Dështon seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Prizren - Gazeta Express
string(89) "deshton-seanca-e-rigjykimit-per-korrupsion-ndaj-ish-drejtorit-te-inspektoratit-ne-prizren"

Dështon seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Prizren

Gazeta Express

29/01/2020 13:17

 Ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit, e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Nerjovaj, i cili ka qenë edhe zëvendësministër i Administratës Publike, akuzohet se gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Nerjovaj, dhe palës së dëmtuar, përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Nerjovaj, mbrojtësi i tij, avokati Blerim Mazreku, tha se i akuzuari e ka njoftuar se ka rast vdekje në familje, me ç’rast ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Ndërsa, lidhur me mungesën e palës së dëmtuar, përkatësisht të përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, gjykatësi Xheladin Osmani, ka thënë se më 20 janar 2020, kryetari i Komunës së Prizrenit, me parashtresë ka kërkuar nga kryetari i kësaj gjykate të shtyhet mbajtja e seancave gjyqësore lidhur me lëndët e Komunës së Prizrenit, derisa të caktohet një alternativë nga Komuna për përfaqësim ligjor dhe atë brenda një afati sa më të shkurtër kohor.

Ndryshe, një numër i madh i seanca gjyqësore janë shtyrë këtë javë në mungesë të përfaqësuesve ligjorë të Komunës së Prizrenit, pasi që udhëheqësi i sektorit ligjor i kësaj komune, Arben Krasniqi, dhe përfaqësuesi ligjor i saj, Shqipëron Krasniqi, që nga 16 janari 2020, gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykatësi Xheladin Osmani, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, ndërsa seancën e radhës e  ka caktuar më 23 mars 2020, në ora 10:00.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda një viti pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin nga akuza së të mbrojturit të tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.