Koreja e Jugut, si model për “Kosovën Kreative” - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

19/11/2021 10:30

Koreja e Jugut, si model për “Kosovën Kreative”

OP/ED

Gazeta Express

19/11/2021 10:30

Kosova ka potencial të madh për të zhvilluar industrinë kreative. Shteti duhet të financojë dhe të promovojë sukseset e kulturës jashtë. Koreja e Jugut është modeli që duhet ndjekur.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Seriali koreanojugor “Squid Game”, në të cilin qindra njerëz të zhgënjyer pranojnë të luajnë lojëra fëmijësh në një lokacion sekret, është kthyer në një fenomen për të cilin flet e gjithë bota. Seriali i prodhuar nga “Netflix” rrëfen brutalitetin e kapitalizmit, ku profileve të ndryshme të njerëzve, me status social e shkollim të ndryshëm, nuk iu mbetet rrugë tjetër vetëm të bëhen pjesë e lojërave ku humbja nënkupton vdekje në vendin e ngjarjes, kurse një fitues del në liri me 45.6 miliardë wonë (rreth 39 milionë dollarë). “Squid Game”, që është kthyer në serialin më të ndjekur në më shumë se 90 shtete, përshirë SHBA-të, ka inicuar edhe debatin se në çfarë mënyre Koreja e Jugut mund të shfrytëzojë suksesin edhe të një produkti kulturor në politikën e jashtme.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën K-valë (K-wave), ose siç njihet ndryshe Hallyu, që në kinezisht don të thotë “vala koreane” dhe shenjon rritjen e popullaritetit të pop kulturës koreanojugore duke filluar nga muzika (K-pop), filmat dh serialet (K-drama) deri te lojërat online dhe prodhimet e kozmetikës (K-beauty).

Pas suksesit të hitit “Gangnam Style” më 2012, K-pop nisi të zhvillohet dhe të pushtojë tregjet botërore. Senzacioni global aktual, bendi i djemve BTS, është aq i suksesshëm sa që anëtarët e tij kanë mbajtur fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së. Sipas hulumtimeve në Korenë e Jugut, ky grup i sjell ekomonisë së vendit rreth 3.6 miliardë dollarë në vit. Vlerësohet se para pandemisë, rreth 800 mijë turistë, që është 7 për qind e numrit të përgjithshëm, e kanë vizituar Korenë e Jugut për shkak të këtij grupi muzikor.

Ndërkohë, filmi koreanojugor “Parasite” ka fituar katër çmime “Oscar” vitin e kaluar, duke u bërë filmi i parë në gjuhë joangleze që ka fituar këtë çmim prestigjioz për filmin më të mirë. Filmi ka rrëmbyer edhe “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës.

Edhe pse kjo industri kreative është e vogël krahasuar me sektorin prodhues në Korenë e Jugut (automobilë dhe teknologji), ajo po rritet dita-ditës. Numri i të punësuarve në industrinë kreative është rritur 27 për qind brenda dhjetë vitesh (2009-2019), ndërkaq zhvillimi i shpejtë kishte nisur pas krizës që goditi vendin më 1997.

Atëbotë shumë ndërmarrës nisën të ndërlidhin kulturën me teknologjinë dhe u orientuan drejt tregjeve të jashtme, gjë që u tregua shumë e suksesshme. Autoritetet shtetërore nuhatën suksesin dhe rritën buxhetin për kulturë nga 14 milionë dollarë në vitin 1998 në 84 milionë tre vjet më vonë. Në bashkëpunim me kompanitë e teknologjisë ministria e kulturës dhe turizmit zhvilloi një plan për plasim në tregjet e jashtme të produkteve koreanojugore, si filma, seriale, muzikë etj. Qeveria iu dha kredi të favorshme ndërmarrësve dhe, po ashtu, financoi trajnime për artistë.

Ish-presidenti Roh Moo-hyun në vitin 2003 zbuloi termin “Koreja Kreative” dhe rriti subvencionet për kompanitë që merreshin me industri kreative. Gjatë kohës së presidentes Park Geun-hye, këngëtari Psy publikoi këngën “Gangnam Style” që me një shpejtësi marramendëse pushtoi botën dhe u bë kënga e parë me më shumë se një milard shikime në YouTube. Park shfrytëzoi këtë rast dhe nisi promovimin e këngës së popullarizuar, respektivisht K-popit gjatë vizitave të saj në vendet tjera.

Ndërkohë, administrata e presidentit Moon Yae emëroi bendin BTS si “përfaqësues special për gjeneratat e ardhshme dhe kulturë” të shtetit në OKB. Sikurse grupi ABBA që dikur u bë brendi më i njohur suedez pas Volvosë, edhe K-vala është tash produkti më i njohur koreanojugor në botë, pas KIA’s ose Hyundait.

* * *

Shembulli i Koresë së Jugut mund t’i shërbejë shumë mirë Kosovës dhe sukseseve kulturore e sportive të saj – që nga muzika, filmat e arti kontemporan, deri te xhudoja. Koreja e Jugut ka shfrytëzuar për mrekulli këtë “fuqi të butë”, që nuk ka lidhje me madhësinë e shtetit, pasi që vendet e vogla mund të jenë njësoj tërheqëse si ato të mëdhatë. Natyrisht, është thuajse e pamundur që shtete superfuqi, siç është psh. Kina të garojnë me SHBA’të në këtë fushë, pasi që amerikanët kanë opushtuar botën me gjuhën angleze, pop kulturën, muzikën e filmat e Hollywoodit, por Kosova ka potencial të mirë për të pasur sukses solid në botë, nëpërmjet industrisë kreative.

Pikërisht për shkak të sukseseve globale, hulumtimet tregojnë se më se 77 për qind e amerikanëve kanë qëndrim pozitiv për Korenë e Jugut, shumë më shumë se sa për Francën, Gjermaninë ose Britaninë e Madhe.

Ministria e Kulturës e Kosovës, respektivisht qeveria, duhet të rrisin buxhetin për industrinë kreative, tekonolgjinë e kulturën, por duhet edhe ta promovojë sa më shumë jashtë. Kosova ka çfarë prezanton dhe mund t’ia dalë me sukses.