Deputeti i PDK-së nuk u pajtua që t'u hiqet Devollëve monopoli në homologim - Gazeta Express
string(73) "deputeti-i-pdkse-nuk-u-pajtua-qe-ti-hiqet-devolleve-monopoli-ne-homologim"

Deputeti i PDK-së nuk u pajtua që t’u hiqet Devollëve monopoli në homologim

Gazeta Express

01/10/2020 9:40

Bajrush Xhemaili i PDK-së ka abstenuar në votimin ku kërkohej që Devollëve t’u hiqet monopoli në homologim, në Komisionin për Infrastrukturë, merr vesh Gazeta Express. Megjithatë, deputeti i Partisë Demokratike nuk ka qenë i qasshëm kur është thirrur për t’u pyetur për këtë temë.

Të gjithë anëtarët e Komisionit për Infrastrukturë, përveç deputetit të PDK-së, Bajrush Xhemaili, janë pajtuar që të ndryshohet ligji, me anë të të cilit mundësohet heqja e homologimit të veturave.

Lexo Edhe:

Xhemaili për dallim nga kolegët e tij, ka abstenuar kur ky propozim është hedhur në votim në komisionin përkatës, merr vesh Gazeta Express.

Për arsyet që e kanë shtyrë të abstenojë këtë votim, Xhemaili nuk ka qenë i qasshëm kur është kontaktuar përmes telefonit nga Gazeta Express.

Në Komisionin për Infrastrukturë dje ka kaluar Projektligji për Ndryshimin e Ligjit për Automjete, me anë të të cilit do të hiqej homologimi i veturave që vijnë nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia. Homologimin, që konsiderohet krejt i panevojshëm, e kryen vetëm kompania në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Ky projektligj pritet të dalë për votim edhe në Kuvend të Kosovës, derisa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, që është anëtar i këtij Komisioni, ka thënë dje për Gazetën Express se pret që kjo të ndodhë shumë shpejt.

“Në mbledhjen e djeshme të Komisionit kishte vetëm një abstenim, gjithë të tjerët votuan pro këtij projektligji. Pjesa tjetër është procedurë standarde e Kuvendit dhe besoj që projektligji do të vijë shumë shpejt në seancë plenare”, ka thënë Çeku.

Pos Xhemailit, pjesë e këtij Komisioni janë: Liburn Aliu i LVV-së, si drejtues; Evgjeni Thaçi nga PDK-ja, Hajrullah Çeku dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV-ja, Adem Hoxha nga partia e goranëve, Xhavit Uka dhe Ilir Ferati nga LDK-ja, Arbër Tolaj nga AAK-ja, Millosh Peroviq nga Lista Serbe dhe Arbëreshë Kransiqi nga Nisma Socialdemokrate.

Ndryshe, çështja për ndryshimin e Ligjit për Automjete u iniciua nga një peticion, ku u mblodhën 10 mijë nënshkrime.

Secili qytetar që importon automjet nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Për vite me radhë, homologimin në Kosovë e kryen vetëm kompania “Euro-Lab”, që është në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Gazeta Express vazhdimisht ka raportuar për homologimin dhe monopolet e tjera që shteti u ka dhënë biznesmenëve të familjes Devolli nga Peja. /Express/