Një deputet nuk u pajtua që të hiqet monopoli i Devollëve për homologim të veturave - Gazeta Express
string(83) "nje-deputet-nuk-u-pajtua-qe-ti-hiqet-monopoli-i-devolleve-per-homologim-te-veturave"

Një deputet nuk u pajtua që të hiqet monopoli i Devollëve për homologim të veturave

Gazeta Express

30/09/2020 12:36

Të gjithë anëtarët e Komisionit për Infrastrukturë janë pajtuar që të ndryshohet ligji, me anë të të cilit do të hiqej homologimi i veturave, vetëm një nuk ka votuar pro.

Në Komisionin për Infrastrukturë dje ka kaluar projektligji për ndryshimin e Ligjit për Automjete, me anë të të cilit do të hiqej homologimi i veturave që vijnë nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia. Homologimin, që konsiderohet krejt i panevojshëm, e kryen vetëm kompania në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Lexo Edhe:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, që është anëtar i këtij Komisioni, ka thënë për Gazetën Express se ka mbetur që ligji të dalë për votim në Kuvend, e këtë e pret të ndodhë shumë shpejt.

“Në mbledhjen e djeshme të Komisionit kishte vetëm një abstenim, gjithë të tjerët votuan pro këtij projektligji. Pjesa tjetër është procedurë standarde e Kuvendit dhe besoj qe projektligji do të vijë shumë shpejt në seancë plenare”, ka thënë Çeku.

Nuk dihet se kush është deputeti që abstenoi, ndërsa pjesë e këtij Komisioni janë: Liburn Aliu i LVV-së, si drejtues; Bajrush Xhemaili dhe Evgjeni Thaçi nga PDK-ja, Hajrullah Çeku dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV-ja, Adem Hoxha nga partia e goranëve, Xhavit Uka dhe Ilir Ferati nga LDK-ja, Arbër Tolaj nga AAK-ja, Millosh Peroviq nga Lista Serbe dhe Arbëreshë Kransiqi nga Nisma Socialdemokrate.

Ndryshe, çështja për ndryshimin e Ligjit për Automjete u iniciua nga një peticion, ku u mblodhën 10 mijë nënshkrime.

Secili qytetar që importon automjet nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Për vite me radhë, homologimin në Kosovë e kryen vetëm kompania “Euro-Lab”, që është në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Gazeta Express vazhdimisht ka raportuar për homologimin dhe monopolet e tjera që shteti u ka dhënë biznesmenëve të familjes Devolli nga Peja. /Express/