Gianluca Prestianni, anësori 20-vjeçar argjentinas i Benfica, është dënuar me gjashtë ndeshje pezullim nga UEFA të premten, pas akuzave për fyerje raciste ndaj Vinícius Júnior, gjatë ndeshjes së “play-off”-it të UEFA Champions League në Lisbonë.
Sipas UEFA-s, pezullimi prej gjashtë ndeshjesh për Prestiannin vjen për “sjellje diskriminuese” gjatë përballjes me Real Madrid.
Në deklaratën e organizatës thuhet se rasti lidhet me “fyerje homofobike”, pasi lojtari dyshohet se e ka quajtur Vinícius Júnior me termin “maricón”, një fyerje me përmbajtje homofobike në spanjisht.
Pezullimi duhet të shlyhet në garat evropiane ose me kombëtaren e Argjentinës. UEFA sqaroi se tre nga këto ndeshje janë me kusht, për një periudhë prove dyvjeçare nga data e vendimit.
Gjithashtu, një ndeshje nga ky dënim është shlyer tashmë, konkretisht në ndeshjen e kthimit të “play-off”-it mes Benficës dhe Real Madridit në “Santiago Bernabéu”.
Më 17 shkurt, në ndeshjen e parë të “play-off”-it për një vend në fazën e 1/8-ës, të fituar 1-0 nga Real Madridi, Vinícius Júnior, pasi shënoi golin e vetëm të takimit, iu drejtua gjyqtarit duke akuzuar Prestiannin për fyerje raciste.
Gjyqtari francez François Letexier ndaloi ndeshjen në stadiumin “Estadio da Luz” në Lisbonë dhe aktivizoi protokollin kundër racizmit, me lojën që rifilloi pas rreth 10 minutash.
Pas ndeshjes, Prestianni mohoi akuzat për fyerje raciste, ndërsa Vinícius Júnior dhe lojtarë të tjerë të Real Madridit i konfirmuan ato.
UEFA e kishte pezulluar përkohësisht lojtarin me një ndeshje gjatë hetimeve. Edhe pse nuk luajti, ai udhëtoi me ekipin në Madrid për ndeshjen e kthimit, ku Benfica u mposht 2-1 dhe u eliminua nga Champions League.
Meqenëse Benfica tashmë është eliminuar nga garat evropiane, Prestianni do të shlyejë dy ndeshjet e mbetura të pezullimit me kombëtaren e Argjentinës, nëse ftohet për Kupën e Botës 2026.
Në një reagim zyrtar, Benfica njoftoi: “Klubi është informuar nga UEFA për sanksionin ndaj lojtarit Prestianni për përdorimin e gjuhës homofobike gjatë ndeshjes Benfica–Real Madrid.
Prestianni është pezulluar për gjashtë ndeshje, ku tre prej tyre janë me kusht për një periudhë dyvjeçare. Nga tre ndeshjet që duhet të shlyejë, një është përfunduar tashmë, ndërsa dy të tjerat duhet të kryhen në ndeshjet e UEFA-s ose me kombëtaren e Argjentinës në garat e FIFA-s.”