Akuzat e Bardhit për Olsi Ramën, kryeministri: Asnjë kallëzim në SPAK, histori për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve - Gazeta Express
string(122) "akuzat-e-bardhit-per-olsi-ramen-kryeministri-asnje-kallezim-ne-spak-histori-per-te-sulmuar-shqiperine-me-duart-e-te-huajve"

Shqiperi

Gazeta Express

25/04/2024 21:01

Akuzat e Bardhit për Olsi Ramën, kryeministri: Asnjë kallëzim në SPAK, histori për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve

Shqiperi

Gazeta Express

25/04/2024 21:01

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pasi SPAK tha se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës për përfshirje në trafik droge, ashtu siç ai pretendonte nëpër televizione.

Kryeministri u shpreh se “kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore”.

Lexo Edhe:

Më poshtë reagimi i kryeministrit Rama: 

““Kam bërë kallëzim” po kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore!

Hajde hajde ç’vete!

Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallëzimit të pakallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!

S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës!

Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë.”

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke iu përgjigjur në rrjetet sociale qëndrimit të kryeministrit, shprehet se, “nëse Edi Rama do të kuptonte nga ligji, Shqipëria do të ishte një vend më i mirë, dhe nuk do të ishte në krye të listës së vendeve me korrupsion madhor të përhapur në çdo sektor apo me lidhje të forta me krimin e organizuar”.

“Për zhurmën e ditës, do ta kuptojë shumë shpejt Edi Rama, nëse kam bërë apo jo kallëzim në SPAK për vëllain e tij që ka përdorur të njëjtën makinë me kartelin e drogës. Dallimin ligjor të informacionit/kallëzimit që kam dërguar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me kallëzimin e ri që regjistrohet në regjistrin e veprave penale në kuptimin penal të fjalës”, tha Bardhi.

“Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston”, nënvizon Bardhi.