Kombëtarja e Kosovës filloi përgatitjet me përzgjedhësin e ri Franco Foda - Gazeta Express
string(73) "kombetarja-e-kosoves-filloi-pergatitjet-me-perzgjedhesin-e-ri-franco-foda"

Kombëtarja e Kosovës filloi përgatitjet me përzgjedhësin e ri Franco Foda

Futboll

Gazeta Express

18/03/2024 19:25

Kombëtarja e Kosovës ka filluar grumbullimin e parë për këtë vit nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Franco Foda dhe stafit të tij.

Pas një pauzeje prej katër muajsh, Dardanët kthehen me një mision të ri – për rrugëtim të suksesshëm, gjë të cilën synojnë ta ndërtojnë duke filluar nga dy miqësoret e këtij muaji jashtë vendit kundër Armenisë dhe Hungarisë.

Lexo Edhe:

Stërvitja e parë për këto miqësore është mbajtur, të hënën, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Në këtë sesion të parë kanë qenë të pranishëm 17 futbollistë, ndërsa ekipi pritet të kompletohet në stërvitjen e nesërme.

Pas përfundimit të stërvitjes, Vedat Muriqi dhe Drilon Hazrollaj, kanë shprehur optimizmin e tyre për një fazë të re dhe të suksesshme të Dardanëve.

Për Hazrollajn ky është grumbullimi i parë me Kombëtaren. E këtë moment ai po e shijon në maksimum.

“Ftesa e Kombëtares së Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën pasi po kaloj në formë shumë të mirë me klubin tim. Grupi me ka pritur shumë mirë dhe më është dukur sikur të jem me vite pjesë e Kombëtares së Kosovës”, tha ndër të tjera ai pas stërvitjes për faqen zyrtare të FFK-së.

E njëri nga futbollistët më me përvojë, Vedat Muriqi tha se Kosova po e hap një faqe të re.

“Ishte dita e parë e stërvitjeve dhe dita që u njoftuam përsëafërmi të gjithë me stafin e trajnerëve. Do e hapim një faqe tjetër dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë që ta mësojmë taktikën dhe kërkesat e trajnerit. Në vizitën që trajneri Foda më bëri në Spanjë e kam njoftuar që grupi është i uritur për fitore”, tha ndër të tjera Muriqi në deklaratën pas stërvitjes.

Seancën e radhës stërvitore Kombëtarja e Kosovës e zhvillon, të martën, në orën 11:00, në Kampin Nacional në Hajvali.