Ekspertët po bëjnë thirrje për rritjen e konsumit të produkteve të qumështit, duke paralajmëruar se shmangia e tyre – shpesh për arsye “trendesh” – mund të ketë pasoja negative për shëndetin, përfshirë rritjen e rrezikut për kanceri i zorrës së trashë.
Sipas studimeve, konsumimi i një gote qumësht në ditë mund të ulë rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje me rreth 17%. Megjithatë, mjekja Dr Rupa Parmar thekson se gjithnjë e më shumë pacientë po shmangin produktet e qumështit pa pasur një diagnozë të vërtetë për intolerancë, duke rrezikuar kështu shëndetin e tyre.
Ajo vëren se termi “intolerancë ndaj produkteve të qumështit” përdoret shpesh pa bazë mjekësore dhe se, në shumë raste, analizat tregojnë se pacientët nuk vuajnë nga kjo gjendje. Ndërkohë, rritja e përdorimit të alternativave bimore ndaj qumështit është bërë gjithnjë e më e zakonshme, ndërsa konsumi mesatar i qumështit ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.
Një nga arsyet kryesore pse produktet e qumështit konsiderohen mbrojtëse lidhet me përmbajtjen e tyre të kalciumit. Ky mineral ndihmon në lidhjen e acideve biliare dhe acideve yndyrore në zorrë, duke reduktuar efektet e tyre potencialisht kancerogjene.
Një studim i realizuar nga University of Oxford analizoi të dhëna nga mbi 500 mijë gra dhe gjeti se marrja e rreth 300 mg kalcium në ditë – e barabartë me një gotë të madhe qumësht – lidhej me një ulje të ndjeshme të rrezikut për këtë lloj kanceri. Ushqime si qumështi dhe kosi u shoqëruan me një probabilitet më të ulët diagnostikimi gjatë një periudhe 16-vjeçare.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se jo të gjitha produktet e qumështit kanë të njëjtin efekt – për shembull, konsumi i djathit apo akullores nuk tregoi ndikim të rëndësishëm në uljen e rrezikut.
Ekspertët nënvizojnë se kalciumi mund të merret edhe nga burime të tjera, përfshirë produkte të fortifikuara ose ushqime si tofu. Nga ana tjetër, konsumi i lartë i alkoolit, mishit të kuq dhe produkteve të përpunuara lidhet me rritje të rrezikut për kancer të zorrës së trashë.
Mjekët rekomandojnë një stil jetese të shëndetshëm si mënyrën më efektive për parandalim, duke përfshirë ushqyerje të balancuar, aktivitet fizik, shmangie të duhanit dhe kufizim të alkoolit.
Po ashtu, theksohet rëndësia e diagnostikimit të hershëm. Simptoma si ndryshime të vazhdueshme në funksionimin e zorrëve, prania e gjakut, humbje e pashpjegueshme në peshë apo dhimbje barku duhet të kontrollohen menjëherë nga mjeku.
Kanceri i zorrës së trashë është ndër format më të përhapura të kancerit dhe rastet janë në rritje, veçanërisht tek të rinjtë. Megjithatë, kur zbulohet herët, shkalla e mbijetesës është shumë e lartë, duke kaluar 90% në fazat fillestare. /GazetaExpress/