Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka mohuar se marrëdhëniet me kapitenin Dani Carvajal janë të tensionuara, pas vendimit për ta lënë jashtë ndaj Alavesit.
Megjithatë, duket se të dy nuk janë në një mendje, një situatë që thuhet se daton që nga fillimi i bashkëpunimit të tyre.
Carvajali u rikthye nga dëmtimi në janar, por ka pasur pak minuta si titullar dhe vazhdimësi nën drejtimin e Arbeloas, pasi është preferuar Trent Alexander-Arnoldi.
Arbeloa deklaroi të enjten se nuk ka asnjë problem me Carvajalin dhe se ishte thjesht një vendim i vështirë për të lënë njërin nga dy lojtarët jashtë.
Sipas gazetarit Jorge Picon, marrëdhënia mes tyre ka qenë e tensionuar që herët gjatë periudhës së Arbeloas në stol.
Carvajali mendon se trajneri nuk ka qenë i drejtë në përzgjedhje dhe se kjo po i pengon mundësinë e fundit për të luajtur në një Botëror me Spanjën.
Nga ana tjetër, Arbeloa beson se Alexander-Arnoldi po performon më mirë dhe se Carvajali mund të ishte sjellë më mirë si zëvendësues dhe si kapiten.
Kjo çështje ka pasur edhe më herët përplasje, me tentativa pajtimi në mars, por situata nuk ka ndryshuar shumë.
“The Athletic” përmend tensionet e mëparshme, ndërsa “Cadena SER” thekson se marrëdhënia mes tyre “nuk është më e mira”.
Sipas raportimeve, gjatë stërvitjeve Carvajali ka pasur vështirësi të mbajë ritmin me Vinicius Juniorin dhe Kylian Mbappen, dhe për Arbeloan aktivizimi i Alexander-Arnoldit është zgjedhja më logjike bazuar në meritë.
Është e vërtetë që 34-vjeçari nuk ka qenë shumë bindës në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa Alexander-Arnoldi ka kontribuar më shumë në aspektin ofensiv.
Nga ana tjetër, duke pasur parasysh mungesën e minutave, Carvajali ka pasur pak mundësi për të rikthyer formën e tij më të mirë fizike./GazetaExpress/