Me sezonin e Real Madridit që po shkon drejt një fundi zhgënjyes, pothuajse pa trofe, atmosfera në Valdebebas nuk është aspak pozitive.
Për më tepër, në media kanë filluar të dalin histori për tensione brenda dhomës së zhveshjes.
Të premten u raportua se Dani Ceballosi ka kërkuar të ndërpresë marrëdhënien me trajnerin Álvaro Arbeloa, pas një debati në zyrën e këtij të fundit.
Mesfushori pritet të largohet gjatë verës dhe mund të ketë luajtur tashmë ndeshjen e fundit për klubin.
Ndërkohë, Arbeloa ka pasur përplasje edhe me Raúl Asencio, i cili ka luajtur shumë pak në muajin e fundit, si dhe me kapitenin Dani Carvajal, që gjithashtu ka kaluar shumicën e kohës në stol kohët e fundit.
Sipas “ESPN”, incidenti më i ashpër në Valdebebas ka përfshirë mbrojtësin veteran Antonio Rüdiger.
33-vjeçari thuhet se “ka humbur kontrollin” ndaj një bashkëlojtari gjatë stërvitjes, duke shkaktuar një situatë të tensionuar.
Megjithatë, sipas burimeve, incidenti nuk konsiderohet i rëndë dhe lidhet më shumë me karakterin e Rüdigerit sesa me ndonjë problem serioz.
Kjo nuk është hera e parë që temperamenti i tij vihet në pikëpyetje muajt e fundit.
Mbrojtësi gjerman ishte akuzuar se kishte goditur me qëllim në kokë mbrojtësin e majtë të Getafes, Diego Rico, ndërsa ai u mbrojt duke thënë se, nëse do të kishte dashur ta lëndonte, “ai ende do të ishte i shtrirë në tokë”.
Gjithashtu, gjatë humbjes së Real Madridit ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve, mbrojtësi bavarez Josip Stanišić e akuzoi Rüdigerin se kishte kaluar kufijtë me komentet e tij, duke e sfiduar publikisht të tregonte çfarë i kishte thënë.
Rüdigeri është në vitin e fundit të kontratës, por pritet që t’i ofrohet rinovimi nga klubi në “Bernabéu”./GazetaExpress/