Arapi, poeti lirik që erdhi përmes…italishtes - Gazeta Express
string(43) "arapi-poeti-lirik-qe-erdhi-permesitalishtes"

Arte

Gazeta Express

18/01/2021 15:46

Arapi, poeti lirik që erdhi përmes…italishtes

Arte

Gazeta Express

18/01/2021 15:46

Te poezia  lirike e Arapit zbulova “ muzikën e bisedimit”,  që ka vetinë  t’u veshë thjeshtësisë dhe të natyrshmes,  veshjen vezulluese të artit. Motivet, jo  vetëm ato për dashurinë, shtjelloheshin  me mjeshtërinë  e dyfishtë të shkrimit  në letër dhe  hedhjes  si  në pentagram

Nga Preç Zogaj

Lexo Edhe:

Kisha mbaruar shkollën e mesme të Kulturës në Tiranë, punoja në kooperativë, kryesisht në hapje kanalesh kulluese e drenazhuese, në pritje se mos ndodhte ndonjë mrekulli dhe filloja studimet në Universitet. Kisha mësuar, më saktë vazhdoja të mësoja gjuhën italiane si autodidact; thyeja veshin me gjuhën e re duke dëgjuar emisione të radiove italiane, por doja të  “thyeja” edhe syrin përmes leximit të çdo libri të mundshëm në italisht. Dhe kështu, me sugjerimin e një miku, iu drejtova librarisë  “Libri ndërkombëtar”,  në rrugën e Elbasanit, në Tiranë, ku mes librave të paktë në italisht me zunë sytë një vëllim me poezi të Fatos Arapit.  E njihja më së shumti nga tekstet e shkollës së mesme ketë poet. Në shkrimet për poezinë në gazetën ”Drita”, emri i tij  përmendej (jo gjithmonë), në rend me  Kadarenë dhe Agollin. Nuk kisha  pasur në të vërtetë  ndonjë tërheqje të veçantë, po as edhe ndonjë ide të qartë për poezinë e tij.

E bleva librin të cilin s’vonova ta shfletoj rrugës dhe të zbuloj, edhe me aq italisht sa dija, një poet të panjohur,  shumë të ndryshëm nga  ai që kisha në mendje.  Jo se në  librin që mbaja në duar mungonin tituj e poema, nga ato që  na kishte shpjeguar mësuesja e letërsisë në shkollë. Por gjeta aty  poezi  të një tematike  krejt tjetër, poezi dashurie,  të shkurtra dhe të gjata,  plot dritë, emra  grash në titujt  e tyre – Halida, Natasha, Magdalena, – ritme, kadenca, tone dhe melodi, që nuk i kisha ndeshur më parë në  poezinë shqipe.

E lexova disa herë me kureshtje dhe kënaqësi të madhe  vëllimin “Poesie” të Fatos Arapit,  përgatitur nga  shtëpia botuese “Naim Frashëri”,  ku mungonte për fat të keq emri i përkthyesit.. Ndjeshmëria  e thellë,  mendimi i ri,  muzika e vargjeve,  sikur kishin gjetur te italishtja një faltore  për t’u bërë bashkë.  Prarimi që më shkaktonin,  i ngjashëm  me mahnitjen  që  kisha përjetuar kur pata zbuluar  në bibliotekën  e shkollës  vëllimin “ Fije bari” të Uallt Witmanit, doli mbi  qëllimet  utilitare të  blerjes së atij libri. Unë po e lexoja  Fatos Arapin si të ishte një poet italian, apo për ta thënë ndyshe, po e lexoja në gjuhën universale të poezisë, në poezisht, nëse do të shkonte një  fjalë  si kjo.

Sot e  kësaj dite kujtoj vargjet e poezisë  “Halidës”: “Silenzio sulla terra e in ciel silenzio/ Silenzio sopra noi/Oh quanto grande, quanto sterminato/ Sotto questo silenzio e l’universo. ( Heshtje mbi tokë  edhe në qiell heshtje/heshtje mbi ne/ Oh!  Sa e madhe, sa e pafundme/  në këtë heshtje ësht’  gjithësia”.  Më vonë do t’i lexoja  edhe në shqip poezitë “Vargje për Halidën”, “Natashës”, “ Ti do të vish”, “Dashuri në pranverë”,  “Është një lojë”; do të mësoja përmendësh   vargje  të tilla si “dashuritë  janë të shumta, dashuritë janë  të ndryshme / Nëpër heshtje na shpojnë / shikimet e trishtme”, apo  “Nuk po me njeh?/Erdhëm në jetë të dy duke qarë/ jemi prej shekujsh bashkudhëtarë”,  nga poezia e mrekullueshme “Dy sy nën obmrellë”.  Ishin poezi të abstraksioneve  intelektuale brenda natyrës së poezisë,  të  gjuhës bisedimore gjithashtu,  të një etike të emancipimit. Fryma,  ngjyrimi metropolitan, dhe gjithë ligjërimi i kulluar  i lartësonte  në  rangun e poezisë së madhe.  Po të citoja atë çfarë kam lexuar shumë vite më vonë nga Oktavio  Paz,  te poezia  lirike e Arapit zbulova “ muzikën e bisedimit”,  që ka vetinë  t’u veshë thjeshtësisë dhe të natyrshmes,  veshjen vezulluese të artit. Motivet, jo  vetëm ato për dashurinë, shtjelloheshin  me mjeshtërinë  e dyfishtë të shkrimit  në letër dhe  hedhjes  si  në pentagram. Poezia “ Vdekja e gjyshes”, të cilën e di përmendësh sot e kësaj dite, ilustron këtë tandem.

“Ecco nela bara anche la nonnina/ come dentro la scatola /una graziosa bambolina/ …E lei eppur non e tuta lei, / non e com’e stata sempre, direi/ La guardi… e ancora piu forte/ ti sembra fittizio il silenzio/ fittizia ti sembra la morte”. Më vonë  gjeta në Tiranë vëllimin  poetik  “Me jepni një emër” të autorit,  ku ishte botuar “Gjyshja”. Nxitova ta lexoj shqip. Ishte po ajo që kisha lexuar e dija përmendesh në italisht. Ky  dyzim më  konfuzonte në lidhje me amzën e saj. Versionet  në dy gjuhë të ndryshmenuk përkonin, në kuptimin që versioni  në shqip  të  shkrihej me atë në italisht, apo anasjelltas. Ngjanin  dy sozi në idioma të ndryshme.  Në leximin e parë më dukej se poezia në italisht ishte origjinalja, por  sa më shumë familjarizohesha me versionin në shqip, ndjeja  jo pa  gëzim bukurinë e papërkthyeshme të shqipes.  Fundja le të qëndronin në mbamendjen time  dy  poezi  të  njëjta në  “kostume”  gjuhësore të ndryshme.                            “Ja dhe gjyshja në arkëz/ Kukull e vogël  në kartëz / Është dhe prapë s’është e tëra/Sikur nuk është si përhera…/  E sheh dhe të duket heshtja/ pe gjasme dhe pe gjasme vdekja”.

“Fatos Arapi diferencohet si poet duke  e lexuar në italisht”, citohej të kishte thënë në ato vite Dhimitër Shuteriqi.  Në mos  e vërtetë,  ishte e gjetur mirë!   Muaj më vonë,  gjeta një cikël me poezi të  Arapit,  botuar në revistën “Nëntori”, të cilat  i lexuam me Rudolf Markun  në shkallët  e shtëpisë së tij.  Ashtu siç na ndodh të përceptojmë  praninë e  luleve në fletët e një libri falë aromës së   tyre të veçantë, mua më dukej se  brenda fletëve  të revistës fekste një dritë e rrallë që sikur e bënte të shenjtë atë.  “Është  usta i poezisë”, tha   Rudolfi, në përqasje  besoj me dedikimin “ milglior fabbro”  të  Tomas Eliotit për  poetin e tij të dashur, Ezra Pound.  Dhe vërtetë, poezia e Arapit edhe në atë revistë ngjante të ishte gdhendur me daltë dhe nxirrte tinguj. Asgjë nuk mungonte dhe asgjë nuk ishte  e tepërt, gjë që e bën poezinë një krijesë të gjallë,  në një harmoni të përsosur  të  elementëve të saj, që shprehin një  gjendje poetike të caktuar. Për ilustrim po sjell këtu poezinë “Dahau”, të cilën gjithashtu e mësova përmendësh për të mos e harruar ndonjëherë:

Nga dita në ditë

nga viti në vit.

Varr që ecën

udhëton, Dahau.

Nëpër mjergullat  e jetës.

Nga viti në vit

nga shekulli në shekull

njeriu i heshtur.

Ndanë udhës dëgjon

kërkëllimën e skeleteve

që brenda mban kjo fjalë:

Dahau.

Njeriu s’ harron.

Pas nja shtatë vjetësh, kur kisha filluar punë në gazetën “Zëri i rinisë”, shkrova dhe botova në faqen letrare të kësaj gazete një shkrim për poezinë e Fatos Arapit. I vura titullin “Gjuha  që këndon”.  Atëherë nuk e kisha lexuar ende  Borhesin, që ka thënë se poezia e madhe tenton drejt muzikës, por më duket se në shkrimin tim kisha nxjerrë në pah këtë lloj tentacioni të poezisë së Arapit. Ai erdhi të më takonte në redaksi. Donte të më shihte me sy kush isha. Isha shumë i emocionuar për shkak të nderimit të madh që kisha për të.  Nga natyra, e kisha zakon të krijoja një imazh timin për shkrimtarët sipas  veprës së tyre,  dhe nuk më kishte dalë kurdoherë mirë të ballafaqoja imazhin me njohjen e tyre të drejtpërdrejtë. Në atë  takim dhe përgjithmonë në vitet e mëpastajme,  ndërsa me privilegjoi duke më dhënë një miqësi ndër më të çmuarat e jetës  sime, njoha  më thellë Poetin,  që ishte veçse i tillë në gjithë ekzistencën e tij; njeriun e përkorë dhe njëkohësisht impulsiv, nga të rrallët  njerëz  që nuk e shihje të cekte në banalitet në asnjë rrethanë;  “njeriun e mrekulllueshëm”, siç më kishte thënë Dolfi  në Lezhën tonë të rinisë, kur më kishte treguar se si i kishte ndihmuar  Ndoc Gjetjen dhe  vetë Rudolfin, në fillimet e tyre letrare.

Fatos Arapi shkroi shumë libra me poezi pas  ndryshimeve demokratike, duke dëshmuar vitalitetin e takimit të talentit me lirinë, mbeti gjithnjë  gdhendësi  me daltë i vargjeve  didaskalike dhe subtile; një poet me ekzigjenca  dhe përgjegjësi të lartë stilistike, që e pasuroi si pakush ligjërimin poetik në shqip,  duke e vënë  gjuhën tonë në sprova të panjohura më parë të finesës shprehëse.  Qëndroi si një figurë e rrallë e jetës publike mes ngjarjeve që rrodhën në vitet e  hapjes, vuajti  si poet dhe qytetar aberacionet, marrëzitë, shëmtimin, injorancën, arrogancën…  “Shqipërinë e shpëton dielli”, më thoshte. Shurdhëria dhe tjetërsimet sunduese në vend, e  vunë në mendime të thella – “nuk është Shqipëria ime kjo”, më tha një ditë me  zërin e ngjyer me dëshpërim.  Nga fundi i jetës u mbyll  brenda mureve të një apartmenti  në një  lagje të  Tiranës, një  gjest që kishte edhe kuptimin e mbylljes në “ Shqipërinë e tij” të virtyteve, diellit dhe hirit. Testamentin sikur e kishte shkruar shumë vite më parë:  “Dhe kur të vdes/ S’dua asgjë / Veç një  varr të thjeshtë/ Atje në bregdet/ Ku nëpër netë/ bisedojnë lisat me qiparizat/ Dhe fjalë të kaltra/ flet dhe shpërndan/ deti matanë…

Kështu poeti i AdriJonit. Po unë e shoh  duke kaluar nëpër kohë me një këmishë me kuadrate… /Gazeta Liberale