I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, gazetari dhe ish-banori i “Big Brother VIP 5”, Shëndrit Lumi, ka folur për eksperiencën e tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, marrëdhënien me ish-banorët, si dhe për zhvillime të tjera pas daljes nga formati.
Gjatë intervistës, Lumi u pyet edhe për të ardhmen artistike të Mirit pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP”. Ai u shpreh se nuk sheh një rikthim të fuqishëm artistik, duke argumentuar se dinamika e grupit West Side Family ka ndryshuar ndjeshëm pas ndarjes nga jeta të Dr. Florit.
“Jo. A e dini pse? Unë mendoj që West Side Family si grup është i jashtëzakonshëm, me muzikë që na ka mbajtur gjallë për shumë kohë. Me ikjen e Dr. Florit, mendoj se ka ndryshuar totalisht energjia, si e këngëve, ashtu edhe mënyra se si publiku e sheh grupin”, u shpreh Lumi.
Sipas tij, koha dhe ndryshimi i brezave janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në mënyrën se si perceptohen artistët nga publiku. Lumi theksoi se çdo gjeneratë sjell figura të reja dhe preferenca të ndryshme muzikore.
“Koha është i vetmi faktor që na rinovon çdo herë, që na sjell një figurë të re. Edhe gjeneratat ndryshojnë. Babai im nuk shkon më në koncerte për të dëgjuar artistët e tij të preferuar. Gen Z sot shkon të dëgjojë Kanye West, Black Coffee…”, tha ai.
Më tej, Shëndriti shtoi se, për të, artist është ai që vazhdon të jetë vazhdimisht i kërkuar nga publiku. Ai u shpreh se artistët me një bazë fansash të konsoliduar mund të vazhdojnë të prodhojnë muzikë, por krijimi i një audience të re mbetet sfidë.
“Artist për mua është ai personazh që është gjithmonë i kërkuar nga publiku. Sa janë të kërkuar artistët tanë, janë me numra që mund të ceken. Ata mund të bëjnë muzikë dhe të ushqejnë atë fan base që kanë, por të krijojnë fansa të rinj e shoh pak problematike në aspektin e zhvillimit”, përfundoi Shëndrit Lumi. /GazetaExpress/