Federatat kombëtare të futbollit kanë intensifikuar fushatën kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, edhe pasi ai hoqi dorë nga plani për t’i hapur garat e FIFA-s, me Kupën e Botës në krye, investitorëve privatë.
Sipas rrjetit francez “RMC”, si Federata Gjermane e Futbollit (DFB), ashtu edhe Federata Angleze e Futbollit (FA), kanë kritikuar ashpër Infantinon.
DFB e akuzoi presidentin e FIFA-s se “ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme”, ndërsa FA kërkoi një “rishikim të plotë dhe rigoroz” të qeverisjes së FIFA-s.
Presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, dënoi mënyrën se si u menaxhua projekti, duke kërkuar një “hetim të plotë” për mënyrën e hartimit të tij, si dhe një “ndryshim rrënjësor të kulturës” brenda organit drejtues të futbollit botëror.
Duke folur për “Agence France-Presse”, Neuendorf u shpreh: “Gianni Infantino veproi në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe, në fund të fundit, në mënyrë të papërgjegjshme ndaj interesave të futbollit”.
Ai shtoi: “Së bashku me UEFA-n dhe konfederatat e tjera, duhet të sigurohemi që në FIFA të mbizotërojë një kulturë krejtësisht ndryshe. Një kulturë ku vendimet diskutohen dhe merren nga anëtarët përmes organeve drejtuese”.
Nga ana tjetër, Federata Angleze e Futbollit theksoi se: “Ka ardhur koha për një rishikim të plotë dhe rigoroz të udhëheqjes dhe qeverisjes së FIFA-s, për të siguruar që futbolli botëror të drejtohet në mënyrë transparente”.
Edhe presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, e kishte cilësuar projektin si “shqetësues”, ndërsa Franca synon të sigurojë organizimin e Kupës së Botës në vitin 2038 ose 2042.
Përmes një postimi në platformën X, Federata Angleze e Futbollit shprehu gjithashtu mbështetjen e saj të plotë për qëndrimin e UEFA-s kundër projektit të propozuar nga Gianni Infantino./GazetaExpress/