Shkruan Berat Buzhala: Fisniku nga Kjeva - Gazeta Express
string(18) "fisniku-nga-kjevaa"

Gazeta Express

12/09/2020 12:05

Shkruan Berat Buzhala: Fisniku nga Kjeva

Gazeta Express

12/09/2020 12:05

Pas një periudhe të gjatë në gjendje të komës, dje vdiq Sylejman Gashi, gazetari ikonë i viteve të luftës. Më kujtohet sikur sot, kur burrat e vjetër të anës sonë, kur tregonin se çka do të ndodhë me Kosovën, përveç tjerash, thoshin “ka thanë Syla”.

Shkruan: Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Sylën, përveç koleg dhe vendas, e kemi pasur edhe dhëndër të fshatit. Nuk kam çka të them për punën e tij në gazetari. U thanë dje shumica. Syla nuk ka qenë veç gazetar i mirë, ai ka qenë edhe misionar. Punën e gazetarisë Syla nuk e ka konsideruar kurrë si një punë prej të cilës ai e ushqen familjen ose e siguron mbijetesën. Ai këtë e kishte të siguruar. Njëjtë sikurse edhe figurat e tjera të asaj epoke, Syla, më tepër sesa për informim, angazhohej për sensibilizim, për ruajtje të moralit te qytetarët në Kosovë. Ai kujdesej që të jepte një fije të shpresës edhe atëherë kur ishte errësirë totale. Çdo deklaratë të ndonjë nëpunësi të rëndomtë të administratës amerikane, Syla e pasqyronte me pasion. Ai e dinte se të tillat ishin oksigjen për të gjithë ne që jetonim nën okupim. Mision i tij kanë qenë shpresa dhe optimizmi.

Sigurisht që do të ishte e çuditshme që prej një familjeje të llojit prej të cilit ai rrjedh të kishte dalë një tjetër djalë dhe një tjetër burrë. Syla ishte pinjoll, jo vetëm nga gjaku, por edhe nga mendja, i të përndriturit të kohës së vet, pleqnarit nga Kjeva, i njohur në tërë Kosovën, Ramadan Shabani. Kjo familje për rajonin tonë kishte qenë dhe mbetet si busull orientuese. Tahirhasanët, qysh njihen ndryshe, ishin avangardë për kohën. Kanë qenë të shkolluar dhe të ditur, përparimtarë dhe bashkëkohorë, si djemtë edhe vajzat. Për trimëri dhe patriotizëm nuk ua ka kaluar askush, ishin të parët. Rrethi ynë e kujton me krenari një figurë tjetër të dalluar të kësaj familjeje, Kajtaz Ramadanin, djalë i Ramadan Shabanit. Emrin e Kajtazit sot e mban shkolla në Kijevë. Ai ishte vrarë pabesisht nga partizanët shqiptarë dhe ata serbë fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kajtazi, edhe vetë i angazhuar në rezistencë kundër nazizmit dhe fashizmit, ishte pushkatuar, sepse pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kishte këmbëngulur që Kosova të bashkohej me Shqipërinë, ashtu siç ishin marrë vesh gjatë luftës.

Burrat tregonin që atij i ishte ofruar një falje prej krerëve të partizanëve shqiptarë të asaj kohe, me kusht që të zbythej prej kauzës së tij për bashkim me Shqipërinë.

“Unë nuk kam ftyrë me u kthy në liri edhe me ju thanë që tash po rrimë nën Serbi. Hup more bothpamuku i Gjakovës”, thuhej t’i kishte thënë Kajtazi njërit prej figurave kryesore të partizanëve shqiptarë.

Me Sylën vazhdimisht kemi biseduar për këto zhvillime. Ai ka qenë i rritur dhe i edukuar në këtë frymë. Martesa e tij me një vajzë katolike në fshatin tonë ka qenë hap i madh përpara. Ishte një precedent i mirë për të tjerët, një porosi që feja është dytësore, etnia është parësore.

Pushofsh në paqe, Syle! Mbetesh për ne një simbol i fisnikërisë dhe liberalizmit.

P.S

Në anën tjetër, sa herë e kam parë Sylën, m’u ka dukë që po e shoh Richard Gere’in.