Doktor Pali me tri aktakuza, gjyqtarët s'po kanë kohë ta gjykojnë - Gazeta Express
string(63) "doktor-pali-me-tri-aktakuza-gjyqtaret-spo-kane-kohe-ta-gjykojne"

Doktor Pali me tri aktakuza, gjyqtarët s’po kanë kohë ta gjykojnë

Gazeta Express

28/01/2020 20:26

Fundvitin e 2015-s dhe fillimin e 2016-s shumë deputetë të opozitës së atëhershme kishin përfunduar në pranga, kryesisht shkaku i hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Bashkë ishin edhe në seanca gjyqësore, ku akuzoheshin për veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, raporton KTV.

Lexo Edhe:

Ministri në detyrë, Pal Lekaj, për këto vepra ka madje 3 aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Një gjë të tillë ia ka konfirmuar televizionit Zyra për informim e Gjykatës, e cila ka bërë të ditur se dy prej tyre u janë ndarë gjyqtarëve, por nuk janë caktuar seanca shkaku i ngarkesës me lëndë.

Aktakuza e tretë nuk ka gjyqtarë të caktuar, pasi gjyqtarja që më herët e kishte këtë lëndë është dekretuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se lënda me numër P.nr 893/18, ku i akuzuar është P.L. e.t.j., është pranuar nga gjyqtari i çështjes më datë 16.9.2019, ndërsa lënda me numër P.nr.4668/2018 është pranuar nga gjyqtari i çështjes më datë 3.12.2018. Sa i përket lëndës me numër P.nr.412/2019, ju njoftojmë se gjyqtarja e kësaj çështjeje është dekretuar gjyqtare në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, andaj kjo lëndë do t’i ndahet së shpejti gjyqtarit/es tjetër”, ka thënë Zyra për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Aktakuza e tretë ndaj Lekajt për veprën “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” me paragrafin e dytë është e dënueshme me 1 deri në 10 vjet burgim dhe gjobë deri në 10 mijë euro.

Avokati i Lekajt, Arianit Koci, konfirmon të jetë në njohuri për dy prej rasteve që ishin ngritur aktakuza, por për të tretën mohon ta ketë pranuar ndonjëherë aktakuzën.

Por, përveç në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Lekaj është nën akuza për korrupsion dhe po gjykohet në qytetin e tij të lindjes, Gjakovë.

Bashkë me Lekajn, në njërin prej 3 rasteve, i akuzuar është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe disa deputetë të tjerë.

Legjislatura e kaluar e Kuvendit e kishte kaluar nëpër disa komisione një projektligj për amnistimin e veprave nga periudha e gazit lotsjellës, por i njëjti nuk kishte mbërritur në seancë për votim.