Sulmuesi i Atlético Madridit, Julián Álvarezi, vazhdon të jetë një nga temat kryesore në mediat spanjolle, si për paraqitjet e tij në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe për të ardhmen e tij.
Argjentinasi ka qenë i rezervuar kur është pyetur për sezonin e ardhshëm, por aktualisht duket se ka më shumë gjasa të qëndrojë në “Metropolitano” këtë verë.
Álvarezi është përmendur si objektivi kryesor i Barcelona për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, teksa katalanasit kërkojnë një zgjidhje afatgjatë për rolin e sulmuesit qendror.
Gjatë gjithë vitit është raportuar për kontakte mes agjentëve të tij dhe Barcelonës, por Atlético ka qenë i prerë se ai nuk është në shitje.
Gjithashtu, interes për të kanë shfaqur edhe Arsenali dhe Paris Saint-Germaini.
Sipas Matteo Moretto në “RadioMarca”, Atlético Madridi e vlerëson Álvarezin rreth 100-110 milionë euro, por kjo shifër hyn në lojë vetëm nëse 26-vjeçari kërkon largimin.
Aktualisht, lojtari dhe familja e tij janë të lumtur në Madrid, dhe siç qëndrojnë gjërat, është “e vështirë të imagjinohet” që ai të kërkojë transferim.
Një nga pengesat për Barcelonën është edhe rinovimi i kontratës me Atlético Madridin.
Klubi dëshiron t’i ofrojë Álvarezit një rritje page dhe, sipas raportimeve, kushtet për marrëveshjen e re janë tashmë të dakorduara.
“Los Colchoneros” synojnë ta finalizojnë rinovimin pas përfundimit të aventurës në Champions, për të larguar interesimin nga Barcelona, Arsenali dhe PSG.
Si alternativa për Álvarezin, Barcelona po shqyrton edhe emra të tjerë si Alexander Sørloth dhe sulmuesin e Chelseat, João Pedro.
Gjithashtu, në listë përmendet edhe sulmuesi i Mallorcës, ylli i kombëtares dardane Vedat Muriqi, si një opsion i mundshëm./GazetaExpress/