Kosovë-Ukrainë : Dallimet dhe ngjashmëritë e një lufte - Gazeta Express
string(52) "kosove-ukraine-dallimet-dhe-ngjashmerite-e-nje-lufte"

Intervista

Gazeta Express

05/07/2022 18:22

Kosovë-Ukrainë : Dallimet dhe ngjashmëritë e një lufte

Intervista

Gazeta Express

05/07/2022 18:22

Intervistoi : Belgzim Kamberi

– Lufta në Ukrainë ka rikthyer diskutimet mbi paralelet e mundshme midis Ukrainës dhe Kosovës. Cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet?

Visar Ymeri: Janë disa dallime thelbësore. Së pari intervenimi i NATO-s në Kosovë erdhi pas një lufte çlirimtare të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Deri te kjo luftë erdhëm pas një periudhe të gjatë të shtypjes e segregimit që i ndodhte shqiptarëve në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit. Të gjitha shqiptarët ishin të përjashtuar nga secili aktivitet publik, nga puna në ndërmarrjet shoqërore, nga administrata shtetërore, nga shkollat dhe Universiteti, etj. Ndërkohë që shtypej edhe fjala e lirë, shqiptarët shtrengoheshin të iknin nga Kosova për të mbijetuar. Gjatë luftës ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë u angazhuan në një fushatë vrasjesh e masakrash, që rezultuan në afërsisht 10 mijë viktima civile, dhe dëbimin e afërsisht 1 million shqiptarëve të Kosovës, duke shkaktuar kështu një katastrofë humanitare. Kjo e tërhoqi vëmendjen e botës demokratike dhe ndërhyrjen e Nato-s, ndërhyrje kjo që e solli çlirimin e Kosovës nga Serbia. Një veprim i tillë nuk është ndërmarrë nga Ukraina. Nuk ka raportime për përndjekje masive të popullatës ruso folëse në Ukrainë. Kosova ishte njësi federative në Jugosllavi, ndërkohë që as Donbasi, as Krimea e Donesku nuk kanë qenë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vendimin e vet për Kosovën, pavarësimin e kësaj të fundit e sheh si rast që lind nga shpërbërja e Jugosllavisë e jo si rast secesioni nga Serbia. Gjatë tërë kohës deri në intervenimin ushtarak kishte ndërhyrje diplomatike për t’i dhënë zgjidhje politike problemit në Kosovë. Tentimi i fundit ishte Konferenca e Rambujesë, e cila rezultoi me refuzimin e Serbisë për zgjidhje politike. Serbia nuk pranonte asnjë zgjidhje që do t’u garantonte shqiptarëve barazi si qytetarë në Jugosllavinë e mbetur. Ndërkohë që në Ukrainë Rusia, me Putinin ne pushtet, asnjëherë nuk i dha shansë zgjidhje politike. Madje kishte ndërhyrje të vazhdueshme për të garantuar qeverisje proruse në Ukrainë.  Rusia, sipas udhëheqësit të saj, vë në diskutim vet ekzistencën e Ukrainës si shtet dhe si komb. Nato-ja, e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk e kanë vënë kurrë në diskutim një çështje të tillë, pra të mohimit të së drejtës për ekzistencë Serbisë. Madje në asnjë moment, bombardimet e Nato-s nuk kishin për qëllim okupimin e Serbisë e as kërkesë për ndryshimin e regjimit atje. Lufta kishte vetëm një qëllim : të ndaleshin sulmet ndaj popullatës civile në Kosovë, të krijohej hapësira për kthim dhe jetesë për refugjatët e dëbuar nga Kosova dhe t’i hapej rrugë e të krijohej mundësia e bisedimeve për zgjidhje politike të çështjes.

– Që nga pushtimi rus i Ukrainës, institucionet e Kosovës kanë përkrahur « integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës ». Ndryshe nga çështja e sanksioneve ndaj Rusisë, në këtë pikë, Kosova është në të njëjtin qëndrim me Serbinë. Ky qëndrim i njëjtë nga Kosova dhe Serbia lidhur me integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës nuk kuptohet shpeshherë nga vrojtuesit e jashtëm. A mund ta shpjegoni ç’nënkupton ky qëndrim i Kosovës?  

V.Y: Qëndrimi i Serbisë është formalist: pra, ka një kuptim formal të së drejtës sovrane dhe integritetit mbi territorin për ta mirëmbajtur kështu qëndrimin e vet karshi pavarësisë së Kosovës. Përmes këtij qëndrimi Serbia do ta vë në pikëpytje dhe ta sulmojë intervenimin e Nato-s më 1999. Por këtu nuk merr parasysh fare rrethanat të cilat sollën deri të ky intervenim. Ndërkohë që qëndrimi i Kosovës karshi sovranitetit të Ukrainës lidhet me rrethanat gjeopolitike dhe parimet universale të së drejtës së popujve për t’u organizuar në formacione shtetërore. Edhe këtu është e rëndësishme të mbahet parasysh se krimet kundër njerëzimit janë filluar nga Serbia, ndërkohë që në rastin e Ukrainës ato janë filluar nga Rusia.

– Që nga pushtimi rus i Krimesë, Presidenti Putin ka ngritur vazhdimisht paralele midis rajonave separatiste ukrainase dhe Kosovës, duke deklaruar se “përderisa Kosova mori sovranitetin nga Parlamenti, për Krimenë dhe Sevastopolin vendimi u mor me referendum popullor”.  Ky qëndrim i njeriut të fortë të Kremlinit është trajtuar si “thikë pas shpine” nga pushteti në Serbi për shkak se është komentuar si pranim de facto i të drejtës së Kosovës për pavarësi nga Beogradi. Ky argument është kundështuar unanimisht në Kosovë. A mund t’i shpjegoni arsyet pse Kosova zyrtare nuk përkrah këto argumente për pavarësim dhe sovranizim, veçanërisht duke pasur parasysh se pushtetin absolut në Kosovë e ushtron sot Lëvizja Vetëvendosje ku keni qenë kryetar dhe duke qenë se ky subjekt politik është themeluar mbi parimin e “të drejtës së popujve për vetëvendosje?

V.Y : Çështja e Kosovës dhe zgjidhja e saj ka një kompleksitet faktorësh formal-juridik, gjeopolitik e humanitar, që e bën të vështirë të trajtohet në mënyrë njëdimensionale siç po bën Putini. Në këtë drejtim qëndrimi i Putinit nuk është parimor. Ai në njërën anë thotë që ‘nëse Kosova ka të drejtë pse jo Donbasi e Krimea’, por në anën tjetër asnjëherë nuk ia ka njohur këtë të drejtë Kosovës. Madje as sot kur tenton ta përdorë si rast presedani. E drejta e vetëvendosjes në rastin e Kosovës është e drejtë zhdëmtuese për shkak të segregimit, përndjekjes dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera ndaj popullatës civile. Megjithatë pavarësia e Kosovës dhe realizimi i subjektivitetit të plotë ndërkobëtar të saj vjen si pasojë e një procesi të gjatë negociatash e bisedimesh me Serbinë. Këto bisedime vazhdojnë edhe sot për ta përfunduar procesin e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.  

– Sikurse Rusia, edhe Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë institucionet e Kosovës dhe shoqëria shqipfolëse janë rreshtuar fuqimisht në krah të Ukrainës. Mos ka këtu kundërthënie?

V.Y : Ukraina nuk e ka njohur Kosovën për të njëjtat arsye pse Spanja nuk e njeh Kosovën : për shkak të frikës që kanë pasur dhe kanë që rasti i Kosovës të përdoret si precedan në çështjet e tyre shtetërore dhe raportet me komunitet jo shumicë atje. Ka një paradoks megjithatë në krejt këtë rrëfim : narrativa e Ukrainës në raport me integritetin territorial është e ngjashme me Serbinë, mirëpo Serbia megjithatë shpesh gjen veten në përkrahje të politikave të Putinit karshi Ukrainës. Kjo shpërfaqë në mënyrë të vrazhdë mungesën e qëndrimeve parimore karshi situatave gjeopolitike.

– Që nga fillimi i luftës në Ukrainë,  Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë vërë vazhdimisht theksin te ‘pro-perëndimizimi i Kosovës’ duke e avancuar imazhin e përkrahësve të mëdhenj të Ukrainës, në përputhje me politikat e jashtme euroatlantike. Paralelisht, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë tërhequr vazhdimisht paralele midis Rusisë dhe Serbisë, duke e paraqitur Serbinë si një Rusi të vogël në Ballkan, derisa e kanë cilësuar Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiqin si një “Putin të vogël”. Sa ka pasur rezultate kjo politikë ?

V.Y : Rreshtimi i Kosovës dhe i krerëve institucional të Kosovës me politikën e jashtme perëndimore ka qenë dhe mbetet rreshtim i duhur. Mirëpo ka një dimension shtesë të ngjarjes në përgjithësi. Sanskionet ndaj Rusisë, përkrahja ndaj Ukrainës, kundërshtimi i invazionit të Rusisë në Ukrainë, janë vendime të duhura të shtetit tonë. Por Kosova ka edhe një ‘detyrë’ në këtë mes : kontributi ynë në paqen në rajon, për të cilën shtetet perëndimore që e kanë mbështetur Kosovën presin nga ne ta kultivojmë përmes marrëveshjes me Serbinë dhe bashkëpunimin në integrimet rajonale. Këto janë detyra të shtëpisë që Kosova duhet t’i bëj dhe kështu t’i kontribuojë luftës kundër ekspancionizmit rus. Siç e thanë edhe zyrtarët e State Department kur ishin në Prishtinë « Status Quo-ja i shërben vetëm interesave të Rusisë ». Dhe këtu jemi duke çaluar.

– A mundet lufta në Ukrainë, përkatësisht përplasja “Perëndim-Rusi”, ta dinamizojë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si në Këshillin e Evropës, apo madje në NATO dhe BE. Për momentin, nuk duket së konkretizuari ?

V.Y: Pavarësisht përkrahjes që kemi marrë nga disa shtete të rëndësishme të Nato-s një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa e marrë njohjen nga 4 vendet mosnjohëse që janë edhe anëtare të Nato-s. Ndër to edhe Spanja. Për të arritur deri te kjo njohje na është bërë me dije disa herë se rruga shkon kah dialogu me Serbinë. Pra edhe përparimi i Kosovës në këto aspekte te politikës së jashtme e të avancimit të interesave shtetërore janë të varura nga procesi i dialogut.

– Në samitin e fundit të Bashkimit Evropian, Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e kandidatit për anatërësim, përderisa Brukseli nuk është treguar shumë “gjeneroz” me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Madje Kosovës as nuk iu liberalizuan vizat, duke mbetur pothuajse gjithashtu vendi më i largët i rajonit në proceset euro-integruese. Kjo ka rritur frustrimin dhe euroskepticizmin në Kosovë, ku po shtohen zërat lokal që pohojnë se Perëndimi nuk po e shpërblen vendin më pro-perëndimor në rajon? 

V.Y : Është shumë e qartë që frustrimi me BE-në në Kosovë është në rritje. Dhe fatkeqësisht jo vetëm në Kosovë. Të njëjtin frustrim në rritje e gjen në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në Bosnje e Hercegovinë e në Mal të Zi. Dhe ky paraqet problem madhor. Jo vetëm për faktin e vonesave dhe cenimit të interest të menjëhershëm e të drejtpërdrejt politik e ekonomik që vendet e rajonit kanë nga marrëdhënia me BE-në. Por më shumë si rrezik i perceptimit me dyshim të vetë vlerave evropiane, si dhe në vakuumin gjeopolitik që një tërheqje e tillë e BE-së krijon në rajon. Procesi i integrimit në BE ka qenë dashtë të jetë process i transformimit të shoqërive të rajonit, e jo vetëm process i përafrimit legjislativ e, aq më pak, neoliberalizimit ekonomik. Duke e humbur aspektin transformativ për shoqëritë procesi i integrimit paradoksalisht vendoset në funksion të politikave nacionaliste e populliste, gjithnjë të korruptuara. Prandaj këtu e shoh rrezikun dhe problem thelbësor. Është shumë me rëndësi që Kosovës t’i liberalizohen vizat, e shumë me rëndësi që të gjitha vendet e rajonit të kenë perspektivë e rrugë të qartë drejt BE-së. Por shumë më shumë se kaq, është e rëndësishme se si po hyjmë dhe në cfarë BE-je po hyjmë – në BE-në e popujve të barabarta e solidar, të vlerave themeltare? Apo në BE-në e pazareve gjeopolitike e të bilanceve transakcionale financiare.

(Kjo intervistë është botuar në portalin frankofon për Ballkan: Courrier des Balkans)