Reagimi ynë ndaj ushqimit nuk është i njëjtë për të gjithë dhe shpesh ndikohet nga më shumë sesa thjesht uria. Ekspertët theksojnë se të kuptuarit e dallimit mes urisë dhe oreksit është çelësi për të marrë vendime më të shëndetshme në të ushqyer.
Sipas studiuesve, uria është një ndjesi fizike që sinjalizon nevojën për energji, ndërsa oreksi përfshin një sërë faktorësh si ngopja dhe kënaqësia që marrim nga ushqimi. Këto procese kontrollohen nga pjesë të ndryshme të trurit, por funksionojnë së bashku.
Uria rregullohet nga hipotalamusi, i cili monitoron nivelin e sheqerit në gjak dhe hormonet që lidhen me energjinë. Ndjesia e ngopjes kontrollohet nga pjesë të tjera të trurit që reagojnë kur stomaku mbushet, ndërsa “shpërblimi” nga ushqimi lidhet me sistemin e dopaminës, që na shtyn drejt kënaqësisë.

Kjo shpjegon pse ndonjëherë mund të ndiheni të ngopur, por sërish të tundoheni nga një ëmbëlsirë. Ushqimet e shijshme aktivizojnë sistemin e shpërblimit, edhe kur trupi nuk ka më nevojë për energji.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët gjenetikë. Studiuesit theksojnë se mbi një mijë gjene ndikojnë në mënyrën se si përjetojmë oreksin, çka shpjegon pse disa njerëz e shohin ushqimin thjesht si “karburant”, ndërsa të tjerë kanë një lidhje më emocionale me të.
Përveç kësaj, sinjalet vizuale, aromat dhe madje edhe tingujt mund të nxisin dëshirën për të ngrënë. Ky fenomen, i njohur si “uri hedonike”, ndodh kur dëshira për ushqim aktivizohet nga stimuj të jashtëm dhe jo nga nevoja reale e trupit.
Stresi është një tjetër faktor kyç. Kur jemi të stresuar, aftësia për të kontrolluar impulset bie, ndërsa dëshira për ushqime të shpejta dhe të pasura me sheqer apo yndyrë rritet. Kjo ndodh sepse truri kërkon burime të shpejta energjie.
Me kalimin e kohës, konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të përpunuara mund të çrregullojë sinjalet e trupit për ngopjen, duke e bërë më të vështirë të kuptojmë kur duhet të ndalemi së ngrëni.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se industria ushqimore shpesh shfrytëzon këto mekanizma, duke krijuar produkte shumë tërheqëse në shije dhe aromë, që na nxisin të konsumojmë më shumë se sa kemi nevojë.
Në këtë realitet, ku ushqimi është i bollshëm dhe gjithmonë i disponueshëm, këshillohet zhvillimi i një ndërgjegjësimi më të madh ndaj sinjaleve të trupit. Një strategji e thjeshtë është të bëni një pauzë përpara se të hani dhe të pyesni veten: “A jam vërtet i uritur, apo po reagoj ndaj stresit, zakonit apo një tundimi të momentit?”
Në përfundim, specialistët theksojnë se përveç përgjegjësisë personale, nevojiten edhe politika më të gjera për të krijuar një mjedis ushqimor më të shëndetshëm dhe më të balancuar për të gjithë. /GazetaExpress/