Arsenali duket se më në fund ka siguruar përforcimin që kërkonte në mesfushë.
Sipas “The Times”, klubi londinez ka arritur marrëveshje me Newcastle United për transferimin e Bruno Guimarães.
Reprezentuesi brazilian do t’i kushtojë Arsenalit mbi 93.5 milionë euro, përfshirë bonuset, ndërsa 82 milionë euro do të jenë pagesë fikse.
Arsenali kishte kohë që po e ndiqte Guimarãesin. Gjatë Kupës së Botës u bë e qartë se kampionët e Premierligës dëshironin ta përforconin mesfushën me kapitenin e Newcastle United, edhe pse klubi anglez nuk kishte aspak dëshirë ta shiste.
Në fund të muajit qershor, Arsenali paraqiti ofertën e parë prej 64 milionë eurosh, por ajo u refuzua menjëherë nga Newcastle.
Më pas, “Topçinjtë” rikthyen një ofertë të dytë me vlerë mbi 70 milionë euro, e cila gjithashtu u hodh poshtë.
Guimarães, i cili ka kontratë me Newcastle United deri në verën e vitit 2028, kishte bërë të qartë që në fillim se ishte i hapur për një transferim në “Emirates”, por u detyrua të priste zhvillimin e negociatave.
Pak ditë më parë, Arsenali paraqiti një ofertë të tretë prej 81 milionë eurosh. Edhe kjo u refuzua, megjithatë klubet iu afruan ndjeshëm një marrëveshjeje.
Tashmë, sipas raportimeve, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një transferim me vlerë mbi 93.5 milionë euro, duke përfshirë bonuset.
Të premten, Guimarães nuk udhëtoi me skuadrën e Newcastle për kampin përgatitor në La Manga të Spanjës, ku ekipi po përgatitet për sezonin e ri.
Kontrollet mjekësore me Arsenalin pritet të zhvillohen të hënën.
Nëse transferimi finalizohet, Newcastle do të humbasë edhe një tjetër lojtar të rëndësishëm gjatë kësaj vere. Më herët, nga klubi janë larguar edhe Anthony Gordon, i cili u transferua te Barcelona, si dhe Sandro Tonali, që iu bashkua Tottenham Hotspurit./GazetaExpress/