Në mes të shumë diskutimeve për transferime të shtrenjta, Barcelona i ka ofruar një kontratë të përmirësuar një prej blerjeve të saj të mëparshme kryesore.
Gjatë dy verave të fundit, klubi katalanas ka shpenzuar shuma të mëdha vetëm për dy lojtarë, Dani Olmo dhe Joan Garcia, ndërsa i pari tashmë është shpërblyer me rritje page.
Dani Olmo u transferua te Barcelona në vitin 2024 për 55 milionë euro nga RB Leipzigu, pas një tentative të pasuksesshme për të sjellë Nico Williamsin.
Fillimisht, reprezentuesi i Spanjës u regjistrua duke u bazuar në rregullin emergjent të dëmtimeve, por kur ai skadoi, klubi katalanas u detyrua të sigurojë një vendim gjykate për ta mbajtur të regjistruar gjatë gjysmës së dytë të sezonit.
Sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona tani ka përmirësuar kushtet e kontratës së Olmos.
Ai kishte pranuar më parë oferta më të mëdha nga klube të tjera, por zgjodhi një pagë më të ulët për të ndihmuar klubin të përshtatet me kufizimet financiare dhe rregullat e pagave.
Marrëveshja parashikonte që pas dy sezonesh, klubi do të aktivizonte një klauzolë për rritje page si kompensim për sakrificat e bëra nga lojtari, i cili ka kontratë deri në vitin 2030.
Qëndrimi i tij në “Camp Nou” nuk ka qenë i lehtë. I ndikuar nga disa lëndime të lehta në sezonin e parë dhe mungesë konsistence në të dytin, Olmo ka pasur konkurrencë të fortë për rolin e numrit 10, sidomos nga Fermín López.
Me ardhjen e Anthony Gordonit, i cili mund të luajë edhe në krahun e majtë, trajneri Hansi Flick mund të eksperimentojë me Raphinhan në atë pozicion, gjë që do ta bënte më të vështirë për Olmon të ruajë vendin titullar në sezonin e ardhshëm./GazetaExpress/