Muza e bekuar, vështrime kritike të poezisë së Bashotës - Gazeta Express
string(60) "graci-muza-e-bekuar-veshtrime-kritike-te-poezise-se-bashotes"

Arte

Gazeta Express

07/07/2022 14:07

Muza e bekuar, vështrime kritike të poezisë së Bashotës

Arte

Gazeta Express

07/07/2022 14:07

Bashota është ndër poetët e mëdhej të gjuhës shqipe dhe të modernitetit tonë letrar. Shqiptimi i tij poetik, nuk e përkul profilin e lartë të poezisë shqipe lëvruar në Kosovë nga Mekuli, Camaj, Shkreli, Podrimja, Dedja, Musliu, Musliu, Bajraj, Çapriqi, Gashi, Krasniqi

Shkruan: Virion Graçi

Lexo Edhe:

I.

Sali Bashota, me një krijimtari cilësore për më shumë se tre dekada është  emër në poezinë bashkëkohore shqipe. Krijimtaria e tij është e njohur kudo ku flitet shqip dhe në vende ballkanike e europiane, nëpërmjet përkthimeve dhe veprimtarive kulturore-letrare ku poeti ka marrë pjesë. Njëherësh, poezia e S. Bashotës është bërë e njohur edhe nëpërmjet shkrimeve kritike, studimeve, recensioneve dhe analizave shkencore, të gjitha këto nga dy drejtime, nga autorë shqiptarë dhe studiues të huaj, të cilët nxjerrin në pah cilësi të individualitetit të tij poetik.

Disa vlerësime:

Ali Podrimja: Venerohet se në të katër librat, shkallëshkallë riciklohen e tensionohen fenomenet dhe situatat ekzistenciale. E pranishme është sintagma albumi i grisur. Kjo rishfaqet gati në tërë tekstin poetik të këtij autori. Lë të kuptohet se në hapësirën tonë, ndodh ose ka ndodhur një tragjedi. Lexohet edhe si metaforë e kohëve mortore.

Bavjola Shatro fokusohet te imazhi dhe koha në poezinë e Bashotës, nën ndikimin dhe modelin krahasues të shkollave bashkëkohore amerikane.

Luan Topçiu: Poezia e Sali Bashotës ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, fati i kombit si një shqetësim i rëndë historik, përjetime intime.

Gëzim Aliu: Vepra poetike e Sali Bashotës është artikulim përmes figuracionit, ideve dhe anës formale, i vetëdijes poetike të një shkrimtari që tashmë e ka krijuar të qëndrueshëm stilin e tij, shprehjen e tij dhe botën e tij artistike. Duke kapërcyer nëpër aktin sistemor të krijimit, poezitë e kësaj vepre dalin si perla të përpunuara të metaforave fine.

Redon Moerau: Emblema kombëtare kërkoi dhe gjeti më shumë se “pak dritë, pak dritë” bodleriane…Sintagmat burimore të shqipes së kulluar, gjenetikisht konservative, mbushullojnë në poezitë e tij, duke ushqyer shpirtin dhe ngacmuar mendjen e lexuesit dhe përjetuesit… Në to pasqyrohet individualiteti krijues origjinar dhe origjinal i ushqyer nga ngjyrat dhe ndjenjat e jetës sa vetjake aq edhe altruiste për përjetimin e sekuencave të fatit historik kombëtar, fatit fizik shpirtëror të njeriut tonë.

Rusana Bejleri: Uragani i ndodhive dhe fakteve përthyhet në pasqyrën e dyfishtë – përmes perceptimeve individuale të një bashkëkohësi të tyre dhe më pas në një përpunim të rafinuar të simbolikës me figura të njohura të vetëdijes kolektive. Gërshetimi i simboleve dhe gama e ngjyrave do të lënë te lexuesi një gjurmë sensore të papërsëritshme, siç janë gjurmët e gishtave.

 Marius Chelaru: Sali Bashota mjaft lehtë mund t’i “përngjitet” peizazhit poetik të aureolës në të cilën jeton nga disa pikëshikime, të cilat i kemi theksuar (lufta, mërgimi, vdekja e të afërmve të tij në konflikte) por, në të njëjtën kohë, është edhe një zë disi i “distancuar”, ndoshta edhe nëpërmjet faktit se dëshiron ta gërshetojë në poezinë e tij, metaforën me imagjinatën, si një lojë skene në të cilën dekori është një element fort i rëndësishëm.

Studiues të tjerë si Adil Olluri, Ag Apolloni, Berat Armagedoni, Flamur Maloku, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Osman Gashi, Gëzim Arifi, Xhemal Ali Peci kanë mundur të identifikojnë prurjet, jo vetëm tiparet që tashmë e karakterizojnë dhe e përveçojnë autorin në radhën e poezisë së zgjedhur shqipe, por dhe risitë, të rendit stitlistikor, të lëndës poetike si vlerë e rigjeneruar artistike e çdo krijimi të ri.

Poezinë e Bashotës – studiuar në njësitë bazike ligjërimore/figurative saj mund ta shohim tani në makrostrukturë, si grupohet, funksionalizohet, risemantizohet në disa libra të cilët, për nga kompozimi, për nga parimi organizues i lëndës së përfshirë janë unikalë. Me të drejtë poeti dhe studiuesi Milazim Krasniqi, afrohet me idenë se, në fund të fundit, vepra poetike e një autori si Bashota, mund të perceptohet si një libër i vetëm.

Po i shohim sa për një ide të përafërt, më poshtë.

II

Libri “Përshpëritja e agonisë” (Libri i karantinës, 2020) është kronologji poetike e ankthit, vuajtjes, izolimit fizik, por dhe ditar poetik i rikuptimësimit të jetës, njeriut, qenies, marrdhënie ndërnjerëzore gjatë periudhës së kyçjes planetare nga kovid-19. Jeta, kufiri i hollë mes vdekjes dhe mbijetesës, përditshmëria si frymim e lëngatë prozaike, si ekuilibër i brishtë biologjik-shpirtëror-ekzistencial vendoset në qendër të çdo përjetimi, pavarësisht veshjes material/ilustruese, pavarësisht gjetjeve figurative të ligjërimit poetik. Te “Psherëtima e agonisë” kemi një (si) poemë të gjatë, të fragmentuar në njësi më të vogla të shprehjes – është ditari poetik i përsiatjeve në ditët e muajt e pandemisë botërore, covid-19. Siç shprehet autori: “Pëshpërtija e agonisë mund të jetë një libër i shpalosjes së ankthit e situatave ekzistenciale, në të cilin dimensioni psikologjik e rikuptimëson frymën njerëzore, përbrenda një realiteti të ri dhe të panjohur në rrethana të tilla për njerëzimin që ka të bëjë me frikën nga e keqja e padukshme.”

Bota e zakonëshme materiale, sendet e përdorimit vetjak, objektet e jetës urbane, lëvizjet e shprehitë e zakonëshme, veprimet me karaketer të dikurshëm ritualistik – jo domethënës tani, të para në optikën ndërgjegjësuese-ekzistencialiste, bëhen shenja të absurdit, etiketa të kotësisë e të përkohësisë. Ndihet se nën qiellin e fatkeqësisë së përbotëshme, çdo individ, e për rrjedhim edhe heroi lirik i Bashotës ia ka bërë vetes pyetjet e habisë filozofike: Përse? Çfarë? “Përshpëritja e agonisë” e “dokumenton” me imtësi gjendjen specifike të njeriut dhe njerëzimit në karantinë duke u kryer si poemë e agonisë.

 Libri “Në fillim ishte drita”, (99 poezi, 2017), shquhet për arkitekturë falë së cilës poezitë potencojnë njëra-tjetrën, secila rrezaton më vete dhe në strukturë. Janë tre grupe/cikle poezish ato që e përbëjnë librin.

Grupi i parë/cikli i parë titullohet SI, përmban 44 poezi, secila ka për titull një krahasim metonimik, sipas modelit: Si flaka e fantazisë; Si jeta në kozmos; Si urata; Si e bukura  diellit; Si ninulla e bukur, etj.

Cikli i dytë ka 32 poezi, të cilat, sipas emërit të ciklit – NËSE, fillojnë secila sipas gjedhës së titullit të përbashkët: Nëse çdo poezi fillon me ty; Nëse fanitet bukuri e praruar; Nëse zgjohen yjet; Nëse hesht nata, etj.

Cikli i tretë titullohet KURdhe përbëhet nga 32 poezi, secila e emëruar sipas modelit: Kur mallin për ty diçka e tremb; Kur ndahet përgjysmë zemrërimi; Kur ndryshket dryni i mërzisë; Kur vijnë çastet e bukura; Kur heshtin zogjtë, etj, etj.

Në fillim ishte drita”, është poemë e tri dimensioneve të një bote pa emër dhe pa koordinata, botë e mrekullueshme dhe e ndjerë, e dlirë dhe e tronditur, e shpërbërë dhe në kërkim të identitetit, në kaos dhe drejt rikuptimësimit duke pasur për shembëlltyrë gjëra të njohura, idealisht të përkryera, të ndjera, të patjetërsueshme, sikurse propozohet nëpërmjet titujve: SI ZJARRI I SHPIRTIT; SI QIELLI I NDRITUR; SI PËRQAFIMI I YJEVE, etj.

Nga dimensioni i shembulltyrës së ciklit të parë me SI,cikli i dytë me NËSE parashtron dimensionin e rrethanës së domosdoshme: kushtet, mjedisin, cilësitë, pozicionimet etiko-morale e estetike ku bota e munguar bëhet e mbritëshme.

Dimensioni i tretë, përkatësisht, cikli me KURështë adresim i qartë kohor/shkakësor me tregues të dyfishtë, (1) për kohën/arsyen e ndodhjes së plojës/rrënimit, (2) koha/shkaku i shpëtimit/rilindjes.

Libri “Dhembje e bekuar” (333 poezi, 2013) është i strukturuar në 6 kapituj dhe përbën, në gjykimin tim, jo vetëm përfaqësimin me përfshirës dhe më kulmor deri sot të autorit, sa u përket vlerave estetiko-letrare, por dhe një nga librat më të arrirë poetikë të letërisë shqipe.

Cikli I (ALBUM I GRISUR),sikurse e ka nënvizuar Pordimja sintagmën e albumit të grisur, mund të ishte një libërth më vete me poezi. Mund ta perceptojmë si një poemë fragmentare, një ligjërim të vetëm poezi – pezizazhi njerëzor të ndarë në njësi më të vogla, me tituj respektivë si poezi të mëvetëshme për të ruajtur ritmin, densitetin kuptimor, befasinë, për të lënë jashtë lëndën e panevojshme, kontekstin e përbashkët, për të mos rënë në përsëritje të llojit përshkrues me të dhëna të panevojëshme për hapërsirën dhe kohën e ndodhisë, gjasës liriko-dramatike. Si poezi tip për këtë cikël kam përzgjedhur “Shtëpia e nëmur” – duket poezia më dekodifikuese sa I përket narrativës poetike të Bashotës. Së pari, më dukshëm se çdo poezi tjetër e këtij cikli, ajo bën bashkë element të njohur e të përdorur në traditën tonë poetike: sintagmën shtëpia dhe njeriu, për pasojë kemi: shtëpia, nëma, porta, shekujt, gjumi, fëmia, frika. Poezi shembull:SHTËPIA E NËMUR

Është diku një Shtëpi e Nëmur/Me shtatë porta/Secila portë/E ka nga një gur-therë në prag/Të përgjakur nga shekujt./S’del njeri ta hapë/As ta vërë në gjumë të thellë/Frikën e mbërthyer përbrenda/Në shtatë dritaret e saj/Vajton vetëm një kukuvajkë/Nata nuk bën të harrohet/As fëmijët të shohin ëndrra trishtuese/Nuk bën/Është diku një Shtëpi e Nëmur/Me shtatë porta/Që s’pret dorë njeriu.

Në ciklin II (ZOGU ME PROFIL VJESHTE)kemi variacione autoportreti të poetit, të heroit lirik; është uni poetik në hapjet ndaj jetës dhe në mbresat, në tërheqjet në vetvete. Elementi piktural ndërthuret me meditimin, sintezën filofozike. Shembull:DHEMBJE QYTETI Kur ia vumë themelet qytetit/Një grua vrapoi pas fëmijëve/Këmbëzbathur/Në shëtitoren e dëshmorëve/Dashnorët i ndezin zemrat pa alarm./Gjenerata poetësh/Ecin të ballafaquar nën qiellin e kaltër/Buzëmbrëmjeve të Prishtinës/Një hermetik bënte luftë me vetveten/As vargjet nuk i mbante kjo mërzi/E rëndë/Ja të pafatët/Që ikin si zogjtë strehëve/Duke kërkuar mëngjëse plot diell/Nuk I dhuron as fjala që na përbuz/As më e serta/Arkitekturë e netëve pa gjumë/Kur qyteti i bë më i madh sa heroi/Kush tha/Kush tha se gjaku i dëshmorëve/E rrit një trëndafil të kuq.

Në ciklin III (PLAGOMË)mbizotëron toni epik. Ndjeshmëria provokohet dhe përcillet nëpërmjet fabulës/gjetjes poetike e cila, zgjedh të tregojë për kategori shoqërore e historike me densitet emocional, rivalizuese deri në zgrip ndaj njeriut të zakonshëm. Fjalë/figura të këtij cikli: atdhesi, robëria, qëndresë, përkulja, barbaria, ekzili, neveria, etj. Të shprehura me gjuhën e poezisë kategoritë e mësipërme historiko-shoqërore tingëllojnë si psalme të vetflijimit. Shembull: INTIMËPo gdhinte/Shi i kuq mbi ty binte/Asfaltit të bardhë/Pritja shndërrohej në zjarr/Po gdhinte/Shi i zi mbi mua binte/Zgjatej me nervozizëm të derdhur/E vërteta e fshehur/Lulet na mbuluan me hije/Të këputura në fushë vetmie/Vetëm gjakosin kujtimin e harruar/Prehen ndër sy vyshken në duar/Po gdhinte/Shi kuqezi mbi ne/Binte.

Cikli IV (DALJE NGA TRISHTIMI)është kthimi i poetit te poezia si strehë e qenies, si realitet ontologjik dhe gjuhësor. Ose, me fjalë të tjera, kemi dy projeksione: (1) Poeti në poezinë e tij dhe (2) – Poeti në poezinë e gjetur, në traditë, jo vetëm në vargjet e autorëve të identifikuar, por dhe në situatë, në gjendjen poetike të pa artikuluar ende, shkaktuar nga rrethanat. Shembull:AH KJO VDEKJESi ta përpij tmerrin në dyluftim me hijet/Copat e granatës në pjatë/Vrasësit duke i fshirë njollat e krimit nëpër mure/Fytyra e skuqur e atdheut në pasqyrë/Përpara vdekja pastaj gjaku/Fëmijët me bukë në fyt i gëlltisin shpresat/Ëndrrat e bardha për lodrat që i tremben vdekjes/Që kërkon mëshirën e Zotit/Nëpër legjendat për dramën e krimit/Përpara vdekja pastaj gjaku.(Mars, 1998).

Cikli (BUKURI E NËMUR)përmban poezi të toneve elegjiake për gjërat e humbura, të tjetërsuara, të zhdukura, të zvetënuara ose të asgjësura nga faktorë të mbinatyrshëm siç janë lufta, koha astronomike si rrjedhë e pandalshme, dehumanizimi kolektiv i epokës. As këtu nuk mungojnë relacionet intime shpirtërore-filozofike me të bukurën, me të mirën, me njeriun dashur dhe gjërat e dashura. Shembull: PASQYRA: Çdo ditë e zvogëloj dhembjen/Në pasqyrën e thyer/Dhe bëhem pluhur i harruar/Në plagën e nëntë të vetmisë/Çdo natë nga kafshimi i bukurisë/Shtohen thinjat në kokë/Si trëndafila të egër/Dhe bëhem plagomë e bardhë/Pasqyra ime/E zezë.

Cikli VI (DORËSHKRIMI I RINGJALLUR)është parajsa e gjetur. Fjalët kyç/sintagmat poetike janë: ndjezja e zjarrit, zgjimi,, lulja e bardhë, vallja e zogjve, buzagazi i ngjalljes, kujtimi, testamenti, shëtitja, vegimi i bardhë, gjumi i parë, udhëtimi, bekimi, këmisha e bardhë, etj. Shembull: LEGJENDA E MUROSJES: Vjeshta e shkund lotin tend/Mbi zjarrin e syrit tim/Ti nuk je më Ajo/Lulet e dhembjes protestojnë/Kur hija e vendlindjes buzëqesh në dritare/Ti nuk je më Ajo/Qielli e përkund tokën e gjallë/Si në legjendën e murosjes së gruas/Ti nuk je më Ajo.

Libri “Lutja e parë e shpirtit” është konceptuar/organizuar në spektrin e nëntë elemetëve fundamentalë të shpirtit poetik, si nëntë rrathë përfytyrimesh jo religjioze për jetën e amëshuar, ku fillimi e fundi janë në antinomi: Cikli I – LUTJA e parë SHPIRTI; (Lutja – është fjala kyç, nënvizimi/propozimi ideor-emocional i autorit). Cikli II -PËSHPËRITJA e dytë DASHURIA; (Pëshpëritja-fjala kyç…). Cikli III -RRUZULLIMI i tretë DRITA; (Rruzullimi…). Cikli IV- OFASHAMA e katër FJALA; (Ofshama…). V- IMAZHI i pestë DHIMBJA; (Imazhi…). VI – UDHËRRËFIMI i gjashtë ËNDËRRA; (Udhërrëfimi…). VII – SHKUNDULLIMA e shtatë FATI; (Shkundullima…). VIII – IDILA e tetë VETMIA; (Idila…). IX – PALIMPSESTI i nëntë JETA; (Palimpsesti është fjala kyç e autorit me të cilën dëshiron t’i hapë rrugë rileximit simbolik të tërësisë duke nënkuptuar dhe parimin e tij krijues të librit- poemë…), zgjidhje kompozicionale e kushtëzuar prej mënyrës si bota përjetohet e shndërrohet në materie poetike.

Si përfundim pajtohemi me mendimin se Sali Bashota është ndër poetët e mëdhej të gjuhës shqipe dhe të modernitetit tonë letrar. Shqiptimi i tij poetik, nuk e përkul profilin e lartë të poezisë shqipe lëvruar në Kosovë nga Esad Mekuli, Martin Camaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, Beqir Musliu, Ramadan Musliu, Xhevdet Bajraj, Basri Çapriqi, Adem Gashi, Milazim Krasniqi e të tjerë, por e afirmon edhe më tej atë duke e çuar në horizonte të reja shprehjeje, komunikimi e rrezatimi estetik./ExLibris