Balotelli tregon pse e vlerëson Messin më shumë sesa Ronaldon - Gazeta Express
string(61) "balotelli-tregon-pse-e-vlereson-messin-me-shume-sesa-ronaldon"

Gazeta Express

12/08/2020 15:08

Balotelli tregon pse e vlerëson Messin më shumë sesa Ronaldon

Gazeta Express

12/08/2020 15:08

Mario Balotelli e ka komentuar deklaratën e tij të vitit të kaluar lidhur me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, duke sqaruar këtë herë pse mendon se argjentinasi i Barcelonës është më i mirë sesa portugezi i Juventusit.

Pas ndeshjes së parë mes Liverpoolit dhe Barcelonës në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve, sulmuesi italian Mario Balotelli e kishte shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për ta lavdëruar kapitenin e Barcelonës, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Për hir të futbollit, ju lutem mos e krahasoni atë [Messin] me numrin shtatë të Juventusit [Ronaldon] më”, kishte shkruar Balotelli vitin e kaluar.

Së fundi, Balotelli është pyetur sërish për këtë deklaratë të tij dhe e ka sqaruar pse e vlerëson më shumë yllin e Argjentinës sesa atë të Portugalisë.

“Nëse flasim vetëm për statistika, atëherë ata janë të njëjtë”, sqaroi ai në një deklaratë për Football Italia.

“Por, si dikush që e kam pasur rastin të luaj kundër të dyve, unë mund të them se, sipas mendimit tim, Messi është jashtë nivelit të kësaj bote… është e turpshme. Nuk mund të dalësh kurrë mirë kundër tij”.

“Sa i përket cilësisë, Messi është më i mirë sesa të gjithë të tjerët. Jam i bindur se nëse e pyesni një mbrojtës se a preferon të luajë kundër Messit apo Ronaldos, ata s’do të kenë fare dyshime”.

“Është e vërtetë që Messi dhe Ronaldo janë dy fenomene, por ata s’janë të njëjtë. Nëse nuk do të kishte ekzistuar Messi, atëherë Ronaldo do të ishte më i miri në botë”.

“Kam shumë respekt për Ronaldon, për mënyrën se si ai ushtron dhe është kënaqësi ta shoh atë duke luajtur dhe ta shoh se si punon me fizikun e tij. Ronaldo e preku topin tre herë kundër Atletico Madridit dhe i shënoi tri gola, por kjo është pika e tij e fortë”.

“Pastaj njerëzit u zemëruan me mua dhe më thanë se s’ia kam idenë se për çfarë po flas… Ne po flasim për dy lojtarët më të mirë në botë”. /Gazeta Express/