Ana e panjohur: Përgatitja politike e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 (I) - Gazeta Express
string(80) "ana-e-panjohur-pergatitja-politike-e-deklarates-kushtetuese-te-2-korrikut-1990-i"

Gazeta Express

07/07/2020 12:10

Ana e panjohur: Përgatitja politike e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 (I)

Gazeta Express

07/07/2020 12:10

Çfarë ka ndodhur krejt në Kosovë, në pranverën e vitit 1990, që bëri të mundshëm aktin suprem të Kuvendit të Kosovës, me 2 korrik të këtij viti.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Këto ditë u shënua 30 vjetori nga Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, e shpallur me 2 korrik, të vitit 1990.

Përmes kësaj Deklarate Kushtetuese, të përkrahur dhe nënshkruar nga 115 delegatët e Kuvendit të Kosovës, Kosova shpallej njësi e barabartë në Jugosllavinë  (e atëhershme), që kishte domethënien që Kosova bëhej Republikë në Republikën Federative të Jugosllavisë.

Njëkohësisht, me këtë Deklaratë Kushtetuese bëhej anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës, i datës 23 mars të vitit 1989, përmes të cilit, Kosova pati humbur autonominë politike.

Si rëndom në këto raste kur ndodhë një rikujtim publik i një ngjarje madhore (njërës prej më kryesoreve) në historinë e re të Kosovës, na u rikthyen, me deklarata, biseda dhe intervista, me rrëfime emocionale, kryeprotagonistët  (delegatët) e atyre pamjeve të paharrueshme në hyrjen e godinës së Kuvendit të Kosovës, të 2 korrikut të vitit 1990-të.

Sërish u fol për detalet e shumta të cilat në përbashkësinë e tyre e bëjnë këtë kallëzim të jashtëzakonshëm historik dhe politik të Kosovës.

Megjithatë, as kësaj here, dhe as në ato ngjarjet e viteve të kaluara të rishfaqjes së 2 korrikut në skenën politike të vendit, nuk është folur fare për atë kontekstin e gjerë politik, të pranverës së vitit 1990-të, i cili e bëri të domosdoshëm një akt dhe një veprim të këtillë të Kuvendit të Kosovës.

Në pranverën e këtij viti  (1990-të), në Kosovë e kishim një situatë goxha paradoksale, kur bëhet fjalë për zhvillimet politike në vend.

Në Kosovë nuk kishte më Lidhje Komuniste të Kosovës  (si degë të LKJ-së, Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë), teksa kjo parti ende, kudo në ish-RSFJ, ishte burimi autentik i pushtetit, edhe pse tashmë kishte nisë procesi i pluripartizmit, veçanërisht në dy republikat në Veri dhe në Perëndim, apo, në Slloveni dhe në Kroaci, i cili do të mundësojë edhe organizimin e zgjedhjeve demokratike në këto dy republika.

Në dimrin e këtij viti kishte ndodhur shpërbërja e kësaj LKK-së, pas daljes të thuaja të gjithë anëtarëve shqiptarë prej saj, pas themelimit të LDK-së dhe të subjekteve të tjera politike shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës u distancuan në këtë mënyrë nga një Parti Komuniste, dhe nga një regjim komunist, i cili pati shënuar, realisht, një emër tjetër të okupimit të Kosovës, i cili pati nisur në vjeshtën e vitit 1912-të, me pushtimin e Kosovës nga forcat serbe.

Në Kosovë Lidhja Demokratike e Kosovës  (LDK), dhe subjektet tjera politike të formuara në dimrin e vitit 1989/ 1990, të cilat së bashku përbënin atë organizimi që njihej si ‘Alternativa kosovare’, ishin pushteti i vetëm real politik, apo, edhe pse këtupari nuk kishte pasur ende zgjedhje të lira dhe demokratike, dihej botërisht që LDK e Dr.Ibrahim Rugovës dhe entitetet tjera politike, kanë të drejtën e përfaqësimit të vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës.

Kosova tutje kishte një Qeveri  (Këshillin Ekzekutiv), dhe një Kuvend, por ato realisht, tej një pushteti formal  (i cili do të ndërlidhej më pas me këtë pushtetin real, në një dyzim të pashmangshëm politik), nuk kishin më të thuash kurrfarë ndikimi real politik as në vend, dhe as në ato raportet në kuadër të Federatës së atëhershme, të cilat ishin tej mase problematike dhe të tensionuara, në vijim të zhvillimeve në vet RSFJ, por edhe në Evropë.

Muri i Berlinit kishte ra me 9 nëntor të vitit të kaluar  (1989), Komunizmi kishte nisë të shembej në gjithë ish-Evropën Lindore, teksa në RSFJ, tash e tri vjet ishte shpërfaqur ai marshimi politik i nacionalizmit serb, i cili kishte goditur katër prej tetë njësive federale të RSFJ-së  (Serbinë, Kosovën, Vojvodinën dhe Malin e Zi), dhe synonte ta ndryshonte atë federatën e atëhershme, sipas masës së vet.

RSFJ, në realitet, tashmë kishte marrë një Dënim kapital, me vdekje, apo me zhbërje, në vijim të këtyre ngjarjeve në ish-Kampin komunist në Evropë, dhe brenda vet RSFJ-së.

Ky shtet nuk mund të mbijetonte pas përfundimit e Komunizmit dhe pas instalimit të demokracisë, me rishfaqjen e të drejtës për vetëvendosje, si dhe me këtë mësymjen e Nacionalizmit serb.

LDK dhe ‘Alternativa kosovare’, qëllimisht insistonin që edhe qytetarët e Kosovës të pajisen me të drejtën për demokratizim, duke iu shmangur, në këtë fazën e parë të ekzistimit të vet, temave madhore politike që kishin të bënin me vet statusin e Kosovës, i cili kishte ndryshuar dhunshëm, nën rrethanat e Gjendjes së Jashtëzakonshme, me praninë masive të forcave ushtarake dhe policore, në Kuvendin e Kosovës, me 23 mars të vitit të kaluar  (1989).

Opinioni mbizotërues në LDK dhe në subjektet tjera politike të Kosovës, në pranverën e vitit 1990-të ishte që Kosova nuk do të mund të përjashtohej nga vala e madhe e procesit të demokratizimit të RSFJ-së, dhe që në një të ardhme të afërt, do të mund të kishte edhe në Kosovë zgjedhje për pushtetin demokratik, dhe që pastaj, ky pushtet, i cili natyrisht do të reflektonte gjendjen reale politike në vend, do të mund të ndërmerrte veprimet e duhura për pozicionin apo statusin e Kosovës në RSFJ-në e atëhershme.

Nga perspektiva e sotme, ky opinion natyrisht që del naiv dhe i paqëndrueshëm, por në atë kohë, një opinion i këtillë nuk ka mundur të mos merrej në konsideratë. 

Pra, në ato rrethana, LDK dhe ‘Alternativa kosovare’, nuk kanë mundur të rrezikojnë mbijetesën e tyre  (tek e fundit, asnjëra prej këtyre entiteteve ende nuk e kishte legalizuar në Federatë subjektivitetin e vet), duke u shfaqur me atë kërkesën e njohur që nga demonstratat e pranverës së vitit 1981-të, për shpalljen e Republikës së Kosovës.

Po ta bënin këtë, do të ndodhte shuarja e dhunshme e LDK-së dhe e partive të tjera, burgosja e liderëve të tyre, dhe shqiptarët e Kosovës do të mbeteshin pa kurrfarë pushteti dhe pa kurrfarë udhëheqje, dhe pa mundësinë që të orientohen në një udhëkryq të madh historik dhe politik.

Në anën tjetër, çështja e Kosovës kishte nisë të ndërkombëtarizohej  (si thuhej atëherë), në Kongresin Amerikan dhe në Parlamentin Evropian, por thuaja kryekëput, si çështje e shkeljes të drejtave të njeriut, dhe jo si një çështje e të drejtës së një populli për të vendosur për fatin e vet.

Tek e mbrama, në atë vitin 1990-të, madje, edhe në fillimin e vitit të ardhshëm  (1991), në Washington dhe në kryeqendrat tjera Perëndimore, nuk ishte kuptuar ende që ditët e RSFJ-së por edhe të Bashkimit Sovjetik ishin të numëruara, apo që ato nuk do të mund ta përballonin përplasjen e madhe historike që ishte pasojë e shembjes së Komunizmit.

Në kryeqendrat e Perëndimit, gabimisht, jorealisht  (dhe naivisht, madje mund të thuhet), besohej që RSFJ dhe Bashkimi Sovjetik mund të demokratizohen dhe të ruajnë njëkohësisht vazhdimësinë e ekzistencës së tyre.

Do të jetë kjo befasia e dytë e madhe e SHBA-së dhe e Evropës karshi historisë në atë harkun kohor 1989-1991.

Së pari, thuaja askush në anën Perëndimore të historisë nuk kishte pritur që Komunizmi do të mund të bie, apo, të shembej, përbrenda, vet prej veti, pa asnjë plumb të shkrepur, pa një luftë të madhe në mes të Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik, ku nuk përjashtoheshin madje as armët bërthamore.

Kjo ndodhi në mënyrë krejtësisht paqësore, prej 9 nëntorit të vitit 1989, në Berlin, e tutje në gjithë Kampin komunist.

Së dyti, mbase edhe nën këtë përshtypjen e befasisë së madhe për të mirë, me vetë-rrënimin e Komunizmit, në Perëndim kanë besuar që Bashkimi Sovjetik dhe RSFJ, do të gjejnë një mënyrë për të dyzuar fundin e Komunizmit, fillimin e Demokracisë dhe ruajtjen e sovranitetit të tyre.

Edhe kësaj here SHBA-ja dhe Evropa nuk e kuptuan rrjedhën e pashmangshme të historisë.

Kjo sjellje e Perëndimit zaten do të vazhdojë, realisht, me gabimet dhe dështimet e shumta, deri në verën e vitit 1995-të, edhe pas katër vitesh të luftërave të përgjakshme në hapësirat e ish-RSFJ-së, teksa do të paguhej me një çmim jashtëzakonisht të lartë në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë, e më pas, edhe në Kosovë.

Sidoqoftë, t’i kthehemi pranverës së vitit 1990 në Kosovë.

LDK dhe ‘Alternativa kosovare’, të ndihmuar nga një mori nismash të cilat flisnin për një mobilizim të pashoq në historinë e re të Kosovës, arritën ta ushtrojnë ndikimin e madh në të gjitha institucionet e Kosovës, teksa Lëvizja për Pajtimin e gjaqeve, që njihte si emrin kryesor të saj intelektualin Anton Çetta, por ku vepruan qindra intelektualë dhe mijëra aktivistë të gjitha brezave, ndikoi në një homogjenizim të pashembullt tek shqiptarët e Kosovës.

Të gjitha shtresat e popullsisë në Kosovë, në gjithë territorin e vendit, i ishin vënë prapa Lëvizjes politike, në ballë të së cilës ishte LDK-ja me ‘Alternativën kosovare’, që kishte lindur në masë të madhe spontanisht, pas një dhjetëvjetëshi shumë të rëndë të politikës në Kosovë  (prej vitit 1981 e tutje), pos tjerash, edhe si konsekuencë e asaj Proteste të madhe paqësore gjithëpopullore të muajit nëntor të vitit 1988-të.

Në këtë mënyrë, objektivisht, u përgatit skenari për ngjarjet e muajit qershor të vitit 1990-të, të cilat do të kulmojnë me atë Aktin e Kuvendit të Kosovës, me 2 korrik të këtij viti.

Nesër: Shumë hapa dhe të gjitha rrugët e mundshme politike dhe luftarake, do të kaloheshin prej 2 korrikut (1990) e tutje. Por, ky hapi i parë, tregoi qartë drejtimin që mori Lëvizja politike e vendit, që u shndërrua pastaj në Lëvizjen për pavarësinë e Kosovës.