Krahasimi/ Përgjimet e mafiozëve dhe raportet ndërkombëtare për pastrimin e parave në Shqipëri - Gazeta Express
string(93) "krahasimi-pergjimet-e-mafiozeve-dhe-raportet-nderkombetare-per-pastrimin-e-parave-ne-shqiperi"

Shqiperi

Gazeta Express

26/01/2021 12:46

Krahasimi/ Përgjimet e mafiozëve dhe raportet ndërkombëtare për pastrimin e parave në Shqipëri

Shqiperi

Gazeta Express

26/01/2021 12:46

Bisedat e përgjuara të italianëve të lidhur me organizatën mafioze Ndrangheta po relativizohen si fjalë boshe, shpikje apo çudira të disa mashtruesve ordinerë, të cilët kanë pasur halucinacione për investimet që mund të kryenin në vendin tonë. Rasti më i konkret i tentativës për ta minimizuar skandalin, janë deklaratat e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Velija, i atakuar direkt për kontaktet me këta persona. Velija i quajti “çudira” dhe “dëshira” bisedat e mafiozëve, pasi sipas tij, investimet nuk kanë ndodhur, ndërsa “dëshirat” nuk mund të ndalohen.

Përtej faktit se ka një investigim, që ka zgjatur disa vite nga prokurorët e Antimafias, përtej faktit që hetimet konkluduan me arrestimin e 50 personave të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, për të kuptuar sa serioze qenë planet e Ndrangheta-s për të pastruar paratë në Shqipëri, ia vlen të bëhet një krahasim me disa zëra të besueshëm të kësaj teme, siç janë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raporti i Moneyval, përkundrejt përgjimeve të Antimafias.

Lexo Edhe:

Çfarë thotë Departamenti Amerikan i Shtetit për pastrimin e parave në Shqipëri

Në raportin e vitit 2017 për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve, SHBA e futi Shqipërinë në listën e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave në botë. Që atëherë vendi nuk ka dalë nga kjo listë.

Në raportin më të fundit, atë të vitit 2020, terreni për pastrimin e parave në vendin tonë përshkruhet në këtë formë: “Qeveria shqiptare bëri pak progress në parandalimin e pastrimit të parave dhe të krimit ekonomik gjatë vitit 2019. Shqipëria mbetet vulnerabël përkundrejt fenomenit të pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta”

Për më tepër, raporti i DASH, vazhdon: Trafiku i narkotikëve dhe marrëveshjet e paligjshme të biznesit të bandave të krimit të organizuar janë burimet kryesore të parave të pista. Afërsia e Shqipërisë me Europën dhe zgjerimi i krimit të organizuar shqiptar në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut e bëjnë atë të dobët përballë pastrimit të parave. Investimi në pasuri të patundshme dhe marrëveshjet zhvilluese të biznesit janë disa nga mënyrat më të përhapura të fshehjes së produkteve të pista.

Çfarë raportoi Moneyval për pastrimin e parave

Mekanizmi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave e futi Shqipërinë në vitin 2018 në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave (raporti i klasifikon vendet me potencial të lartë të pastrimit të parave në listë të zezë dhe gri).

Vendi i nënshtrohet një monitorimi të zgjeruar nga ana e Moneyval për shkak të dobësive që u konstatuan ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit. Në raportin e vitit 2018 thuhej se “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale”. Raporti thekson se të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare. Ndërtimi ishte sektori më me risk për pastrimin e parave, sipas raportit që u publikua në dhjetor 2018.

Si e përshkruajnë Shqipërinë italianët e Ndrangheta

Përtej gjuhës zyrtare të hartuar nga ekspertët e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe funksionarët e Moneyval, përshkrimi i italianëve të Ndrangheta-s për vendin tonë është ai i një panorame të ngjashme me ato që përshkruajnë institucionet ndërkombëtare.

“Rrjeti i krimit të organizuar” që përmend DASH, është Ndrangheta, “pasuritë e patundshme” janë kullat në qendër të Tiranës, ndërsa marrëveshjet me bizneset, janë ato të furnizimit me cemento apo lëndë ndërtimi për rrugët.

Në bisedat e përgjuara, Antonio Gallo dhe miqtë e tij e përshkruajnë Shqipërinë si Kalabria e viteve 60. Mjafton të kesh lidhje me vetëm një ministër, thonë ato, për të përfituar tendera. Gallo dhe bashkëpuntorët e tij flasin edhe për mundësitë që u jepet në investimet në kullat shumëkatëshe, në tendera etj. Duke folur për situatën në Tiranë, Antonio Galo u shpjegon bashkëpuntorëve të tij që në Tiranë ka një problem “janë disa sipërmarrës të fuqishëm që kanë licencë për të ndërtuar grataçela në qëndër… e banka nuk i financon më…. e nuk kanë të gjithë likuiditetin për të ndërtuar e kërkojnë ortakë për të bërë këtë operacion”.

Gallo më tej në një bisedë tjetër e krahason vendin tonë me Kalabrinë e viteve ’60, periudhë që përkon me lulëzimin e klaneve mafioze atje për shkak të problemeve me korrupsionin e pushtetarëve. “Në Shqipëri funksionon si Kalabria e viteve ’60, po gjete kanalin e duhur bën para, ndryshe rrezikon ta fusin e atje ta fusin të gjithë. Atje nuk ka drejtësi e kur i hedh në gjyq… sidoqoftë duhet të kesh kujdes dhe duhen verifikuar kontaktet që ata kanë, nëse janë të vërteta o jo”.