi e përfundoi sezonin i teti në Superligën e Kosovës, me 49 pikë, derisa Dinamo erdhi në këtë finale, pasi e mposhti Lirinë në gjysmëfinale të barazhit, me shifrat prej 2-0.
Sezonin e kaluar, Batatina e Llapi e mposhtën Vushtrrinë në finale të barazhit, me anë të penalltive./GazetaExpress/