Shkruan Fitim Salihu: Guerilasit e Facebook-ut çlirojnë Karaçevën - Gazeta Express
string(43) "guerilasit-e-facebook-ut-clirojne-karaceven"

Gazeta Express

09/08/2020 20:28

Shkruan Fitim Salihu: Guerilasit e Facebook-ut çlirojnë Karaçevën

Gazeta Express

09/08/2020 20:28

Shkruan: Fitim Salihu

Krejt ata që janë në moshën mbi 16 vjeçe dhe që me cinizëm po pyesin se përse nuk po shkojnë veteranët në Karaçevë për t’i zbuar xhandarmët serbë, e kanë mundësinë ideale, penalltinë klasike që pret vetëm të shutohet, që ta dëshmojnë se janë pak më shumë se sa thjesht guerilas të Facebook-ut, heronj të tastierës që plumbin e kanë të shpejtë sa shpejtësinë e internetit. Kur këta veteranë të UÇK-së, që sot po i përqeshin, e kanë vlerësuar se atdheu është në rrezik dhe ka nevojë për ta, nuk ia kanë kërkuar me qesëndi të tjerëve ta mbronin Kosovën (për shembull nuk ia kanë kërkuar veteranëve partizanë), por vetë i kanë bartur mbi supet e tyre të njoma fatet e rënda të atdheut.

Lexo Edhe:

Them të njoma sepse një pjesë e madhe syresh kanë qenë po aq të rinj, madje akoma më të rinj, sesa cinikët e sotëm – mitraljerë nga llogoret e rrjeteve sociale. Asokohe nuk kemi pasur ushtri të rregullt. As gjeneralë që e kishin nisur tashmë luftën. As tanke e as avionë ushtarakë. Nuk ka pasur madje as kalashnikovë sa duhet. Përballë e kanë pasur një prej ushtrive më të fuqishme të Evropës. Mbrapa iu ka shkuar një nga shërbimet sekrete më të tmerrshme të botës. Vetë këta – në moshë rinore, pa eksperiencë dhe me nga një pushkë në krah në rrugën e gjatë të luftës për liri, e cila ishte më shumë e pamundshme sesa realiste. Me idealin si të vetmen armë të rëndë. Pra, nuk është se kanë pasur ndoca më shumë se cinikët e sotëm. Lehtësisht mund të bëni aq sa veteranët, nëse jo më shumë. Mjafton që guximi t’ua mposht cinizmin si mungesë guximi. Por, fillimisht duhet të bëheni log-out nga rrjetet sociale.

Veterani është epitoma e qytetarit ideal. Inkarnimi i aktivistit hegelian të shoqërisë civile. Ai ngrihet lart pikërisht përmes vetëmohimit e guximit. Për të jeta biologjike është e pështirë pa përmbushje politike të saj. Nuk je gjallë vetëm se frymon. Nuk jeton vetëm pse s’ke vdekur. Veterani e kupton këtë të vërtetë dhe niset, fluturon, ngarend, si era, në drejtim të lirisë dhe me lirinë si kusht. Ai nuk kthehet mbrapa. Për të liria është jeta dhe jeta i jepet peng arritjes së lirisë gjer në arritjen e lirisë. Veterani është mishërimi i vetëdijes më të lartë, i mohimit të mohimit, i mohimit të mohimit të lirisë. Veterani është e vërteta e historisë, e lirisë dhe e historisë së lirisë.

Veterani duke u nisur ndalet. Ndalet nga jeta biologjike dhe niset për në jetën politike. Veterani nënshkruan pakt me vdekjen. Atë do ta ketë tërë kohën më afër sesa këmishën. Njëlloj si shokët e tij të rënë. Veterani braktis familjen biologjike për ta gjetur veten në familjen e madhe politike. Veterani braktis familjen – prindërit, gruan, fëmijët, motrën e vëllain. I braktis ata në rrezikun e jetës dhe vetë lufton për një jetë pa rrezik. Për veten dhe për ata. Për ne.

Veterani e ka humbur dorën, këmbën ose të dyjat. Ka humbur gjymtyrët. Ka humbur dorën dhe sërish, pa duar, na tregon rrugën kah duhet të shkojmë. Ka humbur këmbët dhe sërish, pa këmbë, e ka trasuar rrugën kah duhet të shkelim. Veterani ka humbur sytë dhe sërish, pa sy, sheh prej nga vjen rreziku. Sepse veterani nuk e ka humbur zemrën.

Ky është veterani i vërtetë. Përballë tij, si për inat të tij, kundruall tij, qëndron ai tjetri, veterani i rrejshëm. Në fakt ai nuk është as veteran; është thjesht i rrejshëm. Lavdinë e veteranit të njëmendtë ai rend ta përvetësojë sikur të ish e tij. Në fakt, i tij ngel vetëm cilësori “i rrejshëm”. Ai është i rrejshëm në gjithçka. Vetëm në një gjë ai është i vërtetë – në rrezikun që paraqet në diskreditimin e atij të parit, të vërtetit, vetëmohuesit, idealistit. Rreziku nga ai është i vërtetë dhe sot në Kosovë e hasim kudo. Por, për faj të veteranit të rrejshëm, nuk duhet shpotitur ai i vërteti.

Veterani i rrejshëm është pasojë e politikës së rrejshme. Ai është produkt i klientelizmit të partive politike. Ai është shenjues i venitjes së vlerave në shoqërinë tonë. Ai është nepsi i babëzisë së politikanëve të pangopur. Ai është rrjeti i merimangës së zezë që ka kapërthyer një shoqëri të tërë. Ai është e kundërta, antonimi, i veteranit të njëmendtë. Ai është pa. Pa trimëri. Pa vetëdije. Pa guxim. Pa nder. Pa ndërgjegje. Pa sinqeritet. Pa skrupuj. Dëmi që ai ia bën atij të parit, të vërtetit, të njëmendit, veteranit të UÇK-së, është më i madh sesa dëmi që ia bën propaganda e armikut. Ai e delegjitimon kauzën dhe lavdinë e të parit.

E, këtu më pas lind keqkuptimi. Paskëtaj, aty ku ka keqkuptime, ngrenë krye cinikët. Cinikët janë të përçdokohshëm. Sikur nuk vdesin. Jetojnë në përjetësi dhe ndër breza. Janë aty, të strukur, herë ndanë një tavoline kafeneje, herë prapa perdes e herë para smartphone-it, të gatshëm si ngahera për të hedhur shigjeta e baltë, duke ngatërruar, qëllimshëm, veteranin e njëmendtë me atë të rrejshmin, të pavërtetin, me veteranin kallp. Ashtu ndodhi edhe së fundmi në debatin mbi futjen e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë. Sërishmi cinikët u vendosën në istikamet e rrjeteve sociale për të katapultuar sarkazmën e tyre ndaj veteranit. Guerilasit e Facebook-ut bartën mbi news feed-et e tyre fatet e Karaçevës duke shpotitur veteranët.

Fatbardhësisht, Kosova sot është shtet dhe ka institucionet e sigurisë. Për më tepër e mbi të gjitha, në mbrojtje ka edhe aleatët e KFOR-it. Sot nuk ka nevojë për veteranë e trima luftëtarë sikurse në fundshekullin e kaluar. Nuk ka nevojë asnjëri të bëjë veprime aventuriere, o në Karaçevë o gjetkë, gjë që do të ishte harakiri diplomatik për Kosovën. Por, t’u kallëzosh veteranëve – që të paktën një herë në jetë e kanë dëshmuar se këtë vend e duan më shumë se jetën dhe se këtë vend pa jetën e zgjedhin para jetës pa këtë vend – se si duhet atdheu, ndërkohë që vetë e ke “kryet n’qiell e b**** n’diell”, është e ulët, e pasinqertë dhe e paskrupullt. Trima fejsbukianë, lehtë bëhet kjo punë – lëshoni smartphone-at dhe oburrani! Në të kundërtën, rrezituni n’diell!