Institucioni që flet rrallë, çfarë tha ndër vite AKI-ja përveç komunikatës për Specialen - Gazeta Express
string(87) "institucioni-qe-flet-rralle-cfare-tha-nder-vite-aki-ja-pervec-komunikates-per-specialen"

Institucioni që flet rrallë, çfarë tha ndër vite AKI-ja përveç komunikatës për Specialen

Lajme

Gazeta Express

24/05/2022 16:28

Ndonjëherë me vite nga AKI-ja nuk del asnjë fjalë, asnjë informacion. Të martën, ky institucion vendosi t’i komunikonte diçka qytetarëve.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë vendosi që të hënën të njoftonte publikisht se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e kishte ftuar për intervistim inspektorin e përgjithshëm të institucionit më të lartë të sigurisë në vend. Kjo ishte ndër komunikatat tepër të rralla të lëshuara nga ky institucion.

AKI-ja tregoi edhe urdhrin që ZPS-ja ia kishte dhënë Ramadanit në fletëthirrje.

“Në fletëthirrje precizohet se z. Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar, dhe në fletëthirrje nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000””, u tha në komunikatë.

Në të njëjtën komunikatë, AKI tha se Ramadani “është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikurse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”.

Para të hënës, tetori i vitit të kaluar ishte hera e fundit kur AKI-ja kishte lëshuar një komunikatë të rëndësishme, si gjithnjë, të shkurtër dhe pa shumë detaje.

Më 21 tetor 2021 AKI konfirmonte një njoftim të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, lidhur me arrestimin e një personi me inicialet M.K.

“AKI, në kuadër të kompetencave të saj sipas Ligjit Nr. 03/L-063, Nenin 2 dhe Nenin 10, ka përfunduar procedurat e brendshme ndaj personit M.K dhe në përputhje me Nenin 25.2 të Ligjit për AKI ka njoftuar Prokurorin publik kompetent”, thuhej në komunikatë.

Pavarësisht se nga kush cenohet siguria e Republikës së Kosovës, AKI thoshte se “mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit dhe kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, si dhe në përmbushjen e detyrave në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Në një rast në mars të vitit 2017, AKI, lëshonte një komunikatë lidhur me disa të dhëna që raportohej se kishin dalë nga ky institucion.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, duke marrë parasysh rrethanat që janë krijuar me ngjarjen e fundit, e ku përmenden të dhëna që kanë dalë nga AKI, deklaron zyrtarisht se, asnjë nga të dhënat e publikuara nuk është e vërtetë, dhe së këndejmi thërret mediet dhe opinionin publik për maturi që të mos shpërndajnë asgjë të paautorizuar!”, thuhej në komunikatën e 15 marsit të atij viti, ku AKI e kualifikonte këtë “si një fakt në dëm të sigurisë kombëtare”.

Më herët, në prill të vitit 2015, AKI-ja do ta demantonte një raportim të një gazete ditore se dy zyrtarë të AKI-së ishin arrestuar në Turqi në tetor të vitit 2014.

“Me qëllim të njoftimit të drejtë të opinionit, sqarojmë se: Në asnjë rast, nuk ka pasur zyrtarë të AKI-së të arrestuar në ndonjë vend të huaj, duke përfshirë këtu edhe Turqinë”, njoftonte AKI.

Po atë muaj, AKI kishte njoftuar se një person kishte tentuar t’i mashtrojë policët që e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, duke deklaruar se është “i inteligjencës”.

Zyrtarët e AKI-së, përfshirë drejtorin, nuk flasin publikisht. Ata i raportojnë vetëm presidentes dhe kryeministrit, si dhe herë pas here iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.