Qeveria po i skanon marrëveshjet për hekurudhat dhe autostradën - Gazeta Express
string(64) "qeveria-po-i-skanon-marreveshjet-per-hekurudhat-dhe-autostradenn"

Qeveria po i skanon marrëveshjet për hekurudhat dhe autostradën

Arlena Krivenjeva

19/02/2020 15:33

Letrat e shprehjes së interesit për hekurudha dhe autostrada, që u nënshkruan ditë më parë në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë dërguar për interpretim në zyrën ligjore të kryeministrisë, kanë bërë të ditur zyrtarë brenda Qeverisë për Gazetën Express. Në rast se gjenden shkelje ligjore nuk mohohet shkarkimi i dy zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës. Ish-ministri Pal Lekaj, në anën tjetër, thotë për Expressin se nëse ndodh një gjë e tillë atëherë kjo qeveri është hajgare.

Duke i pasur pas vetes presidentin e vendit, Hashim Thaçin, dhe pa aminin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, nënshkruan pak ditë më parë në Mynih letrat e shprehjes së interesit për hekurudha dhe autostrada në mes të Kosovës dhe shtetit serb.

Lexo Edhe:

Xhemë Veseli, Drejtor i Departamentit të Transportit tokësor dhe Ramë Qupeva, Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në krah me Marko Gjuriqin, që udhëheq zyrën e ashtuquajtur serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, nënshkruan, me ndërmjetësimin e të dërguarit të SHBA-së në dialog, Richard Grenell-in, marrëveshjen e tretë në katër muaj në mes të dy shteteve.

Probleme dolën kur me rezultatet e arritura në Gjermani nuk u pajtuan në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës tha se nuk pati informacione për atë se çka u nënshkrua në Mynih, e rrjedhimisht, asnjë zyrtarë i qeverisë aktuale nuk është takuar me dy zyrtarët e ministrisë paraprakisht.

Kurti përmes një shkrimi të bërë në Facebook tha se Qupeva dhe Veseli ishin të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj, derisa krejt negocimi është bërë pa filluar punën qeveria Kurti.

“Këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, deklaroi kryeministri i vendit.

Deri më tani nuk është bërë e ditur se pse zyrtarë të qeverisë, ministri apo kryeministri nuk kanë mbajtur takim paraprakisht për t’u koordinuar me zyrtarët, megjithatë, pas kthimit të tyre nga Gjermania ajo se çka kanë nënshkruar është dërguar për interpretim në zyrën ligjore të kryeministrisë për të parë nëse ka pasur shkelje.

“Janë kërkuar sqarime prej zyrës ligjore në kryeministri derisa momentalisht janë duke u verifikuar që pastaj të bëhet interpretimi edhe në ministri edhe në qeveri”, ka bërë të ditur për Gazetën Express një zyrtar i qeverisë.

Në rast se haset në shkelje ligjore atëherë nuk është mohuar edhe shkarkimi i këtyre personave. Negociatat për hekurudhat janë duke vazhduar.

Këtë e ka konfirmuar mbrëmë në një paraqitje në Pressing në T7 edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani.

“S’mundesh me marrë qëndrim pa e marrë dokumentacionin me e studiu. Nuk kanë nënshkruar marrëveshje, por letrën e qëllimit, është individuale. Nuk kemi marrëveshje me Gjuriqin. Negociatat janë duke vazhdu, nesër ka takim në Podgoricë në mes të ekspertëve. Janë një format tjetër, nuk ka lidhje me Serbinë por, me autoritetet ndërkombëtare. Janë në nivel teknik”, ka deklaruar Zogiani.

Me shkarkimin e mundshëm të dy zyrtarëve të ministrisë, që ishin autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj, nuk po pajtohet ky i fundit.

Lekaj në një përgjigje për Gazetën Express thotë se ka pasur kohë të mjaftueshme qeveria Kurti që të shfuqizojnë vendimet para se të nënshkruhej letër qëllimi, por që nuk kanë vepruar ashtu.

Ai thotë se nuk është bërë asnjë shkelje, teksa e ka quajtur qeverinë Kurti, qeveri hajgare.

“Nuk kanë asnjë të drejtë, kanë pas kohë të mjaftueshme me i abrogu vendimet para se me nënshkru letër qëllimin, por asnjë shkelje zyrtare nuk është bërë. Përnjëmend qeveri hajgare se jo mahi”, ka thënë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Pas marrëveshjes për kthim të linjës ajrore midis Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët kosovarë kishin negociuar me Serbinë edhe për hekurudhat dhe autostradat.

Të pranishëm nga Kosova ishin presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Ambasadori amerikan në Gjermani, si ndërmjetësues i marrëveshjeve tha se këto arritje janë falë direktivave të qarta të presidentit amerikan, Donald Trump./GazetaExpress/