Pasi kishte tentuar ta transferojë që në janar, Interi pritet të rikthehet sërish për mesfushorin e Liverpoolit, Curtis Jones, i cili mbetet i hapur për këtë lëvizje.
“Zikaltrit” e kishin identifikuar Jones si zëvendësuesin ideal gjatë afatit kalimtar të dimrit, në një kohë kur Davide Frattesi dukej pranë kalimit te Nottingham Forest.
Marrëveshja e planifikuar ishte një huazim me opsion blerjeje rreth 40 milionë euro në fund të sezonit, por mungesa e një rinovimi kontrate në “Anfield” bëri që transferimi të dështojë.
Kontrata aktuale e Jones skadon në qershor 2027 dhe situata ende nuk është zgjidhur, çka i jep mundësi Interit të provojë tani me një ofertë të drejtpërdrejtë, ndoshta me një çmim më të ulët.
Sipas “Sportitalia”, Jones ka dhënë “dritën jeshile” për një transferim në “San Siro”, kështu që tani mbetet që klubet të arrijnë marrëveshje për kushtet.
Ndërkohë, Frattesi duket sërish në dalje, pasi nuk ka arritur të sigurojë minuta të rregullta nën drejtimin e trajnerit Cristian Chivu, duke vazhduar vështirësitë që kishte edhe me ish-trajnerin Simone Inzaghi.
Jones është produkt i akademisë së Liverpoolit dhe ka kaluar gjithë karrierën te “The Reds”, duke kontribuar këtë sezon me dy gola dhe tre asistime në 45 ndeshje zyrtare./GazetaExpress/