Ku dallon fushata e Ramës dhe e Bashës - Gazeta Express
string(38) "ku-dallon-fushata-e-rames-dhe-e-bashes"

Shqiperi

Gazeta Express

15/04/2021 15:20

Ku dallon fushata e Ramës dhe e Bashës

Shqiperi

Gazeta Express

15/04/2021 15:20

Prej 25 marsit, në Shqipëri po zhvillohet zyrtarisht fushata e elektorale për zgjedhjet parlamentare që priten pas dhjetë ditësh.

Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit po shoqërohet me elemente të ndryshme për secilin nga kampet politike.

Lexo Edhe:

Deri tani, fushata është konsideruar e qetë, me përjashtim të disa incidenteve në ditët e para, për shkak edhe të efektit të masave anti-covid.

Ajo që dallon dy kampet kryesore politike, PS dhe PD është se kryedemokrati Lulzim Basha është fokusuar në një fushatë më masive, kurse kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama me takime më të organizuara.

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, pohon për Monitor se opozita ka zgjedhur një formë më klasike dhe më të personalizuar, me takime derë më derë, ndërsa kampi qeveritar ka anuar më shumë kah platformave mediatike, rrethuar me ekrane në vend të njerëzve.

Në aspektin e gjuhës vërehet se, për herë të parë, mund të themi që nuk ka një gjuhë të vetme apo një lloj gjuhe uniforme të të bërit fushatë, nga ana e të gjitha palëve në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri. Në kanalet e komunikimit, Budini nënvizon se Basha zgjodhi një element amerikan, siç ishte ai i publikimit të një libri, që i drejtohet arsyes dhe reflektimit, kurse kryeministri Rama ka preferuar natyrën më teatrale të përcjelljes së mesazheve.

Në dallim prej fushatës virtuale të kampit qeveritar dhe pavarësisht kufizimeve për shkak të pandemisë, fushata e Partisë Demokratike, ka nisur në format më klasik, të personalizuar, ku dominojnë takimet derë më derë. Këtij turi njerëzor të liderit të Partisë Demokratike, kryeministri i është përgjigjur me një format të divulguar virtual të tipit “one man show” në një platformë krejtësisht mediatike, rrethuar me ekrane në vend të njerëzve”, thotë Budini.

Sipas analistit Neritan Sejamimi në Euronews, prezantimi i programit, ku Basha ka pasur rol qendror, i ka dhënë një dimension më të pëlqyeshëm kryedemokratit.

Mund të them se rezultati është triumf i fushatës së qetë dhe pozitive të z Basha.

Fushata e qetë, mund ta gjykosh programin nga çdo këndvështrim, por programi është i pëlqyeshëm, tregon se si udhëheqësi i PD ka një plan konkret dhe kjo është pëlqyer nga publiku. Fushata, programi, qasja që është ndjekur ka dhënë rezultate pozitive”, tha Sejamini.

Edhe analisti Arjan Vasjari u shpreh pak ditë më parë në ‘’Real Story’’ se Basha bën fushatë normale ndërkohë ka rezerva për kryeministrin Rama.

Ai krahason Ramën me Berishën sa i përket kësaj fushate duke theksuar negativizimin, poshtërimin dhe fyerjen që kryeministri aktual i bën figurave të opozitës.

Basha po bën fushatë normale. Ka hiperbolat, patetizmin, ngjyrat e entuziazmit që duhet ta ketë çdo parti opozitare. Po bën fushatë normale, në komunikim, e mesazhe.

Ndërkohë që përballë z.Rama po bën një fushatë e cila në fakt në sytë e mi është zoti Rama po bën Berishën e vitit 2021, po shumë e sfumuar.

Mungon regjistri i agresivitetit, sulmit, por mbështetet mbi negativizimin, poshtërimin, fyerjen.

Dhe kjo në fakt në analizën time përligj atë, kemi përballë një që ka gjithë pushtetet, dhe tjetri që nuk ka asgjë.

S’mund ta luftosh me armët e pushtetit, duhet ta luftosh me personalitetin e tij, kloun. Kjo nuk është fushatë në perceptimin tim që konvertohet në mbështetje të Ramës.

Rruan një nivel mbështetje, por e shoh nga kontaktet që kam. Nuk gjej dikë, si të dukët fushatë e Ramës, nuk më duket e mirë më kanë thënë. Vetëm negativizëm, fyerje. Mund të korrektohet”, tha Vasjari.

Një tjetër analist, Robert Rakipllari tha në ‘Zonë e lirë’ se fushata e Bashës ka risi nga pikëpamja e komunikimit, kurse ajo e Ramës, është e  fokusuar më shumë në sulmin ndaj kreut të opozitës.

Risi nga pikëpamja e komunikimit është fushata e Bashës, është një lloj befasie se Basha nuk po e sulmon Ramën. Ai po synon një fushatë normale, të dali një lider normal. Ndërkohë që prisnim ne që lideri i opozitës të sulmonte kreun e qeverisë, ai ka zgjedhur një taktikë të propozimeve, të pozitivitetit.

Ndërkohë, Rama ka fushatën e të goditurit, sulmin ndaj kreut të opozitës. Konkretisht duke e quajtur atë si ‘Gjinoja që është në dorën e Saliut’. E vështirë të thuhet kush fiton se Rama nuk ka rrugë tjetër, është i detyruar të thotë unë jam më i mirë se ata që vijnë.

Ai sulmon ato që mendon se janë pikat më të dobëta të kundërshtarit. Nga sondazhet del që janë diku te 20% ose më tepër, janë persona të pavendosur. Është e vështirë të përcaktohet nga shkon kjo ana, por pse këta janë të pavendosur?

Janë në presion, janë në vende pune, janë në administratë? Nëse këta do shkojnë të votojnë, përgjithësisht janë të prirur të votojnë për opozitën dhe fiton opozita”, tha Robert Rakipllari.

Pikat kryesore në programe

PD e drejtuar nga Lulzim Basha duket se si pikë të fortë ka anëtarësimin në BE. Ai premton në çdo dalje elektorale se me Bashën kryeministër, vendi do të antarësohet në BE që në vitin e parë qeverisës.

Këtë premtim e lidh me faktin se kur ishte ministër i Jashtëm, Shqipëria liberalizoi vizat dhe u anëtarësua në NATO.       

Pika të tjera të forta janë ekonomia, si taksa e sheshtë 9%, rritja e rrogave dhe pensioneve e ndihmave ekonomike e sociale, të rinjve u premton shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë dhe 5 gjuhë të huaja falas etj.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama thekson se kërkon një mandat të tretë për shkak se dy vitet e fundit nuk ka mundur të përmbushë objektivat për shkak të dy fatkeqësive natyrore me të cilat u përball Shqipëria, si tërmeti dhe pandemia.

Madje, këto dy fenomene, Rama i ‘shet’ edhe si suksese, madje shkon deri aty sa sipas tij, kush e di ç’do të ndodhte nëse Shqipëria nuk do kishte Ramën kryeministër.

Rama po ashtu, premton ndërtimin e 4 porteve dhe aeroporteve në vend, Shqipërinë kampione të turizmit, 24 orë ujë të pijshëm etj.