I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, gazetari dhe ish-banori i “Big Brother VIP 5”, Shëndrit Lumi, ka folur për eksperiencën e tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, marrëdhënien me ish-banorët, si dhe për disa detaje nga jeta e tij personale.
Gjatë intervistës, Lumi u pyet edhe për paraqitjen e Rogertit në emisionin “Flet” me Ilnisa Agollin, ku ky i fundit performoi këngën “Yala Selina”.
I pyetur nëse sheh një të ardhme në muzikë për Rogertin, Shëndriti u shpreh se, sipas tij, gjithçka ka qenë bërë më shumë për argëtim dhe jo si një hap serioz drejt tregut muzikor.
“Unë mendoj që Rogerti, me aq sa e kam njohur brenda shtëpisë, e ka bërë vetëm për ‘fun’. Nuk mendoj se e ka bërë për t’iu futur muzikës. Sot i futen muzikës të gjithë, por nuk besoj se ky ka qenë qëllimi i tij. Përndryshe, nuk shoh të ardhme në muzikë tek Rogerti, sepse nuk është këngëtar”, tha Lumi.
Më tej, ai komentoi edhe deklaratën e Rogertit se kënga nuk i dedikohej Selin Bollatit. Sipas Shëndritit, pavarësisht asaj që thuhet jashtë, brenda shtëpisë situata është perceptuar ndryshe.
“Tani mund të thuash që nuk e ke për Selin, por në shtëpi e ke pasur për Selin Bollatin. Nuk ka shumë rëndësi se për kë e ke, rëndësi ka si do ta tregosh veten edhe jashtë. A je Rogerti që ke qenë brenda në lojë apo je dikush tjetër?”, u shpreh ai.
Lumi shtoi se, edhe pse jashtë nuk ka pasur ende mundësi ta njohë më nga afër Rogertin, nga ajo që ka parë deri tani, ai i duket i njëjti person si gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP”.
“Përmes gjërave që po shoh, po shoh një Rogert të njëjtë si brenda shtëpisë. Mendoj se ka qenë po i njëjti, si brenda, si jashtë. Nuk mendoj se ka qenë lojë e tij, përderisa edhe jashtë e ka vazhduar këtë sjellje. Nuk na ka bërë përshtypje”, përfundoi Shëndrit Lumi. /GazetaExpress/