Dy fashistë për një të ardhme - Gazeta Express
string(29) "dy-fashiste-per-nje-te-ardhme"

Dy fashistë për një të ardhme

OP/ED

Gazeta Express

18/03/2024 16:41

Dy fashistë, në dy anët e tavolinës së bisedimeve, të tërhequr për tërkuzës me të cilën nga mbajnë të lidhur

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Ndoshta gjithherë ka qenë (dhe prandaj edhe është) kështu dhe ndoshta gjithkund ka qenë dhe është kësisoji. Mbase gjithmonë do të jetë kësodore. Dy fashistë në një tavolinë për të mbajtur në duar fillin e lëmshit të së tashmes sonë, të së ardhmes sonë (andaj edhe të së kaluarës sonë) – me vetëbesim, me arrogancë dhe në mënyrën më perverse të mundshme, në emër të paqes, respektit, mirëkuptimit. Vetëkuptohet, tashmë, jo të ulur aty me vetëdëshirë, nga parime e vizione humane, por të detyruar, të tërhequr zvarrë, si për tërkuze, deri aty.

***

Kurrë s’do të më shkonte në mendje se njëzet vjet pas trazirave të marsit, asaj tragjedie të turpshme të shkaktuar nga vetë ne, vrasjeve të bashkëqytetarëve tanë serbë dhe djegies së shtëpive të tyre dhe kishave ortodokse, më 17 dhe 18 mars 2004 – katër vjet pas luftës dhe katër vjet para shpalljes së Pavarësisë – ai që fatkeqësia jonë qyetatare ka dashur ta kemi për kryeministër do të ngrihej dhe do ta mbronte atë vepër të tmerrshme, duke e konsideruar si thjesht një protestë paqësore dhe reagim ndaj një tragjedie tjetër – vdekjes tragjike të tre fëmijëve në lumë – shkaqet e vërteta të së cilës ende nuk i dimë.

17 dhe 18 marsi 2004 janë – që të përdorim tash edhe klishetë që na e shpifin – një prej faqeve më të zeza të historisë sonë dhe, kam guximin tim qytetar të them, faqja më e zezë e historisë së pasluftës.  

***

Ashtu siç kurrë s’do të më shkonte në mendje ministri i Brendshëm i atij që fatkeqësia e një vendi multietnik ka dashur ta kemi për kryeministër do të përdorte policinë për të përndjekur ca qytetarë – vandalë a të frustruar a bartës të urrejtjes ndëretnike – që shkarravisin tabelat dhe mbishkrimet në gjuhën shqipe, në venbanimet e tyre me shumicë serbe, ku, sipas ligjit, duhet të kenë si gjuhë të parë atë serbe.

Sigurisht, në tërë territorin tonë, e madje jo vetëm andej ku vendbanimet janë me shumicë shqiptare, që prej mbarimit të luftës, të gjitha tabelat, shenjat rrugore dhe mbishkrimet e tjera në gjuhën serbe janë të shkarravitura, mbuluara me ngjyrë, bërë të palexueshme – nga vandalë a të frustruar a bartës të urrejtjes ndëretnike. Prore kam ndier neveri nga kjo. Kurrë asnjë fjalë s’e kemi thënë. Për gjithë këto vite, kurrë askush dhe askund nuk është ndaluar a ndëshkuar për një veprim të tillë. Kam bindjen se edhe në rrugën ku banon ai që fatkeqësia jonë shoqërore e ka dashur që ta kemi për kryeministër, ka mbishkrime të tilla të shkarravitura.

***

Cila është e ardhmja (të paktën ajo e afërme) e një shoqërie multientike ku kryeminsitri ngre memoriale e përmendore për viktimat e etnisë së vet dhe injoron dhe mohon ato të etnisë tjetër? Apo përdor vrasjen e të rinjve serbë nga forcat serbe për ta sulmuar bashkëvëllain fashist nga ana tjetër e kufirit, ndërsa injoron vrasjen e qytetarëve serbë nga shqiptarët pas luftës?

Apo kur ua heq bashkëqytetarëve serbë pensionistë, shumica në moshë të shtyer e të katandisur në një vend që s’e duan a s’i do, mundësinë që të marrin pensionet e tyre të shkreta në valutën me të cilën janë shërbyer gjithë jetën?

Ku Kuvendi i Kosovës mirëpret në sallë për të kënduar këngëtarë të folklorit nacionalist, nxitësve më brutalë të urrejtjes ndëretnike?

***

Jo vetëm që është kusht, por do të duhej të ishte ideal dhe gatishmëri në mënyrë krejt të natyrshme, që para se të pranohemi në një shoqëri europiane, ku do të trajtoheshim si të barabartë, të krijonim një shoqëri të tillë në miniaturë, në vendin tonë, ku do t’i trajtonim të tjerët të barabartë.

***

Tërkuza për së cilës po i tërheqin të që ulen në tavolinën e bisedimeve, dy fashistët që drejtojnë dy vendet tona, Kurtin e Vuçiqin, është në të vërtetë tërkuza për së cilës ata vetë na mbajnë të mbërthyer neve, qytetarëve të dy vendeve.