Fituesja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, Selin Bollati, ishte e ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapin dhe Elona Duron, ku foli për eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, emocionet e përjetuara dhe ndikimin që ky format ka pasur në jetën dhe karrierën e saj pas daljes.
Gjatë intervistës, balerina e njohur u pyet edhe për fituesit e pesë edicioneve të “Big Brother VIP Albania”, duke iu kërkuar që t’i rendiste sipas meritës dhe show-t të dhënë në lojë.
Selin zgjodhi të mos bëjë një renditje konkrete, duke e cilësuar një vlerësim të tillë si të vështirë dhe jo shumë të drejtë ndaj ish-banorëve. Sipas saj, edhe një qëndrim i shkurtër në atë format kërkon shumë energji, durim dhe përfshirje emocionale.
“Kjo është pak e ‘shëmtuar’ për t’u bërë, sepse më beso, edhe nëse 10 ditë qëndron brenda shtëpisë së ‘Big Brother’, kontributi që jep të kushton. Të kushton energji, të kushton durim. Ajo është një eksperiment social dhe ti normalisht investon shumë për të qenë pjesë e saj, e jo më për të qenë fitues”, u shpreh Bollati.
Megjithatë, ajo veçoi Luiz Ejllin si një nga figurat më të spikatura të formatit, duke e cilësuar si fitues absolut.
“Një fitues absolut që ka qenë dhe mbetet sot, patjetër që është Luizi. Por nuk do të doja t’i vendosja në një renditje, pasi mendoj se secili e ka dhënë kontributin e vet për lojën e tij ose të saj dhe, si i tillë, ka dalë fitues”, tha Selin.
Në fund, Bollati theksoi se çdo fitues e ka përjetuar garën në mënyrën e vet dhe se secili ka pasur vështirësitë e tij gjatë rrugëtimit në “Big Brother VIP Albania”. /GazetaExpress/