Epistula e javës / Pasolini për F. Farolfi-n, gusht 1940 - Gazeta Express
string(52) "epistula-e-javes-pasolini-per-f-farolfi-n-gusht-1940"

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:02

Epistula e javës / Pasolini për F. Farolfi-n, gusht 1940

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:02

Pier Paolo Pasolini (1922-1975), poet, prozator, dramaturg, regjisor, skenarist dhe aktor italian, njëra prej figurave më të shquara të kulturës italiane të shek. XX

Pasolini për Franco Farolfi-n

Lexo Edhe:

[Casarsa, gusht 1940]

I dashur Franco, nuk do ta përdor dembelinë si shkak për heshtjen time të gjatë, duke qenë se dembelia është e falshme si ndjesë vetëm në mesin e të afërmëve në moshë; kam pritur të të përgjigjem, së pari shkaku i nisjes për në Casarsa, pastaj shkaku i martesës së kushërirë sime Annie1, mandej se duhej t’u shkruaja Paria-s dhe Emilietta-s, të cilave kisha gjëra më të ngutshme për t’ua thënë. Jam bosh dhe pa pikë vullneti. Ndodhitë kalojnë gjithmonë pa asnjë lezet, ndonjëherë mallëngjyese. Martesa është një gjë e bukur, por vetëm sa m’i ka konfirmuar idetë e mia kundër vetë martesës. Casarsa më ka zhgënjyer, po nga ana tjetër çdo gjë që është më zhgënjen dhe pasi që ka kaluar, e vajtoj: tash e gjithë ajo që fusha mund të ma japë mund ta kem: paqe, vajza, korrje, livadhe, nge, pije, e në të vërtetë e gjithë kjo është në posedimin tim, por është sporadike, e ujitur nga një rërke orësh boshe dhe të thara. Po sa do t’i vajtoj dimrit këto ditë, siç më bën vaki përherë! Shpresojmë të vijë Paria, kur je me ndonjë mik edhe minutat më të rëndomtë dhe bosh mund të përdoren.

Për çdo rast, diçka e bukur për t’u ngatërruar me ëndrrën, e kam pasur: udhëtimin nga S. Vito deri këtu, me biçikletë (130 km): i përket atij lloji të ngjarjeve që nuk mund të rrëfehen pa ndihmën e zërit dhe shprehjes. Agu, Dolomitet, i ftohti, njerëzit me fytyrat e zverdhura, shtëpitë dhe sagratet e jashtme, majat dhe luginat me mjegull të ndriçuara nga aurora.

Jam duke e lexuar një libër që po më pasionon, ‘Hiperionin’ e Holderlin-it; prek probleme dhe një ndryshim ndjenjash e gjendjesh shpirtërore që për mua janë një realitet prëvëlues; shumë herë duket se po e dëgjoj veten duke folur. Sa u përket vajzave, s’kam ç’të bëj veçse të zgjedh: kalon nëpër rrugë, i sheh dy zeshkanëze, i shikon dhe ato të thonë «Tung bukurosh!». Ka përnjëmend vajza të hirshme; por mefshtësia dhe skepticizmi im vënë përfundi çdo ndjenjë tjetër dhe jam në pritje të kush e di se çfarë, mbase të Paria-s.

Shkoj, siç e kam zakon, të luaj futboll, por as kjo gjë s’më zbavit më si dikur.

Prej se të shkruaj duket se unë jam vetmitar i trishtuar dhe pesimist, ndërkohë që kurrë s’kam qenë kaq i hareshëm dhe gjithë apetit: mbase varet nga fakti se po bëhem gjithnjë e më pak inteligjent (në kuptim e përgjithshëm të fjalës) dhe më shumë gazosë, të paktën kështu po më duket.

Të përqafoj

P.P.

Përshëndete familjen tënde

1)Annie Naldini

/Marrë nga Pier Paolo Pasolini “Le lettere”, Garzanti, 2021

/Përktheu: Gazeta Express